Pëllumb Xhufi:  Portreti i vërtetë i
Skënderbeut sipas dokumenteve

19 Janar 2018, 14:50| Përditesimi: 29 Mars 2022, 12:14

  • Share

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i shpërfytyruar nga sharlartanët, fokloristët e studiuesit, përballet me imazhin e vërtetë historik të tij. Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, në një intervistë për Report TV rrëfen për figurën e një strategu të madh që për 25 vjet e ktheu Arbërinë në një barrierë të sigurt ndaj kryqëzatave osmane që po mësynin në Europë.

I specializuar në Historinë e Mesjetës, Xhufi ka një përgjigje për gjithë ata që debatojnë për rolin dhe vendin e Skënderbeut në historinë botërore, përfshi edhe ata që e shpërfytyrojnë figurën e tij.

Disa vjet më parë historiani zviceran Oliver Schmitt botoi një libër ku mes të tjerash e konsideronte luftën e Skënderbeut si një hakmarje personale dhe e quante një "Hero" të rremë, të fabrikuar nga punishtja politike europiane”.  

Ndërkohë Pëllumb Xhufi, duke shfletuar antikuarët shekullorë na prezanton me një imazh tjetër të Skënderbeut

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në qytetin e Lezhës, më 17 janar të vitit 1468.  Ka lindur rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit në familjen me 9 fëmijë të princit Gjon dhe princeshës Vojsava.  Ai jetoi 62 vjet, 9 muaj e 12 ditë. Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë dhe të Europës. 

Intervista e plotë

Profesor, në Vitin e shpallur të Skënderbeut janë ngjallur shumë debate, të cilat ndonjëherë marrin dhe një publicitet të jashtëzakonshëm rreth figurës së tij. Si e shpjegoni frymën e këtyre debateve?
  -Debatet janë në përgjithësi, themi ne, të shëndetshme sidomos kur për çështje kardinale, siç është edhe kjo e figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, përfshihen ata që kanë tagër, pra historianët. Ne kemi pasur në vazhdimësi, do të thosha emra të shquar, po filloj që me Fan Nolin. Nuk po flas për Naim Frashërin, që ka bërë poezinë e njohur “Rikthimi i Skënderbeut në Krujë”, por për Fan Nolin, i cili ka bërë historinë e parë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Athanas Gegaj pas tij, ka bërë një libër me vlera, i cili  sot e kësaj dite citohet nga historiografia botërore kur bëhet fjalë për këtë epokë. Pastaj ka punuar natyrisht, prof. Aleks Buda, prof. Kristo Frashëri, pas Luftës II Botërore, studiues më të rinj janë përpjekur në këtë fushë, Aurel Plasari, Luan Malltezi, Përparime Menga, kolegët tanë, nga të cilët kush ka bërë monografi, kush ka bërë artikuj shkencorë. Kasem Biçoku nuk duhet harruar që ka bërë deri tani tri monografi për Skënderbeun, me vlerë dhe me një vështrim krejt të veçantë. Pra, ka pasur studime për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, por tani ne jemi në një fazë tjetër. Ne mund të themi me këtë bazë dokumentare që ekziston dhe që njihet dhe që është botuar, si të thuash, problemi është ezauruar, duhet shkuar përtej. 

Që të shkohet përtej duhen frekuentuar arkivat nga studiuesit tanë, sidomos nga studiuesit e rinj dhe këtë unë e quaj një emergjencë kombëtare sepse të shfrytëzosh arkivat për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe për mesjetën shqiptare në përgjithësi, duhen disa të dhëna të veçanta, duhen disa mjete pune të veçanta, siç janë gjuhët klasike p.sh. latinishtja, greqishtja e vjetër apo dhe sllavishtja e vjetër, gjithashtu edhe osmanishtja, pra gjuhë të cilat duan mund dhe duan një përkushtim të veçantë. Në qoftë se mungon interesimi i shtetit, pa dyshim individë të veçantë e kanë të vështirë t’i hyjnë kësaj pune po nuk patën një inkurajim, si të thuash, nga institucionet. Dhe në këtë drejtim ne jemi keq. Në këtë drejtim ka rrezik që shkolla skënderbejane po e quaj, shkolla shqiptare skënderbejane shuhet në qoftë se nuk mendohet tani për të përgatitur një brez të ri studiuesish për mesjetën shqiptare në përgjithësi dhe për Skënderbeun në veçanti.

     Ju folët për një shkollë skënderbejane, që është fat që ekziston, por nga ana tjetër, a është e pasqyruar gjithë përmbledhja e kësaj shkolle në tekstet shkollore?
-Pyetja është me shumë vend, se ka studime të nivelit të lartë shkencor nga emrat që unë përmenda, por sa përkthehen këto në gjuhën e duhur dhe në masën e duhur për nxënësit, që nga ata të ciklit të ulët e deri te nxënësit e gjimnazeve tona. Për fat të keq edhe shkrimi i teksteve të historisë, sidomos pas shpikjes së atij të famshmit altertekst, i është nënshtruar më shumë vullneteve politike dhe në tekstet e historisë gjenden shtrembërime, ndonjëherë të frikshme edhe alarmuese, do të thosha. Këto janë bërë dhe probleme dhe e kanë kuptuar që edhe në këtë punë hyn politika, d.m.th. autorë të papërfillshëm ndonjëherë, ose autorë, do të thosha, që kanë edhe emër të keq në kuptimin akribisë shkencore, të frymës dhe të objektivitetit shkencor, librat e tyre i gjen me shumicë në shkolla dhe mungojnë librat e studiuesve, historianëve, të cilët janë afirmuar edhe në plan ndërkombëtar në këto fusha. Pra, edhe në këtë drejtim duhet punuar.

Ne jemi një vend i vogël. Jemi një vend unitar si askush tjetër po themi, në Ballkan. Shqiptarët janë një shumicë dërrmuese qoftë këtu, qoftë në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore pa dyshim, dhe në zonat e Malit të Zi ku jetojnë shqiptarët, kështu që tekstet te ne duhet të jenë të unifikuara. Duhet, natyrisht, të kalojnë në një sitë të rreptë shkencore, nga një komision shkencëtarësh, jo komisione si ato që ka ngritur Ministria e Arsimit në vitet kur u lançua alterteksti, dhe që të merret një përgjegjësi shkencore për t’i thënë gjërat ashtu siç duhet dhe në mënyrën e duhur. Aty mund të përfshihen jo vetëm studiues, por në radhë të parë edhe mësues të kualifikuar të historisë të gjimnazeve, të shkollave tona, të cilët janë në gjendje që arritjet shkencore t’i japin me gjuhën e duhur, me masën e duhur apo jo, që të jenë sa më shumë të asimilueshme nga nxënësit dhe nga studentët.

Kështu që në këtë aspekt, them që shkolla ka shumë për të bërë, për të nxjerrë qytetarë të ardhshëm, të cilët të jenë qytetarë të informuar, të njohin historinë e vendit të tyre dhe të jenë në gjendje, si të thuash, që edhe kur të përgjigjen para kamerave tuaja të mos thonë, më falni, ndonjëherë broçkulla apo jo, por të përgjigjen siç i takon p.sh. një nxënësi 17-vjeçar, 16-vjeçar apo 18-vjeçar, siç janë gjimnazistët tanë. Të mos harrojmë që njohuritë për historinë merren kryesisht në gjimnaz. Pas gjimnazit njerëzit marrin specialitete të ndryshme. Dikush bëhet inxhinier, dikush mjek, dikush bëhet president, dikush bëhet kryeministër. Por edhe këta, njohuritë bazë për historinë kombëtare i kanë marrë nga gjimnazi, prandaj i jap shumë rëndësi futjes në mënyrën e duhur dhe në masën e duhur të mësimit të historisë nëpër shkolla.

Në udhëtimin tuaj studimor për figurën e Skënderbeut, cili është portreti real i tij nëse e vëmë përballë klisheve të krijuara “Skënderbeu si një shpatar i zjarrtë”, si “një prerës kokash” apo “Skënderbeu si një diplomat”
-Duhet ta dini, e dinte shumë mirë anglishten e kohës po them, si dhe atë që ishte gjuha italiane venecianishte. E thonë të gjitha burimet që e dinte shumë mirë, e fliste dhe e shkruante shumë mirë. Unë jam i bindur që disa nga letrat që ai u dërgonte papëve, princërve, mbretërve të Napolit apo princërve të ndryshëm të Italisë së Jugut, janë të shkruara nga dora e tij. Të paktën gjuha e përdorur tregon se janë të vetë atij. Pra, Skënderbeu ka qenë vërtet një luftëtar i paepur, i vrazhdët, i rreptë apo jo, një luftëtar i cili i kallte frikën kundërshtarit. Dhe këtë ne e shohim në bustin që ka bërë Skulptori i Popullit Odise Paskali, një bust i jashtëzakonshëm, një fytyrë vërtet e ashpër prej luftëtari. Por Skënderbeu është edhe ajo fytyra e butë, të themi, evropiane, që del në portretet që kanë bërë piktorët e Evropës, e Perëndimit, në shek. XV, XVI, XVII madje edhe më vonë. 

Pra, një personazh i kultivuar, i veshur bukur me atë qyrkun venecian, me kapelën veneciane apo jo, një njeri i qytetëruar, i cili del edhe në alter-egon tjetër të tij, d.m.th. në atë të një burri shteti, politikani, diplomati, pse jo edhe të një njeriu të letrave, i cili kishte kontakte, raporte me njerëzit më të shquar, me sovranët më të shquar të asaj kohe. Ka pasur katër papë nga më të shquarit, të cilët e kishin për nder të komunikonin me Gjergj Kastriotin. Po ashtu edhe mbretër, princër të ndryshëm nga Spanja, nga Napoli, Venediku, mbreti i Francës, mbreti i Hungarisë, shumë princër italianë. Ai ka qenë, si të thuash, në një farë mënyre, katalizator rreth të cilit u përqendrua vëmendja, forca dhe burimet për rezistencën antiosmane në gjysmën e dytë të shek. XV. Pra Skënderbeu ishte edhe ashtu edhe kështu. Kjo është një gjë shumë pozitive.

Në librat historikë është vënë re një hollësi. Kryesisht në arkivat e Venedikut etj., Skënderbeu mban titullin princ. Nëse shikon në arkivat e Francës apo ato të Anglisë del ndonjëherë edhe emërtimi mbret. Ka një shpjegim?
-Jo. Titullin mbret Skënderbeut ia japin pasardhësit. Pra, pas vdekjes së tij, fama e tij e madhe, bëri që duke filluar nga pasardhësit e tij në Itali, djali, nipi i tij, nipërit e shumtë që ai pati, por edhe nga pasardhësit e princërve të ndryshëm shqiptarë që u strehuan në Itali pas pushtimit të Shqipërisë. Këta e quajnë mbret në shkrimet e tyre, në kronikat e tyre, madje edhe në mënyrë figurative, kur paraqisnin stemën e Kastriotëve që ishte, siç dihet, shqiponja me dy krerë, i vinin dy krerëve të shqiponjës edhe nga një kurorë mbretërore për të treguar që i pari i kësaj shtëpie ishte edhe mbret. Në fakt, Skënderbeu nuk arriti të bëhej mbret. Kishte një procedurë të veçantë për t’u bërë mbret në mesjetë. Duhej që kurorën ta vinte papa, ta kurorëzonte Papa i Romës. Kështu ishte për princërit dhe për sovranët e krishterë. Në fakt, Papa i Romës, Piu II, në vitin 1464 kur kishte përgatitur një kryqëzatë të madhe kundër Perandorisë Osmane, kryqëzatë e cila do të mbështetej kryesisht në kontributin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut që ishte fronti i parë kundër osmanëve, kishte parashikuar pra, që kur të kryhej kjo kryqëzatë t’i jepte edhe titullin dhe kurorën e mbretit Skënderbeut. 

Për fat të keq kjo nuk u arrit sepse dihet që papa vdiq në prag të nisjes së kësaj kryqëzate dhe nuk u realizua edhe projekti i tij për ta promovuar Skënderbeun me titullin e mbretit. Gjithsesi, Skënderbeu del me titullin e princit, por del shumë më tepër me atë të Dominus Albanie, pra Zoti i Shqipërisë, një titull shumë i madh dhe rëndësi ka që në botën evropiane të asaj kohe, por edhe në botën Orientale, të Perandorisë Osmane, ai ishte një personalitet i cili respektohej, vlerësohej por të cilit edhe i trembeshin ata të cilët Skënderbeu i pati kundër, duke filluar që nga sulltanët e Perandorisë Osmane, por edhe ndonjë princ i Perëndimit, siç ishin p.sh. princërit e Tarentit, ndonjëherë edhe ndonjë shtet i fuqishëm siç ishte Venediku, me të cilin Skënderbeu ka pasur edhe përplasje.

Tradita kish përcjellë lidhur me karakterin, me vetitë e tij qoftë dhe të trupit. Skënderbeu mbahej një kolos dhe të gjitha këto i tërhiqnin vazhdimisht njerëzit. Natyrisht, rilançimi i figurës së Skënderbeut lidhet dhe me koniunkturën e periudhës, siç e thashë në fillim, në një kohë kur Evropa ishte e ndarë, ishte e përçarë dhe mungonin prijës të tillë të mëdhenj, që me një popull aq të vogël sa populli shqiptar, të arrinin të frenonin një perandori të tërë. Në atë kohë, në shek. XVI-XVII, perandoritë përpiqeshin që të bënin edhe transaksione me Perandorinë Osmane, jo vetëm të karakterit ekonomik, por edhe politik.

Ju thoni që trupi i tij kolos nuk ka qenë një mit, sepse kohët e fundit disa tentojnë të tregojnë se Skënderbeu ka qenë shtatvogël dhe i imët në trup.
Për fat të keq, ne shqiptarët lexojmë pak dhe në rastin konkret të Skënderbeut, shumë shqiptarë e njohin nëpërmjet filmit sovjetik “Skënderbeu”, që është një film shumë i mirë. Duhet thënë edhe kjo sepse është bërë mbi kritere shkencore. Konsulent i atij filmi ka qenë prof. Aleks Buda, d.m.th. filmi shkencërisht qëndron plotësisht. Por, ndoshta shohin edhe, ç’të them unë, në Itali ka një monument ekuestral të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në një shesh, “Shqipëria” quhet, Piazza d’Albania, në Romë, i cili është bërë në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Është bërë nga Viktor Emanueli. Ai e ka sponsorizuar këtë monument dhe është një figurë që e shpërfytyron Skënderbeun. 

Në qoftë se e shihni atë, Skënderbeu është i vogël, shumë i vogël, një trup gati prej fëmije, do të thosha. Dhe kjo dihet se përse është bërë. Është bërë sepse mbreti Viktor Emanueli III, siç dihet, ishte shumë i shkurtër dhe nuk mund të lejonte që Princi ose Zoti i Shqipërisë, i vendit të cilin ai e kishte pushtuar, të ishte kolos ndërkohë që ai ishte një shtatshkurtër. Dihet kjo punë. Por Skënderbeu në dokumente del shumë i fuqishëm, me trup të madh, të bëshëm. P.sh. po them dy shembuj: në një rast, në një luftim që ai bëri në Italinë e Jugut, në afërsi të Tarantos, Skënderbeu doli në dyluftim me një princ italian. Në përplasjen me kuaj e rrëzoi që në herën e parë nga kali dhe, thotë kronisti që ishte prezent në atë ngjarje, “e mori robin, e ngriti me një dorë, e hipi në kalin e tij dhe e çoi në kampin e vet”.

Pra tregon që të marrësh një trup njerëzor dhe ta ngresh me një dorë, tregon që ke të bësh me një njeri shtatlartë, të fuqishëm, edhe pse Skënderbeu në atë kohë nuk ishte djalë 20-vjeçar. Një tjetër shembull është një dokument venecian, shumë interesant, sepse kur Skënderbeu i rregulloi marrëdhëniet me Venedikun, pas një konflikti që patën në vitin 1448, Venediku i çon si dhuratë Skënderbeut “16 pashë cohë mëndafshi për të bërë dy kostume”. Kështu thotë dokumenti. Pas disa ditësh, një dokument tjetër thotë që “porosia u kthye mbrapsht sepse u konstatua që nuk i mjaftonin 16 pashë Skënderbeut, por duheshin 18 pashë”. Pra, ishte mbi staturën normale të një njeriu të kohës, të një prijësi të kohës. Dhe kjo do të ishte një provë, pa dyshim, që Skënderbeu ishte një trupmadh. Por kjo ka një vlerë sekondare.

Ju vetë çfarë keni përgatitur për Vitin e Skënderbeut, si mision tuajin të veçantë?
-Në radhë të parë, dua të them që ne si Departament i Mesjetës në Institutin e Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike, do të bëjmë disa botime me vlerë, që botohen për herë të parë, botime dokumentare, dy regjistra osmanë të shek. XV, dokumente latine të fillimit të shek. XV, të cilat janë bërë nga i ndjeri Injac Zamputi, punonjës i lavdishëm i Institutit tonë disa dekada më parë, i cili nuk jeton më, dhe që po përgatiten nga një kolegu ynë për botim. Ka edhe plot botime të tjera, të cilat po përgatiten, si botimi i një autori hungarez i fundit të shek. XIX, i panjohur por që është shfrytëzuar edhe nga historianët tanë, si p.sh. Fan Noli që e citon dhe i referohet shpeshherë.

d.b/shqiptarja.com

 

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?