Që prej shtatorit kur shpalli hapur betejën e tij, Sali Berisha është përpjekur të mbajë në njërën dorë flamurin e SHBA-ve e në tjetrën shpatën ndaj Lulzim Bashës. Lufta e tij për demokratizimin e PD-së në fakt është maska për të justifikuar përpjekjet e tij, por edhe për t’i treguar amerikanëve se në një të ardhme të afërme mund t’u duhet të negociojnë me të si lideri i partisë opozitare më të madhe në vend.
Me nisjen e foltoreve, Berisha është përpjekur ta ndajë shpalljen e tij non-grata nga Departamenti i Shtetit në dy ulluqe. Se pari ai ka akuzuar George Soros si lobues në këtë proces kundër tij. Edhe pse Soros figuron ta ketë takuar Berishën publikisht më tepër se çdo politikan tjetër shqiptar.
Së dyti, ai është përpjekur të viktimizohet në kërkim të mëshirës së atyre që e kanë memorien e shkurtër. Atyrë që i dhanë besimin 8 vite pasi e poqi Shqipërinë me barut kinez dhe te Poliçanit, apo duke ia harruar jetët e humbura në fund të Otrantos.
E pra, në tentativë për të marrë mëshirën e tyre, Berisha shpesh ka ngritur në foltoret e tij pyetjen: Pse më shpallën mua 'non-grata' ndërkohë që unë kam 8 vite pa pushtet?
Për këtë, përgjigjet janë të thjeshta, sidomos kur të kujton YouTube me kronikat e kohës. Kush s’e mban mend, në orët e fundit për miratimin e Reformës në Drejtësi, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin nisën vizitat në çdo seli partie, në Kuvend, në Kryeministri e kudo që ndodheshin të bindurit e të pabindurit për ta votuar metamorfozën e drejtësisë shqiptare. Ishte pikërisht Sali Berisha që në mbledhjen e grupit të Partisë Demorkatike, ngriti shqetësimin se prezenca e ambasadorëve në një mbledhje të tillë ishte shkelje e sovranitetit. Donald Lu nga oborri i PD-së komentoi pak a shumë kështu: Sa ka bërë SHBA për sovranitetin e Shqipërisë, e kemi treguar edhe gjatë diktaturës.
Më pak fjalë, kur Amerika përpiqej t’i mbushte mendjen sekretarëve të hekurt të PPSH për demorkaci edhe me përpjekje diversante, sekretarët mbanin me zell gjyqe për barseta të gjata të studentëve. Kjo është e para për atë që sot habitet se ç’të keqe paska bërë pa pushtet. Me sa duket, ka menduar që të tallesh me miliardat e investimit më të madh të Perëndimit, është çështje preference.
Së dyti, të gjithë të gjallët e këtij vendi janë dëshmitarë sesi Sali Berisha i bënte thirrje nga foltorja e Kuvendit shqiptarëve debitorë apo hajdutë të rrjetit energjetik që të merrnin armët kundër policisë. Në prill të vitit 2016, ai tha publikishit në Parlament se:
“Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që për sigurinë e tyre të armatosen! Të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, shtëpitë, pasuritë e tyre. Nëse ju si organizatë kriminale (qeveria) mendoni të terrorizoni opozitën me bandat tuaja (policinë) të jeni të sigurt se opozita është e gatshme t’jua kthej ju që të mos gjeni vrimë ku të futeni. Të armatosen, siç armatosen amerikanët”.
Ja pra për turp të kësaj Qeverie dhe Drejtësie që nuk morën masa kurrë, kjo është deklarata e Sali Berishës “pa pushtet”, që bënte thirrje për të vrarë policët dhe inspektorët e OSSHEE dhe IKMT kur shkonin për të prerë lidhjet e paligjshme të energjisë apo rrafshuar ndërtimet pa leje.
Pastaj llogarisni protestat më hunj e zjarre ku rrinte me maskë në mes të gazit veç për t’i dhënë zemër djegies së institucioneve. Apo konsideroni faktin se djegien e mandateve e propozoi publikisht po ai vetë, shumë muaj para Lulzim Bashës, akt ky i dënuar nga SHBA dhe BE dhe që i shkatërroi PD & LSI.
Çuditërisht, ky politikan që sot thotë se kurrë në 8 vite s’e ka diktuar Lulzim Bashën, tundte Kuvendin në emër të opozitës, në dualitet të plotë me kreun e PD. A duhet besuar se këto qëndrime të shprehura me vrer dhe shoqëruar me stërkala pështyme nuk ndikuan fare tek opozitarizmi i këtyre 8 viteve?
Sot, Sali Berisha po shkëputet pak e nga pak nga gjyqi në Paris duke e paraqitur betejën e tij sikur e kishte zanafillën kundër lidershipit të PD, dhe jo kundër SHBA. Ai kërcënon së fundmi se nëse Lulzim Basha s’ia liron zyrën brenda 5 janarit, në datë 8 do t’ia marrë më dhunë. Berisha ende s’e kupton se edhe pa pushtet bën zullume, pikërisht sepse fatkeqësisht ka ata ‘kamikazët’ që i shkuan tek “Air Albania”. Por s’kupton as që Amerikës nuk i duhet ofiqi i tij në letra për të parë kush i hedh zjarrit benzinë me të dyja duart, mundësisht edhe me këmbë, me apo pa Bashën shok partie.
Ia ke *r Ardit me kete shkrim. Hallall
Përgjigju