Lajmi se po nis procesi konsultimeve për të zgjedhur Presidentin e ri- pas datës 1 prill më shumë duket si inerci i ditës ndërkombëtare të gënjeshtrave se një njoftim që duhet marrë seriozisht.
Në historinë e pluralizmit në Shqipëri vetëm një kryetar shteti është zgjedhur me konsensus: Alfred Moisiu në vitin 2003. (Arsyeja ka qenë teprimi me vjedhjet e votave të shumicës socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001).
Çdo tentativë për konsensus më tej ka qenë vetëm konsum mediatik. Pas takimeve të shumta dhe dhjetëra lajme për negociatat, shumica në Parlament ka zgjedhur presidentin që ka dashur. Kështu do të ndodhë edhe këtë herë.
Alfred Moisiu ishte i vetmi nga 6 presidentët e zgjedhur që nuk ka qenë njeri politik dhe i vetmi që pas lënies së postit nuk pati ëndërr të bëhej kryetar partie.
Z. Berisha pasi u bë President – u rikthye kryetar partie. Z. Mediani, pas postit të kryetarit të shtetit u fut në garë për t’u bërë kryetar partie. Z. Topi, pasi mandatit Presidencial krijoi dhe kryesoi parti politike. Z. Nishani- pas mbarimit të mandatit – ka vijuar aktivitetin politik. Dhe presidenti në detyrë pas 24 korrikut, në fjalët e tij, mezi pret t’i kthehet politikës aktive, me shumë gjasë si kryetar partie.
Posti i Presidentit të Republikës në Shqipëri nuk ka qenë posti fundor i karrierës së një politikani, por trampolinë për t’u bërë kryetar partie!
Partia Socialiste i ka votat për të zgjedhur kryetarin e ri të shtetit. Nuk ka nevojë të bëj spektakël sikur po digjet e zhuritet për zgjedhur një figurë konsensuale.
Ashtu si shumicat e mëparshme edhe kjo shumicë ka vetëm një detyrë të thjeshtë: të zgjedhë kë mendon se është më i miri/e mira me kusht që mëpas, të mos kërkojë falje. Falje po kërkon PS- (rasti Meta) “falje” ka kërkuar dhe PD-në (rasti Topi)
Do të ishte ideale që kryetari i ardhshëm i shtetit të përfaqësonte unitetin e popullit, – çka është edhe kërkesë e Kushtetutës.
Po cili do të jetë profili i Presidentit të Republikës?
Këtë do ta vendosë shumica në Parlament dhe më konkretisht kryeministri.
Zgjedhjet e mëparshme të kabinetit tij kanë patur gjithmonë si emërues të përbashkët: befasinë: kabineti me figura jo politike; kabineti me moshën më të re të minsitrave; kabineti me shumicë zonjash; kabineti që ka si anëtar qeverie zonja dhe zotërinj nga Kosova.
Befasitë e kryeministrit shkojnë edhe tek emërimi në poste ekzekutive apo si ambasadorë të figurave të njohura politike të kampit tjetër.
Ideve ekstravante për një kryetar shteti nga diaspora, nga Kosova apo një figurë që jeton dhe punon jashtë- mbeten vetëm llafe kafenesh sa kohë që Kushtetuta është e qartë: “mosha 40 vjeç; shtetas shqiptar që nga lindja me qëndrim jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri”.
A do të jetë Presidenti i ardhshëm një befasi? Një zonjë? Një figurë nga kampi tjetër? Apo thjesht një kukull? (dhe kjo është befasi për të cilën duhet të jemi të përgatitur.) Ne kemi ndenjur 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese nuk u bë qameti po të rrimë edhe 5 vjet pa “President”.
A do të jetë presidenti i ri një figurë që rrezaton qetësi në vend dhe përfaqësim dinjitoz jashtë?
Këtyre pyetjeve do t’i jap përgjigje vetëm një njeri:- kryeministri.
Si rregull liderët e kanë të vështirë të zgjedhin një lider.
Këtë radhë në vend të konsensusit le të lutemi që pasi ta zgjedhin, këdo që të zgjedhin- në fund të mos kërkojnë falje!