Përhapja e COVID, ushtria britanike dërgon 200 trupa për të mbështetur spitalet e Londrës

11 Janar 2022, 07:27| Përditesimi: 11 Janar 2022, 07:30

  • Share

Ushtria britanike ka dërguar rreth 200 trupa për të mbështetur spitalet e Londrës. Ata duhet të punojnë "së bashku me personelin mjekësor për të mbrojtur vendin nga Covid-19”, tha ministri i Mbrojtjes Ben Wallace. 32 ushtarë do të ofrojnë gjithashtu ndihmë për shërbimet e shpëtimit. Dislokimi është planifikuar për një periudhë fillestare prej tri javësh.

Wallace tha gjithashtu se rreth 1800 pjesëtarë të ushtrisë tashmë drejtojnë ambulanca, administrojnë vaksinat e koronas dhe mjekojnë pacientët e shtruar në të gjithë vendin. Ata mund të jenë "krenarë për kontributin e tyre në këtë përpjekje të vërtetë kombëtare".

Një situatë "shumë e vështirë" sipas NHS

Shumë spitale kanë mungesë të personelit për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Omikron të koronavirusit. Kjo ka çuar edhe në sektorin e shëndetësisë në rritje të numrit të sëmundjeve, rasteve të dyshuara dhe fazave të karantinës.

Shefi i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), Matthew Taylor theksoi se kishte mungesë prej disa mijëra punonjësish në NHS. Mbështetja nga ushtria do të ndihmojë, por duke pasur parasysh humbjen shumë më të madhe të personelit, situata mbetet "shumë e vështirë".

Operacionet duhet të shtyhen

"Ne kurrë nuk kemi përjetuar një nivel kaq të lartë të mungesës së personelit", tha Chaand Napaul, president i Shoqatës Britanike të Mjekëve, për Sky News. Dega e kujdesit shëndetësor është nën presion çdo dimër, "por nuk mendoj se dikush që ka punuar në NHS ka përjetuar një nivel të tillë mungese nga kolegët e tij".

Në spitale, operacionet e planifikuara do të shtyhen. "Kjo nuk është normale, dhe kjo është arsyeja pse qeveria duhet të pranojë se NHS është nën presion ekstrem dhe fatkeqësisht mijëra pacientë po vuajnë pasojat e këtij presioni dhe mungesës së personelit", tha Napaul.

Johnson kundër masave më të ashpra

Sipas të dhënave të BBC-së, aktualisht në spitale po mjekohen rreth 4000 pacientë me Covid. Në fillim të dhjetorit numri ishte ende 1100.

Britania regjistroi të martën (04.01) një rekord të ri prej 218.724 infektimesh të reja me koronavirus në 24 orë. Megjithatë, numri i pacientëve me Covid-19 që kanë nevojë për intubim nuk është rritur për momentin.

Kryeministri Boris Johnson kundërshton kufizime më të ashpra për shkak të koronas apo edhe një mbyllje të re. Në vend të kësaj, ai njoftoi se do të lehtësonte rregullat e testimit për njerëzit e infektuar asimptomatikë në Angli për të pakësuar pasojat e numrit rekord të infektimeve./ DW

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?