Enkelejd Alibeaj

PD si Darfuri, autori i krimeve fshihet mes masës së militantëve

28 Prill 2023, 10:10| Përditesimi: 28 Prill 2023, 10:12

  • Share

Kur po e dëgjoja sot në intervistë televizive atë vajze që më bëhej më shumë si artiste këngësh në Va- Dejë, mu duk se diçka ishte në konfuz. O kjo nuk ishte kandidate e PD për kryetare të Bashkisë- dhe diçka nuk shkonte; o në Bashkinë e qytetit të zhdukur Venecian kishte nisur lufta mes palëve brenda palës.

Klementina Drini, kandidate e PD, deklaroi publikisht:

“Mua s’më tremb jo Sali Berisha por as Sali Berisha me 40 hajdutët që ka pas vetes. Unë nuk kam kthim pas, cilido qoftë presioni, edhe sikur të më cenojnë pjesëtarë të familjes. E dinë të dy kandidatët që se haj presionin, pavarësisht se çfarë mund të bëjnë intriga pas shpine. Me tepër është presioni që po i bëjnë elektoratit që po i thonë që kur të vijmë ne në pushtet s’keni me pa dritën e diellit këtu”.

As dritën e diellit nuk do ta shikojnë me PD.

Brenda në PD ka luftë të keqe. Nuk ka luftë të mirë; por e keqe, e keqe është lufta mes palëve, lufta me hunj e me sfurqe, e burrave kundër grave, e hajdutëve kundër popullit të vjedhur, lufta pa rregulla dhe pa arbitër, lufta prapa krahëve e dikujt kundër të gjithëve për të shpëtuar ‘lëkurën’ e vet.

Studiuesit e luftës së keqe po thonë se në PD do të plasë lufta civile. Këta i referohen luftës më të fundit ‘për vdekje’ të zhvilluar në 8 Janar 2022, ku pala e Berishës ‘me 40 hajdutë’ erdhi në selinë e Ushtrisë Popullore të Republikës së Shqipërisë, dhe i vuri flakën e kazmën. Nuk la mjet më primitiv në botë pa përdorur kundër ortakëve të tij në krye të PD. Sali Berisha nuk priste që dikush nga ‘armiqtë’ e ti të PD të mbetej gjallë pas asaj dite; por ikën liderët dhe mbeti zyra sot e kësaj dite e pushtuar.

Nuk mbahet mend qëkurse ka plasur lufta brenda PD-së.

E vetmja pikë krahasimi që mund të piketohet me atë që ndodh në PD është lufta në Darfur. Provo të sjellësh ndërmend kur nisi lufta atje…, as ke për të gjetur një datë. A 2005, a 2000, a 1500…, një zot e di. Luftërat e tjera në 2020, 2021, 2022 janë shumë të afërta. Lufta e fundit po zhvillohet aktualisht, luftë e egër dhe mizore. Aq konfuze është kjo luftë saqë përfaqësitë e Perëndimit e lanë e ikën nga vendi, si duke thënë ‘bëni si tu vijë për mbarë mes veti’. Vendi i bukur buzë Nilit ka edhe një emër që të krijon vetëm ide lufte dhe gjuetie, njësoj si PD. ‘Dar dhe Fur’, që do të thotë ‘Shtëpia e Gëzofëve’. OKB-ja raportoi se sulmi i fundit mbi civilët në qytetin e Kulbus dhe fshatrat fqinjë, në Darfurin Perëndimor, la të paktën 125 njerëz të vdekur, duke përfshirë pesë fëmijë, mbi 100 të plagosur dhe 33,000 të zhvendosur.

Në PD ka qenë e ndaluar të numërohen viktimat dhe të plagosurit; e ndaluar sepse shteti ka deklaruar se ‘nuk ka punë me partitë’, ndërsa PD ka sulmuar edhe shtetin e ka fshehur 30 vjet ligësi. PD, si qeverisje, është autore e 3000 viktimave në vitin 1997, pastaj e qindra viktimave të tjera si brenda saj edhe jashtë. Ashtu i ka krijuar viktimat: katër e nga katër, dy e nga tre, 26 e 27… Motivet për luftë e fitore kanë qenë të ndryshme, fillimisht mes veriorëve e jugorëve që nuk i duronte Sali Berisha, pastaj mes vetë tropojanëve, pastaj mes të shkolluarve dhe tipave ‘gdhë’ që i bënë ministra e gjykatës, pastaj luftë kundër atyre që nuk firmosën për t’i kaluar pasurinë kombëtare familjes së korruptuar ‘Berisha’.

Thuajse kjo paralele mund të hiqet edhe me luftën në Darfur. Edhe aty shpesh duket se përleshja është pa autor, por në fakt autori fshihet mes masës së militantëve. Në fushën e luftës aty ndodhen aleatët e qeverisë sudaneze, Fronti revolucionar i Sudanit, Këshilli Revolucionar i Zgjimit të Sudanit…, dhe tani edhe Civilët.

Në PD, herën më të fundit është proklamuar një ‘Revolucion’; është folur edhe për një ‘të djathtë Konservatore’; nga lideri i madh është deklaruar edhe se ‘nëse dal hajdut, nisem e shkoj në shtëpi’… Ky nuk e di rrugën nëse shpallet ‘i korruptuar’ nga gjykata; rruga nuk është për në shtëpi, por për në qeli.

Ka një ngjashmëri të frikshme me liderin e Sudanit që është shpallur ‘i korruptuar’ dhe ‘shkaktar i tragjedive’. Urdhër-arrestet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për ish-presidentin Omar al-Bashir dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë, nuk zbatohen, sepse fajtorët janë mes masave të militantëve…

Zonja Drini, kandidate e PD për Vaun e Dejës, nuk i di këto punë përderisa thotë se ‘jam e vendosur të mos kthehem pas’. Mund të nisë lufta tjetër e keqe në PD, zonja Drini, njësoj si në Darfur.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?