Politikë

Përballja e kësaj të diele, betejat më epike mes kandidatëve në 12 qarqet! Zonat e nxehta Elbasani, Durrësi dhe Vlora

25 Prill 2021, 06:57| Përditesimi: 25 Prill 2021, 07:47

  • Share

Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, përpos fituesit që do të qeverisë Shqipërinë deri në 2025, do të përcaktojë edhe fituesit e përballjeve të forta në 12 qarqet e vendit. Partia Socialiste, e cila kërkon mandatin e tretë dhe vazhdimësinë e punës 8-vjeçare, si dhe Partia Demokratike, që kërkon ndryshimin dhe rikthimin në pushtet, kanë vendosur në krye të betejës zgjedhore në 12 qarqet e vendit, figurat më potente politike dhe më me peshë elektorale, për të maksimalizuar numrin e mandateve. Nga ana tjetër, LSI-ja lufton për të marrë një numër të caktuar mandatash, me qëllim që t’u imponohet dy partive të madhe, për t’u bërë pjesë e qeverisë së re.

Elbasan

Në Elbasan përballja e fortë po zhvillohet mes Taulant Ballës së PS dhe Gazmend Bardhit të PD. Taulant Balla është deputet që nga viti 2005 dhe kryetar i grupit parlamentar të PS-së, ndërsa për Bardhin, ish-ministri teknik i PD-së në krye të drejtësisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, kjo është sfida e parë e rëndësishme elektorale. Balla është vendosur i teti në listë, ndërsa Bardhi i pari në listën e PD-së. Lisën e LSI-së e kryeson, Monika Kryemadhi. Në 2017, në Elbasan, PS ka marrë 7 mandate, PD 3 dhe LSI 2 mandate.

Durrësi

Durrësi është shndërruar në epiqendrën e betejës elektorale të 25 prillit. Në ballë të betejës për PD-në janë Edi Paloka, Agron Duka, Oerd Bylykbashi dhe Ferdinand Xhaferi. Në krye të fushatës së LSI-së janë Elona Guri, Bahri Shaqiri dhe Shemsi Prençi. Nga ana tjetër, në Durrës kandidon kryeministri Edi Rama, i renditur i teti në listë, duke vendosur kështu edhe objektin elektoral. Në 2017, PS-ja në Durrës mori 8 mandate, LSI 2 dhe PD 4 mandate. Lista e PS kryesohet nga ministrja e Bujqësisë, Milva Konomi, ndërsa në krahun e PS-së ka kaluar një nga figurat kryesore të LSI në Durrës, Lefter Koka.

Vlora

Në Vlorë, ish-kreu i KLSH-së Bujar Leskaj dhe Fatjon Veizaj janë dy figurat kryesore të PD-së, të cilët kanë përballë Damian Gjiknurin. Nga ana tjetër, lista e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kryesohet nga Luan Rama. Beteja në Vlorë merr një tjetër peshë pasi kandidon edhe kryeministri Rama, i renditur i teti në listë. Në zgjedhjet e 2017, në Vlorë PS mori 8 mandate, LSI 1 dhe PD 3

Dibër

Në Dibër, figura kryesore e PD-së është Xhelal Mziu, tre herë krybashkiak i Kamzës. Fillimisht, përballë Mziut PS-ja vendosi Olta Xhaçkën, por me zhvendosjen e Xhaçkës në Korçë, pesha e udhëheqjes së fushatës i mbeti Lavdrim Krrashit, pjesë e prurjeve të reja dhe rinovimit të PS në këto zgjedhje. Përballja vijon në Mat, pjesë e Qarkut të Dibrës, mes dy zonjave, Dhurata Çupit të PD-së dhe Autora Marës së PD-së. Në 2017, në Dibër, PS mori 2 mandate, PD 2, LSI 1 dhe PDIU 1. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Dibrës i është hequr një mandat, duke ia shtuar Tiranës.

Shkodër

Në Shkodër pesha kryesore elektorale në krahun e PS është mbi Paulin Sterkajn, Ilir Beqjan dhe Benet Becin, të cilët kanë përballë Helidon Bushatin nga PD dhe Agron Çelën nga LSI-ja. Në Shkodër, pjesë e betejës elektorale janë edhe Tom Doshi dhe Jozefina Topalli, të cilët luftojnë për t’u bërë pjesë parlamentit të ardhshëm. Në 2017, PD ka marrë 5 mandate, PS 4, LSI 1 dhe Tom Doshi 1.

Lezha dhe Kukësi

Në Lezhë Lulzim Basha ka rikthyer Mark Markun, i cili ndiqet nga analisti Agron Gjekmarkaj. Ndërsa Rama vijon t’i besojë Lindita Nikollës, ish-ministre e Arsimit. Në 2017, në Lezhë PD dhe PS kanë marrë nga 3 mandate, ndërsa LSI 1 mandat. Ndërsa në Kukës përballja zhvillohet mes Petrit Malajt në krahun e PS-së dhe Flamur Hoxhës nga PD. Lufta bëhet për tre mandate. Në 2017, në Kukës, PD mori 2 mandate, ndërsa PS 1 mandat.

Fier

Peshën kryesore të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit 2021, në krahun e PS-së në Fier, e ka Gramoz Ruçi, deputet në të gjitha legjislaturat. Lista kryesohet nga Erion Braçe, sot zëvendëskryeministër, i ndjekur nga Petro Koçi, ish-ministër dhe deputet i PS. Ndërkaq, Lulzim Basha u ka besuar fushatën në Fier, ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Luan Baçit dhe Agron Kapllanajt. Listën e LSI-së në Fier e udhëheq kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi, e ndjekur nga Kejdi Mehmetaj. Në zgjedhjet e 2017, nga 16 mandate në total, PS ka marrë 10 mandate, PD 4 dhe LSI 2.

Gjirokastër

Në Gjirokastër, Mirela Kumbaro, e ndjekur nga Laert Duraj dhe ministri i Brendshëm Bledar Çuçi në krahun e PS-së përballen me Tritan Shehu dhe Roland Bejko të PD-së. Në Gjirokastër, LSI-ja i ka besuar fushatën Vangjel Tavos, i cili kryeson listën. Në 2017, në këtë qark PS ka marrë 3 mandate, ndërsa PD 1 dhe LSI nga 1 mandat. Në zgjedhjet e 25 prillit, nga Gjirokastra do të të dalin jo 5, por 4 mandate.

Berati

Në Berat, në krye të betejës së PD-së është Tomor Alizoti, i cili ka përballë ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi si dhe ish-ministri e LSI, Nasip Naçon, që kaloi disa javë më parë në krahun e PS. Nga ana tjetër, lista e LSI në Berat kryesohet Ardit Çela. Në 2017, në Berat, PS ka marrë 4 mandate, LSI 2 dhe PD 1.

Korça

Betejën në Korçë, Edi Rama ua ka besuar ministrave Niko Pelshi dhe Olta Xhaçka, të ndjekur nga Ilirian Pendavinji dhe Blerina Gjylameti. Katër figurat e PS kanë përballë Edmond Spahon dhe Ervin Salianji të PD, si dhe Endrit Braimllarin nga LSI. Në 2017, PS ka marrë 6 mandate, PD 4 dhe LSI 1.

Tirana

Asnjëra nga të tre partitë nuk ka një personazh konkret që mban peshën kryesore të betejës elektorale në kryeqytet. Nga Tirana, në 25 prill, do të dalin 36 mandate. Në 2017, ishin 34 mandate, nga të cilët 18 i mori PS-ja, 11 PD dhe 5 LSI-ja. Lulzim Basha ia ka besuar drejtimin e fushatës në Tiranë ish-zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushajt. Ndërkaq, Flamur Noka, Grida Duma, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Agron Shehaj, Orjola Pampuri dhe Aldo Bumçi, po drejtojnë fushatën në zona të ndryshme të Tiranës. Në këtë fushatë, në krah të PD-së janë angazhuar edhe aleatët Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Mesila Doda dhe Dashamir Shehi.

Nga ana tjetër, në krye të fushatës së PS-së në Tiranë janë figurat kryesore të kësaj partie si Elisa Spiropali, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Ervin Bushati, Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj, Ulsi Manja, Etilda Gjonaj, Belind Balluku, Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj, Fidel Ylli, Mimi Kodheli, Eduard Shalsi etj. Në këtë fushatë, në kah të PS-së, është angazhuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Lista e PS në Tiranë kryesohet nga Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, lista e PD-së nga Lulzim Basha dhe Jorida Tabaku, ndërsa lista e LSI-së nga Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho, Petrit Vasili dhe Kaljda Gjosha.

Ndërkaq, në Tiranë, për të thyer herësin si pjesë e listës së PS-së luftojnë edhe Halit Valteri, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini. Sa i takon përballjes nëpër zona të Tiranë, Elisa Spiropali po mbulon Kamzën dhe Paskuqanin ku përballë ka Flamur Nokën e PD-së si dhe Përparim Spahiun e LSI-së.

Përballja tjetër zhvillohet mes Pandeli Majkos së PS dhe Agron Shehajt të PD-së në njësinë pesë në Tiranë. Shehaj drejton fushatën e PD-së edhe në njësinë 7, ku përballë ka Etilda Gjonajn nga Partia Socialiste. Belinda Balluku e PS po mbulon fushatën në Kombinat, ku përballë ka Belind Këlliçin, i cili mbulon zonën e Vaqarrit.

Fatmir Xhafaj i PS-së është fokusuar në këtë fushatë në njësinë nr. 10 në Tiranë, ku përballë ka Jorida Tabakun nga PD, e cila përpos njësisë 10, ka mbuluar edhe njësitë 2 dhe 3. Mimi Kodheli është angazhuar në njësinë 13, duke pasur përballë gjithashtu Belind Këlliçin. Ervin Bshati i PD-së është përballur me Alfred Rushajn e PD në njësinë numër 8 në Tiranë. Alfred Rushaj është angazhuar në njësinë numër 4 në Tiranë, ku përballë ka Arben Ahmetajn e PS-së. Ermonela Felaj e PS ka mbuluar njësinë 12, ku përballë ka Aldo Bumçin e PD-së, i cili është angazhuar edhe në njësitë 12 dhe 14.

 

 

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?