Për opozitën: Rama mposhtet me paqe, lufta e bën më të fortë

16 Mars 2019, 10:40| Përditesimi: 16 Mars 2019, 10:41

  • Share

Për ditë me rradhë qytetarët e angazhuar të Shqipërisë; ata që votojnë Ramën dhe ata që kanë zgjedhur Bashën e Kryemadhin, por edhe përtej tyre, qytetarët që nuk duan as njërën dhe as tjetrën palë, janë agresuar pafund me palajmërime të forta për datën 16 mars 2019. Opozita, ftuesja e protestës, pretendon se kjo ditë, nga të parat e pranverës, do të jetë dita e fundit e Ramës në krye të qeverisjes.

“Shqiptarët e kanë marë vendimin, zot në shtëpinë e tyre nuk do të jenë më as kriminelët, as hajdutët, as grabitësit dhe as perversët”, numëron mëkatarët në Rilindje kryetari i PD-së Lulzim Basha. Për të nuk ka dyshim që mbartës i gjithë këtyre epiteteve-akuza, është kryesisht Edi Rama dhe oborri i tij i përparmë në pushtet.

Kjo gjuhë e egër, sfiduese dhe frikësuese, rrugëtimin e lodhshëm, shpesh me shumë zigzage e kriza të PothuajDemokracisë shqiptare, e quan luftë finale dhe jo betejë të rradhës.

Kjo gjuhë lufte dhe me terminologji Lindjeje çunash të veshur si në Perëndim, nuk është gjë e re në Shqipëri. Opozitat shqiptare, të majta dhe të djathta, ngjajnë me adoleshentë gjimnazesh që çdo flirt apo flirte rasti në tranzicion, i quajnë si dashuri finale.

Si lufta finale që paralajmëronte Internacionalja e komunistëve të djeshëm. Mbas të cilës ose lind jeta, ose jetën e puth vetëm vdekja.

Adoleshentët zakonisht nuk i zgjon nga hipnoza as lagia e pavullnetshme kur shkojnë në shtëpi, por kthimi në shtëpi i opozitave shqiptare që premtojnë çdo herë luftën e të gjitha luftrave, është padyshim zgjim në makth. Kush ka provokuar dhunë, ka qenë i dëmtuari i parë prej saj.

Kështu ka ndodhur në të shkuarën, kështu do të ndodhë dhe në të ardhmen. Thuhet dhe në Librat e Shenjtë: Kush vjen nga shpata, nga shpata do të shkojë!

Çfarë do të ndodhë në 16 mars është ende një enigmë dhe si do të zgjohet Shqipëria në mëngjezin tjetër është një akt që pritet të verifikohet. Opozita e sotme është përballë dilemave të forta për të dhënë përgjigjen përfundimtare të saj.

Skenari i dhunës dhe provokimi i dhunës, sikundër ka nisur flitet edhe publikisht, në mënyrë paradoksale duket se është rruga e vetme për t’u rilegjitimuar në një tryezë që do të afronte zgjidhje politike. Qoftë dhe nëpërmjet një qeverie teknike. Në këtë rast, frymëzuesit e dhunës do të kishin pasoja të rënda për të nesërmen e tyre politike. Njëlloj si fati i një kamikazi të përbetuar që dihet çfarë i ndodh atij vetë, por pritet të shihet vetëm nëse bilanci i viktimave do të përfshijë dhe objektin e atentatit.

Skenari i zakonshëm i protestave, të mëdha, të mirorganizuara dhe të shpërndara paqësisht, ruan Status Quo-në, nxjerr gënjeshtare e naïve opozitën që premton 17 mars pa Edi Ramën dhe shërben për të kuptuar dhe njëherë sesa absurd dhe i padrejtë ishte vendimi i saj për daljen nga institucionet.

Sipas parimit, çfarë nuk të vret, të bën më të fortë, Edi Rama në mënyrë paradoksale del më i fortë të nesërmen kur kuptohet se lufta finale nuk ishte hiç e tillë.

Akti ekstrem i djegies së mandateve, mbas entuziazmit të parë të atij që beson në vetvrasje, i ka lënë vendin realizmit drithërues: ikëm, por asgjë nuk ndodhi! Faktori ndërkombëtar ka artikuluar pa ekuivok se fokusi kryesor nuk është më qeverisja dhe problemet e panumërta të saj, por opozita e vetëdalë nga sistemi. Po ashtu, shqiptarët nuk dëshmuan ndonjë shkulje masive leshrash se pse një shumicë dërmuese nga ish-nëpunësit e parlamentit – deputetë të PD-së e LSI-së – nuk janë më në Kuvend. Djegia e mandateve bëri më radikalë radikalët pranë të dy kampeve, forcoi pozitat partiake të Ramës, Bashës dhe Kryemadhit, por largoi nga secili prej tyre atë fashë gjithmonë e më të gjerë qytetarësh që i konsiderojnë problematikë, edhe Ramën, edhe Bashën, edhe Kryemadhin.

Ka ende vend për një leksion të fortë: të paktën tani për tani, rrugët revolucionare të ndryshimit të pushtetit duhet t’i lenë vendin mjeteve evolucionare që njeh sistemi.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi në rreshtin e parë dhe Ilir Meta e Sali Berisha në rreshtin pasues, duhet të kuptojnë se për të mundur Edi Ramën, duhet t’i japin jo bombat molotov dhe luftën, por qetësinë dhe kohën për paqe. Vetëm kështu Rama do të binte vetë, njëlloj siç ka rënë para tij çdo pushtet tjetër në Shqipëri. Madje edhe në 97-ën kështu ka ndodhur. Çdo pushtet, kur e sheh nga interesa të tjera apolitike, kur nuk ndeshesh me të në fushën e moralit dhe me moralitet e votë, ngjan i pathyeshëm dhe i përjetshëm.

Edi Rama që e mendonte të përjetshëm Sali Berishën nuk fitoi mbi të në Janar 2011.

Sali Berisha nuk u mund nga lufta e Edi Ramës në Janar 2011.

Kryeministri i fortë ra vetëm nga paqja dy vjet më pas, kur ishte më i dobët se kurrë./ Javanews

Komento

Komente

  • Meta: 16/03/2019 12:10

    Nuk ka me mjerim se, per varfrine te flasin Salihu,Basha,.Mediu,Kryemedhja me burrin,Pena Shehi dhe hajdutet e votes,vrasjeve dhe krimit te organizuar<Nuk ka me banalitet e mjerim politik e kombetare se, ineleuktualet e "shenjuar" edhe nga Zoti, te flasim per mjerimin politike e "vlerat shpirterore e materiale"kombetare.Shembull, Takimi I Bashes me "intelektualet partiak".Sot keto mjerime delirante,keto anomali e gervallje te sterkeqjes politike e kombetare,po I shohim ne shesh para Kryeminsitrise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?