Kryetari i PD, Lulzim Basha

PD nuk ka patur kurrë statut

15 Prill 2018, 19:01| Përditesimi: 15 Prill 2018, 19:03

  • Share

Ndodhi ajo që mendohej dhe ishte paravendosur qysh më parë nga Lulzim Basha dhe sejmenët e tij të rinj dhe të vjetër që kanë mbetur në atë parti. Ndryshimet në “statut” u kthyen në luftë ndaj çdo zëri ndryshe dhe betejë pa kompromis ndaj “elementëve armiqsorë” që sipas tyre “duan ta dobësojnë dhe dëmtojnë partinë”.

Llogjikë sa marksiste aq edhe enveriste, e drejtimit dhe perceprimit të situatave në të cilën po kalon prej vitesh, veçanarisht muajt e fundit partia më e madhe (në fakt ishte e madhe) opozitare në politikën shqiptare. Por realisht Partia Demokratike nuk ka patur ndonjëherë de jure statut të partisë të zbatueshëm, pasi atje ka vendosur gjithmonë përgjatë 20 e ca vitesh vetëm NJESh-i, kurse të tjerët kanë qenë vetëm zero të panumurta.

Ajo çfarë ishte paralajmëruar qysh më parë nga sejmenët e Lulit, doli bllof i turpshëm, dhe ajo çfarë ishte parashikuar rezultoi e saktë. Pra Lulzimi mblodhi të shtunën (si gjithmonë) kryesinë, lexoi rendin e ditës, foli mjaft mbi rëndësinë e statutit “të ri”, mbi eksperiencën e marrë në partitë “simotra” në Europë, dëgjoi edhe ndonjë zë kundërshtar, dhe pastaj imponoi me “votë” gjithçka kishte paravendosur. Partia Demokratike e ka mbledhur pasditen e të shtunës kryesinë, pasi grupi i punës ka mbledhur propozimet për ndryshimet në statut. Propozimet u deklarua se kishin ardhur “nga analiza partitë simotra, kritikët dhe anëtarësia”, ndërkohë që në bazë nuk është diskutuar asgjë nga ato që deklaron Luli.

Sipas tij “statuti i ri ka në fokus demokracisë dhe forcimin e anëtarësisë, ku propozohet që deputetët të zgjidhen nga anëtarësia”, një gënjeshtër banale e tij, që rezultoi një mashtrim edhe në zgjedhjet e kaluara. I pari që ka dalë i zhgënjyer nga mbledhja e kryesisë ishte Arben Imami pasi ka shprehur rezerva për draftin, duke u shprehur se “duhet garantuar dorëheqja e kryetarit në rastin e humbjes së tij në zgjedhje”. Imami e deklaroi se “kryetari nuk jep dot përgjigje për gjëra të rëndësishme, nuk më duket e arsyeshme që ai të zgjidhet një herë në çdo 2 vjet, kur humb zgjedhjet duhet të largohet, dhe kjo duhet të jetë e fiksuar mirë.

Çdo dy vjet mund të bëhet një verifikim. Duhet të ketë një rregull në statut për mandatin e kryetarit”. Por pavarsisht se çfarë deklaron sot Imami, apo ndonjë tjetër zë kundër Lulzimit, e vërteta është se “statuti” në atë parti, ka qenë gjithmonë zëri dhe fuqia e NJESH-it. Gjithçka vendosej dhe zhvendosej kur donte NESH-i, kryesia dhe Kuvendi Kombëtar thirreshin kur vendoste ai, ndryshimet, afrimet dhe largimet bëheshin kur urdhëronte ai. Por e njëjta gjë ka ndodhur dhe po ndodh edhe me Lulzim Bashën, njeriun që ka kopjuar deri në detaje NJESH-in e tij.

Edhe Lulzimi sot, thërret ose nuk e mbledh fare për vite me rradhë jo vetëm Kuvendin Kombëtar, por edhe kryesinë e asaj partie. Edhe Lulzimi sot në PD, ka arritur të mbledhë rreth vehtes sejmenë dhe vocërrakë, që i thonë “lepe-peqe” atij dhe po tallet me statutin, parimet, vlerat dhe simbolet e PD.

Ajo parti kurrë nuk ka patur de jure statutin e saj, kurrë statuti i saj nuk ka funksionuar sipas parimeve dhe normave të një partie politike në demokraci. Partia Demokratike e Lulzimit, është e pandarë nga konceptet dhe vazhdimësia e së kaluarës, dhe kjo u vërtetua së fundi edhe tek histeria me të cilën ai dhe “gjaku i ri i partisë” shtypën dhe dhunuan zërat kundër. Ajo çfarë vendosi së fundi kryesia e Lulzimit, ishte vazhdimësia e rrugës së gabuar (për të mos thënë e qëllimshme) që ka nisur prej 5 vitesh Partia Demokratike e drejtuar prej tij, duke e shtyrë dhe zhytur atë parti edhe më shumë në ullitë e kaosit dhe pasigurisë, duke shuar çdo shpresë të mijëra demokratëve të zhgënjyer për ndryshim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?