Përgjegjësitë e Bashës, për dezintegrimin e listës pritëse

1 Mars 2019, 20:28| Përditesimi: 1 Mars 2019, 20:29

  • Share

Ajo që po ndodh me mandatet në pritje të opozitës, nuk është një histori që vlen për të zgjidhur krizën e sotme politike, shkaktuar nga djegia e mandateve, por vlen për të kuptuar pse opozita përfundoi tek kjo krizë.

Në atë histori nuk kanë rëndësi teknikalitetet dhe Basha apo kushdo tjetër nuk mund ta mbajë listën në këmbë me truke administrative apo deklarata pa vlerë. Lista e opozitës mbahet në këmbë me integritetin e vendimit politik, dhe plasaritja e saj reflekton problemet e lidershipit të opozitës.

Secili prej atyre që ka firmosur se nuk e merr mandatin, mund ta marrë ditën që i vjen thirrja nga KQZ dhe plotëson formularin e dekriminalizimit, pasi askush nuk mund të heqë dorë paraprakisht nga një mandat që nuk e ka marrë.

Legjenda se nga PD akoma nuk ka deklarata që do të marrin mandatet është gënjeshtër, pasi ka shumë prej listës së PD, që mezi po e presin t’u shkojë letra e KQZ-së.

Por e theksoj që kjo nuk është se ka rëndësi për Parlamentin, apo shumicën. Ky është vetëm një tregues i rëndë i mungesës së frymëzimit politik të opozitës.

Pikësëpari, degradimi i listës pritëse tregon se sa klienteliste dhe e përciptë ka qenë vendimarrja për djegie mandatesh, përderisa nuk ka mundur të jetë bindëse as për listën e deputetëve. Ai vendim është marrë në një rreth të ngushtë mes Berishës e Metës dhe është përcjellë si urdhër lufte, që duket se nuk ka bindur as të vetët.

Dhe problemi nuk zgjidhet duke i deklaruar të përjashtuar ata që marrin mandatet, nëse hartuesi i listës nuk merr përgjegjësi për atë.

Ai nuk mund të jetë dy herë i fituar dhe kur bën listë klienteliste dhe humbet, dhe kur i dezintegrohet lista në betejën e parë.

Dhe kjo nuk është ndonjë fuqi e pushtetit, pasi pushtetit nuk i duhen ato mandate. Kjo është një dëshmi që tregon problemin e lidershipit të opozitës.

Dhe problemi i lidershipit të opozitës kuptohet më mirë kur shikon se çfarë ka të përbashkët mos djegia e mandatit nga dy deputetë me identitet politik që kanë refuzuar djegien e mandatave, Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari, dhe listës pritëse në tërësi anonime.

Të dyve u është përgatitur përjashtimi nga PD, Murrizit për të disatën here, dhe Rudinës, po të llogarisësh dhe përjashtimet e babait, për të tretën herë. Tani nëse për këta të listës që presin të marrin mandatetet, mund të ketë akuza si anonimë, akuza që në fakt i duhen bërë Bashës, për këta të dy akuza është që janë më të njohur se ç’duhet.

Por në fakt, e vetmja gjë që i bashkon këta që kanë identitet, me ata që janë në listën pritëse dhe nuk i njohim akoma, është fakti që nuk besojnë tek Luli. Këta nuk besojnë se kanë personalitetin e tyre, ata nuk besojnë, se Luli i ka tallur kur i ka vënë në lista. Pra, në kulmin e aksionit opozitar, problemi real që ka opozita, është se tek Luli besojnë vetëm ata që Luli u ka dhënë diçka konkrete dhe i gënjen se do t’ua japë prapë.

Të tjerët, si ata që kanë hyrë me emrin e tyre, dhe ata që i ka futur si mbushës topi, thjesht nuk janë gati të sakrifikohen për të. Dhe kjo është akuzë reale për opozitën, jo ato fyerjet, apo përpjekja për të bllokuar dezintegrimin e listës me deklarata qesharake që depozitohen në KQZ, dhe nuk kanë asnjë pikë vlere.

Një parti që beson se po bën një aksion politik me djegien e mandateve, bën aksion politik, nuk merret dhe me truke juridike e administrative. Ajo ka shpallur një qëndrim të saj dhe kush e mbështet, e mbështet vetë, nuk ka nevojë ta pengosh me firma e deklarata pa asnjë vlerë. Ata që nuk të mbështesin në këtë aksion, e gjejnë vetë mënyrën se si të sqarojnë pozicionin e tyre.

Opozita ka deklaruar se ky është aksion politik dhe si i tillë, ai nuk ka nevojë të përforcohet me truke banale. Se thjeshtë e dëshmon dhe më shumë pasigurinë dhe pafuqinë për të frymëzuar me fjalë dhe vepra./ TEMA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?