Papa Françesku

Përse bëhen spekulime për gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut?

8 Korrik 2022, 09:12| Përditesimi: 8 Korrik 2022, 09:15

  • Share

Një vit më parë Papa Françesku u operua në zorrë. Ka muaj që e përditshmja e tij karakterizohet nga dhimbjet në gju. A do të njoftohet në fund të verës dorëheqja e tij nga pontifikati?

Ipeshkvit të Augsburgut iu dëgjua zëri kohët e fundit. Të premten (01.07) Bertram Meier, ishte për vizitë tek Papa Françesku në Vatikan. Në fund të vizitës ai tha për agjencinë katolike të lajmeve (KNA) se nuk pa që 85 vjeçari të ishte i lodhur në detyrë. “Ai ishte në gjendje të mirë si nga fiziku ashtu edhe nga gjendja shpirtërore, kishte shumë humor dhe nuk ishte fare i lodhur.” Papa nuk përdori karriken e invalidit, por vetëm shkopin.

Por është një gjë kur një punonjës, në këtë rast Ipeshkvi, tregon për gjendjen shëndetësore të eprorit të tij. Në këtë rast nuk pritet ndonjë mendim i distancuar. Le të jetë Papa një nga klerikët më të mëdhenj dhe autoritetet më morale të botës, ai ndodhet në krye të një sistemi absolutist. Por, gjendja e tij shëndetësore është kthyer në temë prej një farë kohe. Të paktën që kur një vit më parë, më 4 korrik 2021, raportuesit e Vatikanit morën papritur njoftimin se Françesku është operuar në një klinikë, nën narkozë të plotë, në zorrë.

Kur iu pre oreksi i mirë

Atë ditë vere, Papa u lut paradite në dritaren e Pallatit apostolik para mijëra besimtarëve që ndodheshin në Sheshin e Shën Pjetrit, siç është zakon të dielë për të dielë. Në fund ai iu lut njerëzve duke thënë në gjuhën italiane “Non dimenticate di pregare per me” / “Mos harroni të luteni për mua “. Nuk u tha shprehja e zakonshme me të cilën italianët janë mësuar “buon pranzo” / “Ju bëftë mirë “, gjë që ishte e pazakontë.

Orë më vonë, një tweet i drejtorit të sallës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, tronditi korresponentët e mbledhur rreth Vatikanit, që quhen zakonisht “vaticanisti”, dhe besimtarët në gjithë botën. Në të ai informonte shkurtimisht për operacionin.

Bruni kërkonte që njerëzit të qetësoheshin, duke thënë se operacioni kishte qenë “i planifikuar”. Orë më vonë pasoi informacioni, që thoshte se Papa kishte reaguar mirë ndaj trajtimit. Operacioni kishte të bënte me një vend të infektuar në paretet e zorrëve. Megjithatë: Gazetarët aktualizuan nekrologjitë e përgatitura për kreun e kishës.

Mbas 11 ditësh Françesku u kthye në Vatikan. Gati dy muaj më vonë ai bëri të qartë në intervistën e tij të zakonshme, Plauder, se operacioni në zorrë duket të ketë qenë më serioz se sa u mendua fillimisht. “Një infermier më shpëtoi jetën,” tha për një stacion spanjoll, Papa që vjen nga Argjentina.

Një nga papët më të moshuar në histori

Po tani, një vit më vonë? Ka dy muaj që bota pa imazhet e Papës në karrigen e invalidit. Më 5 maj ai pati premierën. Arsyet e përmendura kanë të bëjnë me dhimbjet e gjurit. Mjekët ia kanë ndaluar të qëndrojë gjatë në këmbë ose të ecë, shpjegon Françesku. Sipas statistikave, ai është një nga dhjetë papët më të moshuar të historisë së kishës.

Që prej marrjes së postit, Françesku njihet për sjelljen unkonvencionale. Gjatë konferencave të mëdha të Vatikanit, ai u pa shpesh të shkonte në këmbë në vendin e takimit, duke mbajtur në dorë një çantë të vjetër dokumentash. E ecura e tij u rëndua me kalimin e viteve. Kjo është pjesë e moshës së thyer.

Por me shfaqjen e imazheve me karrigen e invalidit, filloi të flitej për gjendjen shëndetësore të Françeskut. Faktikisht ai donte të udhëtonte në Liban në muajin qershor, por për shkak të gjunjëve planet u pezulluan, vizita u shty zyrtarisht.

Për këtë javë ishin planifikuar vizita në Jug të Sudanit dhe në Kongo. Ka vite që ai donte t’i bënte këto udhëtime, së bashku me udhëheqësin e Kishës Anglikane. Mendohej që vizita të ishte një vizitë tek njerëzit më të varfër të zonave të luftës në Afrikë. Tek ata, që Françesku i ka shumë për zemër. Edhe pasi u shfaqën imazhet me karrige me rrota, Vatikani publikoi programin e vizitës, Kongo dhe Sudani Jugor u përgatitën plot entuziazëm.

Tani vizitën e realizon numri dy i Vatikanit

Gati tri javë më parë u mor vendimi që Papa të mos udhëtonte. Zëdhënësi i Vatikanit, Bruni, dha si arsye këshillat urgjente të mjekut; “rezultatet e terapisë” nuk duhet të influencohen. Tani në vend të Papës, përgatitet për këto dy vende numri dy i Vatikanit, sekretari i shtetit, Kardinali Pietro Parolin. Dhe Françesku kremton një meshë plot ngjyra në Bazilikën e Shën Pjetrit, bashkë me të krishterët nga Kongo.

Tani në verën e nxehtë të Romës, flitet më pak për Papën. Në muajin korrik, si zakonisht nuk ka pritje të mëdha për besimtarët. Daljet në publik të Françeskut janë rralluar. Megjithatë plani i takimeve duket original. Ditën e premte (01.07) ai nuk u takua vetëm me Ipeshkvin Meier, por edhe me sipërmarrësin Elon Musk, një nga njerëzit më të pasur të botës. “I nderuar, të jem takuar dje me Pontifex-in “, thoshte në twitter 51 vjeçari. Fotografia që ndodhej në twitterin e tij tregonte Musk me vështrim serioz krah Papës që buzëqeshte, aty pranë katër fëmijët e Muskut.

Ditë më parë, Françesku nuk mori pjesë në një takim të planifikuar prej kohësh, me anëtarët e “International Jewish Committee for Interreligious Consultations”, Komitetit ndërkombëtar hebre për konsultimet ndërfetare. Për shkak të dhimbjeve akute, u bë e ditur. Sidoqoftë u shpërnda teksti i fjalimit të tij me në krye fjalët “Të dashur vëllezër dhe motra më të mëdhenj, shalom!”. Një takim në kalendarin papnor, që sigurisht ishte më relevant se sa takimi me Musk.

Në fund të muajit korrik, Papa do që të shkojë në Kanada, Vatikani nuk e ka anuluar këtë takim. Një udhëtim transatlantik, me katër ngitje dhe katër ulje, takime me indigjenët që kanë vuajtur në institucionet kishtare.

Emërim i kardinalëve të rinj në Romë

Pas pak muajsh, Françesku do të mbushë në post më shumë kohë se sa parardhësi, Papa Benedikt. Për në muajin gusht ai ka në kalendar takime të rëndësishme kishtare.

Më 27 gusht, në një takim të pazakontë, ai pranon 20 klerikë të rinj në të ashtuquajturin Kolekium i Kardinalëve; 16 kardinalë të rinj nuk e kanë mbushur moshën 80 vjeçare, pra në rastin e një konklave të pasardhësit të Françeskut, lejohet që të japin votën. Pranimi festiv i kardinalëve është zhvilluar prej vitesh ose në fund të muajit nëndor ose në fund të muajit shkurt, apo në fillim të muajit mars.

Për 29 dhe 30 mars, Françesku ka thirrur në Vatikan për këshillime të gjithë kardinalët e kishës botërore. Bëhet e ditur se kemi të bëjmë me reformën e kishës. Edhe kuadri i këtij takimi është i pazakontë. Sikur të ishte aq i ri sa ishte me fillimin e Pontifikat-it, Françesku ka planifikuar për 28 gusht, ditën kur pjesa më e madhe kardinalëve të botës ndodhen në Romë, një udhëtim me helikotper në L’Aquila në Abruco. Atje ai do të vizitojë varrin e Papës Coelestin, i cili dha dorëheqjen më 1294 – papa i parë që ka bërë një hap të tillë para Papës Benedikt XVI., i cili zgjodhi të bënte këtë hap në vitin 2013.

Reforma e Kurie-s, e nxitur nga Françesku në vitet e tij në Romë, parashikon për më tepër, që të gjithë klerikët e Vatikanit të qëndrojnë maksimalisht dhjetë vjet në detyrë, dy kohë qëndrimi në post nga pesë vjet. Për këtë ka folur prej javësh Christopher Lamb tek “The Tablet” britanik. Me një rregull të tillë, biografitë e pazakonta shumëvjeçare romane, që nuk kanë lidhje me bazën kishtare do të merrnin fund.

Më 2023 Françesku shënon dhjetë vjet në detyrë

Dhjetë vjet në detyrë – Françesku mund ta festojë këtë në mars 2023. Atëherë ai do të ishte 86 vjeç. Megjithëse të gjithë zyrtarët hedhin poshtë me vendosmëri çdo lloj aludimi për dorëheqjen e tij, prej kohësh janë duke u bërë spekullime nëse Françesku është fizikisht në gjendje të mirë. Në fund të muajit gusht mund të bëhet njoftimi dhe dikur në vitin 2023 të ndodhte dorëheqja. Atëherë do kishim të bënim me një fund vere të nxehtë në Romë.

Me këto spekulime u konfrontua edhe vetë Papa. Ditën e hënë (04.07), në një intervistë me agjencinë Reuters, ai i hodhi poshtë të gjitha spekullimet për dorëheqjen e tij. “Nuk më ka ardhur në mendje një gjë e tillë”, tha ai. Dhe shtoi: “Jo këto momente, këto monente jo. Vërtet.”

Françesku, ka folur shpesh për qëndrimin e tij, sipas të cilit ai mund të japë dorëheqjen një ditë dhe të mos qëndrojë në detyrë gjithë jetën, nëse gjendja shëndetësore nuk i jep mundësi të drejtojë Kishën. Për pyetjen, se kur mund të ndodhë kjo, ai tha: “Nuk e dimë. Zoti do na e thotë.” Koha mund të ketë ardhur. Edhe koha për spekullime të reja. /DW

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?