Gjykata e Lezhës ka lënë në burg tre të rinjtë që u kapën duke shpërndarë kokainë, dy prej të cilëve akuzohen edhe për përdhunimin e një 15 vjeçareje. Indrit Puka, 20 vjeç, i dënuar më parë për drejtim të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike, Armando Gega, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Klevisian Toni, 20 vjeç u njohen më masen e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Pasi u njoh me provat dhe dëgjoi palet gjyqari Ilir Përdeda, e vlersoi të ligjshem arrestimin e tyre dhe vendosi masen e sigurisë "Arrest në Burg" për tre të rinjtë. Indrit Pula, Armando Gega dhe Klevision Toni u arrestuan të premten nga policia e Lezhës, pasi bazuar në inteligjencën informative se shpërndanin lëndë narkotike, të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari, shërbimet e Policisë kanë ushtuar kontroll në këtë banesë dhe si rezultat, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një pako të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, të gatshme për shitje, 1 peshore elektronike, 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme. Në momentin e kontrollit, 16 vjeçari, në banesën e të cilit u gjetën sendet e kundërligjshme, nuk është gjetur aty dhe është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni rezultoi se Indrit Puka dhe Armando Gega, në banesën e 16-vjeçarit, kishin kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase të mitur 15 vjeçe, e cila është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe në prani të prindërve, psikologut dhe avokatit, ka bërë kallëzim për këta 2 shtetas. Për shtetasit Indrit Puka dhe Armando Gega, janë ngritur akuzat "Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç" dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, ndërsa në ngarkim të shtetasve Klevisian Toni dhe të 16-vjeçarit, janë ngritur akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".