Namir Lapardhaja: PD përballë vetes, një reflektim për të parë nga e ardhmja

11 Dhjetor 2023, 17:02| Përditesimi: 11 Dhjetor 2023, 17:36

  • Share

A është e mundur që PD-ja të ringrihet, të shndërrohet në një alternativë të besueshme, konkurruese dhe qeverisëse, pas një sherrnaje kaq të gjatë, një balte të pambarimtë, një lukunie të çakërdisur, që ka bërë dhe thënë gjithçka për Tjetrin, një pisllëku mediatik të orkestuar dhe të sponsorizuar për të goditur drejtuesin e PD-së dhe bashkëpunëtorët e tij, që kanë arritur të qëndrojnë dhe të rezistojnë, një trysnie që më shumë vlerë ka mbartur mbijetesa se sa rritja, zhvillimi dhe forcimi?

A është e mundur që Partia Demokratike ta tejkalojë këtë gjendje, të dalë nga kjo agoni, të rigjenerohet nga kjo vdekje klinike, të mos mbart pengje të së kaluarës, të mos ndiejë dhimbje për atë që shkoi, por të ndërtojë rrugën e saj, të plugojë korsinë e vet, të ngrejë strategjinë dhe të bëjë gjithçka për të gjetur shtegun dhe mënyrën e duhur për të trokitur në dyert dhe në zemrat e njerëzve?

A është e mundur që e djathta të shpëtojë përfundimisht nga pengmarrja e berishizmit, të flakë tej frikërat e së kalurës, të mos shoh me miopinë e urrejtjes, të linçimit dhe të dhunimit të atij që nuk ndan të njëjtin mendim, të mos investohet te ngritja e statujave të reja, por të kujdeset për rritjen e ideve, të mendimeve dhe të projekteve politike, të shpëtojë nga dembelizmi dhe pritja e gjithçkaje nga njëshi, por çdokush në rrugëtimin e tij të ndërtojë njëshin brenda vetes, duke e parë si përgjegjësi të marrë mbi supe dhe mision që kërkon mund dhe sakrificë?

A është e mundur që e djathta të ridimensionojë veten me aleanca të reja, jo me aktorë të vjetër, me figura rrezonuese, jo lolo listash, që sapo marrin mandatin në kurriz të PD-së dhe demokratëve,  hedhin vickla sipas parimit “kalova lumin, të dh.efsha kalin”?

A është e mundur që vakumi i krijuar, të mbushet, terreni i humbur të rikuperohet, koha e kaluar të kapet, boshllëku të zihet, plagët të shërohen, strukturat të plotësohen, strategjia dhe programi të ndërtohen, demokratëve t’u kthehet shpresa, t’u mbushet zemra, të besojnë se ato që thonë dhe veprojnë janë rruga e duhur dhe imperativi i nevojshëm për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të shoqërisë dhe të njerëzve?

A është e mundur që në këtë tunel të errët politik, PD-ja të bëhet drita në fund të tij?

Në këtë mosbesim të madh, PD-ja të kthejë shpresën se politika është mjet për të realizuar ndryshimin dhe jo qëllim në vetvete?

Në këtë makutëri, hajdutëri, korrupsion, vjedhje, akuza dhe kundërakuza, PD-ja të mos bëhet gishti që tregon Hënën, por të shndërrohet në Hënë që ndriçon në errësirë?

Në këtë “të gjithë janë njëlloj”, PD-ja të tregojë se nuk është si të tjerët, se njerëzit që e përfaqësojnë nuk janë aty për të vjedhur me lezet, se ajo pjesë që e ndjek nga pas nuk e bën një gjë të tillë me shpresën se kur të vijnë në pushtet, do bëjnë lekët që kanë humbur në opozitë?

Unë besoj se ky 33-vjetor është ndër më të vështirët e kësaj force politike, por në kushtet e një pakënaqësie të madhe, në situatën e një mosbesimi ekstrem, në momentin ku më shumë se gjysma e votuesve nuk e gjejnë veten të përfaqësuar te asnjë forcë politike, në kohën ku të gjithë protagonistët e vjetër të tranzicionit janë nën mokrrën e bluarjes nga SPAK-u dhe në tehun e lupës së Gjykatës së Posaçme, në lumin e akuzave ndaj drejtësisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë, në fushën ku politika nuk bëhet për njerëzit, por për të shpëtuar politikanët nga hetimet dhe burgu, në çastin kur kjo forcë është pastruar nga gangrena e korrupsionit dhe nga pjesa më regresive e saj, Partia Demokratike është e vetmja alternativë, është e vetmja mundësi, është e vetmja anije e ngelur në tallazin e egër të politikës që mund të lundrojë e qetë dhe të ankorojë në liman e shpresës pritshmëritë e njerëzve.

Ajo sot është e brishtë dhe nën presion të gjithanshëm, por koha do të punojë në favorin e saj, ditët do të jenë të pasura dhe aleanca e zemrave të bardha, e mendjeve të begata dhe e duarve të pandryra nga hajnia, do të trokasin për të gjetur të ngjashmit e tyre, për të bërë të mundur realizimin e ndryshimit që të gjithë do dëshironin. /Tema/

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • mergimtari: 12/12/2023 08:13

    Ne Shqiperi nuk ka parti politike,ka thjesht grupe interesi materjal per pasurimin e secilit pjesetar te grupit.Per aq kohe sa te mungojne "idealistet"(te tille zor se gjen sot) qe e duan kete vend,nuk mund te kete perparim.Makuteria shprehet cdo dite nga te gjithe ,pushtetar e opozitar.Askujt nuk i "digjet xhani" per njerezit ne nevoje e per popullin ne tersi.Keta jane populistet internacionaliste dhe anti shqiptar.Jashte "Xhepit" te tyre nuk i duhet asgje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?