Lulzim Basha

Përralla e njeriut-integrim, Lulzim Basha!

19 Shkurt 2021, 20:14| Përditesimi: 19 Shkurt 2021, 20:16

  • Share

Një prej aspekteve që kampi demokrat mburret vazhdimisht sa herë jemi në prag të zgjedhjeve, është përmendja prej tyre e liberalizimit të vizave me BE-në dhe e futjes së Shqipërisë në NATO gjatë qeverisjes së PD-së. Kjo gjë është e vërtetë, por po aq i vërtetë është fakti që gjatë këtyre dy proceseve, të cilat ndodhën në vitin 2007 dhe 2009, qeveria “Berisha” nuk pati kurrfarë problematike nga opozita socialiste.

Vlen të theksohet këtu sidomos procesi i pranimit në NATO, që nisi nga marrja e ftesës për anëtarësim më 2 prill 2008 në Bukuresht. Kjo ftesë vinte teksa në Shqipëri, 18 ditë më parë, kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit me 26 të vrarë e qindra të plagosur dhe ku dita- ditës dilnin fakte për implikim në këtë punë të pistë të anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të familjarëve të kryeministrit. Ndërsa pranimi i Shqipërisë në NATO u bë më 2 prill 2009, pra 3 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009.

Po t’i shikosh me vëmendje këto dy ngjarje dhe afërsinë e proceseve që i kanë pasuar, ish-opozita socialiste kishte 1001 arsye që ta bënte lëmsh jetën politike të vendit  me qëllim që të përcillte tek vendet anëtare të NATO-s imazhin e një Shqipërie të papërgatitur për t’u bërë pjesë e asaj familje.

Po të nisemi me strategjinë që zgjodhi PD-ja gjatë kësaj periudhe që qeveris Partia Socialiste, kjo e fundit, kur ishte në opozitë, duhet të kishte braktisur Kuvendin, të sulmonte me bomba molotov kryeministrinë dhe Kuvendin e Shqipërisë, të dërgonte e-mail-e kudo në kancelaritë evropiane duke nxirë vendin dhe qeverinë, e të tjera të këtij lloji.

Nuk e bëri, sepse kur vjen momenti i proceseve integruese, një kryetar opozite nuk mendon sotpërsot, po për perspektivën. Ish-kryeopozitarit Rama nuk i prishte punë as liberalizmi i vizave e as anëtarësimi në NATO, bile e ndihmonin shumë, pavarësisht se këto dy momente i shtonin disa pikë në elektorat palës kundërshtare.

Them që e ndihmonin, sepse një lider i pozitës me vizion largpamës teksa tenton që të vijë në pushtet, e ka një hall më pak në agjendën e punëve të tij ditore nëse një proces integrues e gjen të përmbushur. Pra, kur Edi Rama erdhi në krye të qeverisë në shtator 2013, nuk kishte përse të harxhonte kohë e energji as me liberalizmin e vizave e as me anëtarësimin në NATO, sepse ai i gjeti fakt të kryer. Kësisoj fokusi qeverisës u drejtua për nga çelja e negociatave me BE-në për t’u anëtarësuar në këtë familje të madhe evropiane.

Nga ana e saj, PD-ja dhe lideri i tyre dritëshkurtër, duke menduar sotpërsot, me një xhelozi të dukshme, bënë çmos që ta pengojnë këtë proces kaq madhor për vendin. Sa herë që Shqipëria bëhej gati për çeljen e negociatave, Lulzim Basha dhe partia e tij do të tensiononin jetën politike të vendit. Me braktisjen e institucioneve, me vandalizmat ndaj dy godinave kryesore të vendit dhe sidomos me e-mail-et e turpshme që u dërgonin miqve të tyre që i kanë aleatë në Partitë Popullore duke vjellë vrerë për Shqipërinë, ia arritën që të krijojnë skepticizëm të shtuar përmbi skepticizmin tradicional që kanë disa vende të BE-së.

Dërgimi i e-mail-ave ishte forma e fshehtë, jashtë syve të publikut, por ata e bënë edhe haptas propagandën kundra integrimit. Rasti më tipik për ilustrim është ai i nëntorit 2016 në Bruksel, me protagonist absolut Aldo Bumçin, i cili bëri një luftë prej kamikazi kundër Shqipërisë në Parlamentin Evropian.

Duke qenë se pas 6 muajve në Shqipëri zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare, opozita nuk mund t’ia pranonte mazhorancës socialiste këtë “medalje” në fushatë. Dhe Aldo e luajti bukur (për turpin e tij e të partisë që përfaqësonte) rolin që i ishte ngarkuar. Por për një evropian është e vështirë të kuptojë që Partia Demokratike e do integrimin e Shqipërisë në BE, por nuk do që kjo të ndodhë kur në pushtet është Partia Socialiste.

Vetëm një lider opozite që, ose e sheh pushtetin larg ose nuk e sheh fare atë, mund t’i bëjë vendit një dëm kaq të madh. Vërtet që qeveria “Rama” do kishte fituar disa pikë në elektorat, po e çfarë pastaj! A nuk fitoi po kështu pikë Berisha në 2009 duke e bërë gjithë fushatën NATO- NATO?! A nuk ishte po ky Berishë dhe partia e tij që pas 4 vitesh ranë nga pushteti?

Avancimi i vendit drejt familjes evropiane nuk duhet kurrsesi t’u errësonte vizionin liderëve të opozitës së sotme, sidomos asaj që pretendon pushtetin. Ashtu siç Rama shijoi frytet e të gjeturit gati të liberalimit të vizave e të anëtarësimit në NATO, edhe Lulzim Basha, po ta sjellë elektorati në pushtet në zgjedhjet e 25 prillit, do ta gjente të gatshme çeljen e negociatave.

Vetë BE-ja nuk e ka më atë entuziazëm që kishte dikur për t’u shtrirë drejt Ballkanit Perëndimor. Në disa prej vendeve anëtare të BE-së po vijnë (ose janë) në fuqi qeveri skeptike të këtij procesi. Shumë prej kryeministrave që ishin promotor të zgjerimit të BE-së, ose nuk janë më në qeveri, ose janë drejt largimit nga skena politike.

Djegia e këtyre etapave duke mos shfrytëzuar kohën e paçmuar që ikën e nuk vjen më, është një dëm që do ta ndjejmë në vitet e ardhshme. Koha që humbi Shqipëria prej stërkëmbësave që i vuri Partia Demokratike me politikat e saj të rrugës, vetëm e vetëm që qeveria “Rama” mos kishte meritë në integrimin evropian, duhet t’i kthehet si ndëshkim elektoral në zgjedhjet e 25 prillit. Le të jetë ky edhe një mësim, se si duhet ta bëjë opozitën gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Durres: 20/02/2021 22:34

    Po te lexosh kolonjarin, tipik votus i pd ! Ja kan arritur asaj qe donin pd !! Injoranza nuk ka brirë!

    Përgjigju
  • Endri: 20/02/2021 15:18

    PD eshte parti e familjes Berisha. Nuk ka lidhje me asnje arritje

    Përgjigju
  • Mali: 19/02/2021 22:10

    Shyqyr qe kemi udheheqesin legjendar se me keqqeverisjen e opozites keto vitet e fumdit kushedi ku do ishim. Edhe vendet e tjera duhet te marrin shembullin tone dhe te demaskojme keqqeverisjen e opozitave respektive. Asgje nuk ka bere opozita jone, asgje. Por zoti lart shikon dhe ndaj na ka derguar udheheqesin, poliglotin e gjithdijshem dhe gjithanshem.

    Përgjigju
    • Kolonjari: 20/02/2021 17:31

      Bravo Mali.E gjete. Te na rroje sa malet udheheqsi i partise. Nga fitorja ne fitore. D.m.th opozita e ka fajin per cdo gje! Kush i liberarizoi vizat qe vene shqiptaret ku te duan? Kush na futi ne Nato? Po ky piktori cfar beri? Per 8 vjet na e shpuri Shqiperine ne lindje. Votoni prap piktorin me ca vajzurina ministre dhe do shkojme nga fitorja ne fitore.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?