Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Përgjigja e SHBA-ve ndaj Rusisë, asnjë ndryshim për NATO-n apo Ukrainën

27 Janar 2022, 19:53| Përditesimi: 28 Janar 2022, 12:29

  • Share

Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë kërkesat e Moskës lidhur me zgjerimin e NATO-s dhe tërheqjen e trupave nga Evropa Lindore si të panegociueshme, duke kërkuar nga Rusia që të tërheqë forcat e saj nga kufiri me Ukrainën.

Uashingtoni i ka propozuar dialog Moskës për çështje si stërvitjet ushtarake, transparenca, dhe vendosja e raketave. Sekretari Blinken e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në politikën e dyerve të hapura të NATO-s për anëtarët e rinj.

Ndërsa Rusia po vendos më shumë trupa dhe pajisje në Bjellorusi dhe në kufirin e saj me Ukrainën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë përgjigjen me shkrim Moskës, siç kishin premtuar.

“Përgjigja përcakton një rrugë serioze diplomatike përpara nëse Rusia zgjedh një rrugë të tillë. Dokumenti që kemi dorëzuar përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe partnerëve tanë në lidhje me veprimet e Rusisë, që minojnë sigurinë, jep një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve që Rusia ka ngritur dhe propozimin tonë për zonat ku mund të jemi në gjendje të gjejmë gjuhë të përbashkët", tha sekretari Blinken.

Blinken u pyet nëse kishte ndonjë lëshim për Rusinë në dokumentin lidhur me politikën e dyerve të hapura të NATO-s për anëtarët e rinj të mundshëm, si Ukraina.

“Së pari, nuk ka asnjë ndryshim. Nuk do të ketë asnjë ndryshim”.

Të martën, presidenti Joe Biden tha se do të ishte i hapur për të sanksionuar personalisht presidentin rus Vladimir Putin nëse ai pushton Ukrainën. Të mërkurën, Sekretari Blinken e shtjelloi më tej këtë mundësi.

“Hapat që ne do të ndërmarrim, do të shkojnë drejtpërdrejt në gjërat për të cilat presidenti Putin interesohet më shumë, përfshirë aftësinë e Rusisë për t'u angazhuar ekonomikisht dhe financiarisht, mundësinë e saj për të zhvilluar teknologjinë për sektorë të tillë si mbrojtja dhe teknologjia e lartë. Siç tha presidenti, gjithçka është në tryezë dhe s’mund të them asgjë më shumë se kaq”, shtoi sekretari Blinken.

Kremlini tha të mërkurën se vendosja e sanksioneve personale ndaj Presidentit Putin nuk do të kishte asnjë efekt dhe do të ishte kundërproduktive në përpjekjet për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Por disa analistë nuk janë dakord. Ata thonë se shkëputja e Moskës nga sistemi SWIFT, një rrjet i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën, mund të jetë përgjigja që Moska i trembet më shumë.

“Nëse Rusia përjashtohet nga sistemi SWIFT, siç bënë amerikanët me Iranin, kjo do ta kthejë ekonomikisht Rusinë në një epokë të errët. Kjo është një mundësi reale dhe është diçka që po diskutohet në Uashington. Dhe pastaj përtej kësaj, do të ishte krejtësisht e arsyeshme të bllokoheshin pasuritë e oligarkëve të Putinit, atyre që po mbajnë paratë e tij për të, duke i ngrirë ato në të gjithë botën”, thotë Bill Browder, themeluesi i Fushatës Globale Magnitsky.

Me njoftimin e Rusisë për stërvitje të reja ushtarake të mërkurën në rajonin e Rostovit në kufi me Ukrainën, një zyrtar i lartë amerikan i sigurisë tha se një pushtim rus do të sillte sanksione që do të përfshinin kufizime të eksportit të pajisjeve të teknologjisë së lartë amerikane në sektorët e inteligjencës artificiale, informatikës kuantike dhe hapësirës ajrore./VOA/

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?