Protestuesit në Tiranë dhe në rrethe nuk kanë dalë në rrugë vetëm pse u rrit çmimi i karburantit. Janë rritur çmimet e artikujve të konsumit të përditshëm dhe spekullimi galopant me çmimin e naftës ishte pika e fundit që derdhi gotën e zemërimit.
Nëse do të shikonte me vëmendje protestuesit në kryeqytet, qeveria duhet të ketë kuptuar se nuk bëhet fjalë për protestën e radhës, do të shihte protestues të rinj dhe familjarë që dalin në rrugë për të përçuar mesazhin: nuk shtyhet më!
Në vend që të lexonte situatën, kryeministri bashkë me gjysëm e qeverisë shkoi në Dubai në një ekspozitë të rëndësishme, pasi më parë kishte shtuar panikun duke folur për luftë më shumë se presidenti i Ukrainës. Klisheja: çmimet i vendos tregu, nuk ka punë qeveria, sot ra. Qeveria më në fund pranon që duhet të bëj rregullatorin dhe jo të bëhet palë me abuzuesit.
Autoriteti Konkurrencës tha se do të hapë hetim për spekullimin më transparent që është bërë ndonjëherë në Shqipëri: brenda ditës, disa herë gjatë ditës dhe me njoftime në televizion, çmim i naftës nga mëngjesi në mbrëmje u rrit 40 lekë në të njëjtën kohë në të gjithë pikat e karburantit në vend. Se çfarë do të hetojë Autoriteti nuk e di, por gjykuar nga vendimet e mëparshme, nuk është çudi që në fund t’i japë të drejtë abuzuesve.
Të gjitha qeveritë e rajonit dhe gjatë gjithë këtyre javëve morën masa konkrete për t’i lehtësuar barrën publikut. Qeveria shqiptare më në fund vendosi të lëvizë, me vonesë, por gabon kur e vendos fokusin vetëm te çmimi i naftës. Eshtë rritur çmimi bukës dhe si kurrë më parë për këtë po flitet hapur dhe me shqetësim. Një litër vaj lule dielli 3600 lekë?!! Janë rritur çmimet e gjithë artikujve dhe rrogat janë po ato!
Parrulla jemi në luftë është mobilizuese, por vetëm kur merret seriozisht nga të gjithë.
Nëse jemi në kohë lufte, qeveria duhet të ndajë mendjen se në cilën anë është. Koston nuk mund ta paguajë vetëm populli. Nëse është luftë, luftë është edhe për qeverinë- dhe mund të provojnë ministrat dhe zyrtarët të ecin në këmbë. (Një ministre e re, që besoj nuk e njeh as kryeministri u tha gazetarëve sot se “e ka me detyrim të lëvizë me makinë).
Barra e “luftës” duhet të bjerë edhe mbi luksin e qeverisë. Le të kursejnë ku të mundin. Dhe së fundmi luftë është edhe për tregtarët, luftë është edhe për shitësit, se nuk ka kuptim që në luftë të jenë vetëm blerësit.