Në 2005-n Sali Berisha erdhi në pushtet me një listë tërësisht të re, të mbushur me të rinjtë e ardhur nga KOP, mes tyre edhe një emër premtues si Lulzim Basha, juristi i arsimuar në Holandë dhe me disa vite përvojë në shoqërinë civile. Atëherë, ende nuk dihej se Basha do të ishte kryebashkiaku më i përgjumur i Bashkisë së Tiranës, ministri i Brendshëm i 21 janarit, ministri i Jashtëm i shitjes së detit etj. Në 2005-n, ai ishte një thjeshtë një figurë e re që sillte shpresë për ndryshim.
Në 2013-n, Edi Rama erdhi në pushtet duke bërë të njëjtën gjë. Shumë figura historike të PS u lanë jashtë listave, për t’u zëvendësuar nga të rinj energjik dhe premtues, shumë prej të cilëve kanë mbajtur barrën e qeverisjes në 8 vitet e fundit.Në 2021-n, logjika të çon se duhet të ishte PD dhe LSI ata që duhet të sillnin një frymë të re të mirëpritur ndryshimi në politikën shqiptare. Por, jo. PD ka konfirmuar praktikisht të njëjtën listë me të cilën humbi Sali Berisha dhe më pas humbi katër palë zgjedhje Lulzim Basha. Asnjë emër i ri, asnjë ndryshim.
Është një tregues i fortë fakti që të 12 drejtuesit e qarqeve, pa përjashtim kanë qënë të paktën një herë deputetë. Disa prej tyre edhe ministra. Pa përjashtim, secili prej tyre në orbitën e PD që në kohën e Sali Berishës, aq sa duket se ora kthehet pas në 2013-n dhe listat i ka bërë me dorën e tij ish-kryeministri. Tritan Shehu, Flamur Noka, Edmond Spaho, Agron Shehaj, Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi, Aldo Bumçi. Mes tyre, të marrë bashkë bëhen më shumë se 100 vjet në Kuvend dhe gjen një ish-zv/kryeministër e gati plotëson një kabinet të plotë, me ministër të Brendshëm, Drejtësisë, Jashtëm, Kulturës, etj.
LSI pastaj një histori më vete. Një listë të mbushur me emra nën hetim nga SPAK, shumë prej tyre me dosje penale apo dënime të mëparshme, madje nja dy edhe për vrasje.https://shqiptarja.com/lajm/emrat-lista-e-lsise-e-mbushur-me-te-arrestuar-per-vrasje-dhe-njerez-me-dosjes-ne-spak-metakryemadhi-sfidojne-ultimatumin-e-yuri-kim-per-kandidate-te-paster Në zyrën e saj, mbrëmë Yuri Kim do të jetë shastisur nga kjo listë. Po Kryemadhit aq i bën. “SHBA nuk ka punë deri sa nuk ka një dënim nga drejtësia shqiptare”. Tha Kryemadhi dje.
PS, si partia në pushtet duhet të ishte partia që do të konfirmonte ekipin e saj, por në fakt, kur sheh këto lista duket sikur është Partia Socialiste partia në opozitë. Nga 12 drejtues qarqesh, 10 gra. PD ka raportin e kundër, 10 burra. Por, më e rëndësishmja, nga 12 drejtues qarqesh, pothuajse të gjithë persona të nderuar që nuk janë marrë kurrë më përpara në politikë. Nëse PD dhe LSI janë monopol i militantëve dhe interesave, në këto zgjedhje socialistët duket se janë ata që përfaqësojnë më mirë interesin e gjerë të publikut, duke përfshirë në lista djem dhe vajza të rinj, intelektualë, persona me kontribute të spikatura dhe duke lënë në vendet e pasigurta “gardën e vjetër” të partisë.
Kjo është me shumë rëndësi. Për herë të parë, në këto zgjedhje kemi mundësinë që të zgjedhim kandidatët e preferuar. Por, në të vërtetë, lista të hapura ka vetëm në PS. Kjo sepse duke vendosur figurat më të rëndësishme në krye të listës, praktikisht konfirmohet mungesa e garës. Askush nga emrat anonimë të vendosur në vendet e pasigurta të PD, se pastaj tek LSI siç duken punët të gjithë emrat janë të pasigurtë, nuk ka kapacitetin për të tërhequr 10 mijë vota për t’u futur në Kuvend.Ndërsa në PS është ndryshe. Figurat e rëndësishme, vetë Edi Rama, pastaj Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, e kështu me radhë, janë në vende të pasigurta. Ata duhet të punojnë fort që të sigurojnë të fusin veten në Kuvend.
I duhet të konfirmojnë rezultatin e 2017-s ose të bëjnë më mirë që të futen si i fundit i listës ose të tërheqin vota për emrin e tyre për të përmbysur listën.Një koncept tërësisht i ri në politikën shqiptare. Personat me peshë në PS vlerësohen mbi bazë rezultati. Zonjat si Lindita Bozo dhe Najada Çomo, të rinjtë si Greta Duraku apo Edona Bilali, emigranti i cili ka Londrën, Lavdrim Krashi për të kontribuar për vendin e tij e ka të sigurtë vendin.
Prandaj, përmbysja e listave të PS, është njëkohësisht edhe një përmbysje e opozitës. Kjo e fundit, u përmbys këtë herë vetë. Të paktën këtë herë, Rama nuk ka asnjë meritë në këtë përmbysje.Në 25 prill shqiptarët do të votojnë. Të parët, si zakonisht në radhë do të jenë përkrahësit e palëkundur të partive kryesore. Pastaj vijnë qytetarët e zakonshëm, mes tyre të pavendosur dhe ata që duan të shohin një lloj ndryshimi. Dhe për ata që duan pikërisht këtë të fundit, ndryshimin, vota çuditërisht nuk do të orientohet tek opozita, por përsëri tek PS. Në këto zgjedhje, parë nga listat, PS është e vetmja parti që ofron ndryshim.