Berisha me gazetarët

PD nuk u transformua dhe sëmundja mbeti brenda saj

17 Nëntor 2022, 13:36| Përditesimi: 17 Nëntor 2022, 13:37

  • Share

Më së fundi u miratuan emrat për garën e primareve në PD që do të përcaktojnë dhe kandidatët për zgjedhje vendore në të gjithë vendin. Një risi kjo, ndonëse duket si një masë e shtrënguar për formë sesa fakti që vetë PD ishte e përgatitur dhe në kohën e duhur për të bërë një hap të tillë. Grushtet e shtetit që ndodhën në kreun e saj prej mëse një viti, rrethimi e sulmet me qyngje për të marrë me forcë godinën, bien shumë në kontrast me një garë të paqtë, transparente e demokratike për primaret, ashtu siç mundohet të paraqitet. Gjithësesi, këto janë çështje të brendshme të tyre. Ajo çfarë ka vlerë është se çfarë produkti do të sjellë ky proces, me çfarë imazhi dhe platformash do të paraqitet opozita në zgjedhjet vendore dhe a do të jenë këta përfaqësues fytyra e re e PD-së apo thjesht figurantë që përcaktohen nga udhëheqja. Tashmë kur kemi të bëjmë me bashkitë dhe këshillat bashkiakë, me çështje të veçanta komunitetesh dhe me faktin që duhet të përballesh me to dhe jo të biesh në sy pse vërtit si si fandaksur flamurin partiak, çështja e kandidaturave mbetet thelbësore për imazhin e ri të një partie që është çartallosur në krizat e betejat e brendshme prej mëse një viti. Duket se ky debat ka nisur të ndihet dhe brenda vetë strukturave të PD-së. Pra, shërben më mirë një kandidat politik për zgjedhjet apo është më rezultativ një prurje intelektuale që kontributet e veta i ka patur kryesisht në sferën profesionale? Vështirë të ndahet me thikë se cili është modeli më i suksesshëm, por gjithësesi kriza në PD ishte thjesht politike, çka nënkupton se vetë politikanët e saj, profesionistë a mediokër qofshin, të kenë qenë shkaktarët e një krize nga e cila opozita ende ka mbetur brenda si në një vorbull që po e zhyt thellë e më thellë.

Edhe nëse i drejtohemi historisë, kujtojmë se rezultati më i suksesshëm elektoral i PD ka qenë në zgjedhjet e vitit 2005 të cilat i fitoi së bashku me koalicionin opozitar. Në atë kohë, përveç faktit të ndarjes së PS, nga ku rrodhi ish LSI, duket se arma më e efektshme ishte krijimi i KOP, një organizëm ku u atashuan intelektualë dhe profesionistë të ndryshëm, të cilët i dhanë një imazh të ri dhe një fytyrë të re PD-së e cila ende kishte ngarkesën e vitit 1997. Atashimi i intelektualëve pranë opozitës dha një shtysë dhe besim më të madh. Por ajo që duket se përbënte shpresë, ishte fakti që KOP dhe intelektualët do të ishin dhe trysnia për ta transformuar PD-në, duke e shndërruar në një parti politike moderne dhe larg primitivizmit klanor. Faktet dëshmuan të kundërtën për fat të keq. Në vend të shndërrohej PD, u shndërruan prurjet e reja intelektuale të KOP, ku plastelina mori formën e kreshpëzuar të kryetarit. PD nuk u transformua dot dhe sëmundja mbeti brenda saj.

Primaret po tregojnë se ka një frikë edhe për të vajtur te formula e KOP, e jo më që të përpiqen ta bëjnë të suksesshme si dikur. Pavarësisht se përsëritja e të njëjtës gjë nuk garanton as suksesin dhe as i jep vlerë strategjisë e kombinacionit. Fakti që PD kërkon të luajë thjesht nën flamurin e kryetarit, pa pikë devijacioni dhe iniciative personale, e bën të vështirë për Berishën të besojë se prurjet e reja do të vallëzojnë me të nën të njëjtin ritëm dhe melodi. Kjo duket dhe në vetë skenarët e manifestimeve që po bën, duke nisur nga protesta e deri në takimet elektorale. Berishës i duhet për vete e gjithë skena politike dhe nuk e ndan dot me askënd. Edhe kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale dhe kur dhëndurët që duhet të dalin në skenë i bie të jenë kandidatët për kryetarë bashkie. Në të kundërt, Berisha po dëshmon se nuk do askënd ti bëjë hije, dhe kushdo tjetër, qoftë kandidat apo deputet rrotull tij, duhet të jetë thjesht një figurant. Për këtë rol, më të përshtatshmit do të jenë pikërisht kandidaturat për vendorë që do të vijnë nga politika, dhe gara që tani duket e mbyllur. Por e mbyllur duket dhe mundësia se PD mund të transformohet një ditë, dhe ca më e sigurt akoma, se mund të fitojë dikur me këtë mendësi.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?