Sot shteti shqiptar mbush 110 vjet. Çfarë bilanci kemi në këtë një shekull plus një dekadë? Sa duhet të krenohemi në këtë rrugëtim të gjatë? A duhet të kemi edhe turpe gjatë këtij rrugëtimi? Ajo që vlen të thuhet që në fillim është se vërtetë duken shumë vite, por brenda tyre Shqipëria ka hone të tëra që na bëjnë të turpërohemi, por ka edhe maja dhe gurë kilometrikë që na bëjnë të ndihemi krenarë.
1. Në këto 110 vjet shtet shqiptar duhet të krenohemi sepse prej 14 vjetësh kombi shqiptar gëzon edhe një shtet tjetër. Kosova është një realitet dhe shteti i saj as që mendohej disa dekada më parë, ndërsa tani me dy shtete në trojet etnike, kombi shqiptar ka realizuar një mrekulli që sigurisht me ndihmën dhe ekskluzivitetin e SHBA dhe BE, e megjithatë pa impenjimin e shqiptqrëve si në Kosovë dhe në Shqipëri kjo kurrë nuk mund të bëhej realitet.
Shteti shqiptar ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në pavarësimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës dhe tashmë me dy shtete në rajon mund të thuhet se shqiptarët kanë realizuar arritjen më të madhe në histori.
2. Në këto 110 vjet shtet duhet të krenohemi sepse pesha specifike e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është rritur ndjeshëm. Nuk ka asnjë vendim në Ballkan dhe në rajon që të merret dhe të mos jenë pjesë të saj shqiptarët.
Dhe këtu e kemi fjalën shqiptarët e të dy shteteve: të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rëndësia e kësaj vlen nëse krahasojmë situatën aktuale me atë të shumë dekadave më parë që ndaj popullit shqiptar merreshin vendime pa e marrë në konsideratë dhe pa e llogaritur. Tashmë kjo nuk funksionon më.
3. Në këto 110 vite, Shqipëria ëshë bërë një shtet shumë herë më i stabilizuar, i zhvilluar dhe me standarte të rritura të jeteës. Është fat për brezin tonë që jetojmë në një periudhë që vlerësohet si më e mira e të gjitha kohrave dhe viteve në këto 110 vjet shtet. Shqipëria ëshë një shtet demokratik, lëviz i lirë dhe pa viza në kontinent, anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe të qenit pjesë e këtyre organizmave e kanë bërë shqiptarin shumë herë më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Në këto 110 vjet shtet duhet të krenohemi se ndonëse jo në standartet e BE, niveli i jetesës së shqiptarëve është rritur ndjeshëm nëse e krahasojmë atë përgjatë gjithë periudhës së ekzistencës së shtetit. Sigurisht që duhet të ndjehemi të pakënaqur me atë që mund të ishte arritur. Por fakti është se në vitin 2022 shqiptarët jetojnë më mirë se në vitin 2000, se në vitin 1990 dhe sigurisht shumë më mirë se çdo periudhë tjetër që nga shpallja e pavarësisë.
4. Në këto 110 vjet shtet ne duhet të krenohemi për mënyrën se si kemi rezistuar ndaj pushtimeve dhe invadimeve të të huajve. Edhe pse një komb i vogël rezistenca e shqiptarëve ndaj agresioneve serbe dhe greke veçanërisht menjëherë pas shpalljes së pavarësisë na e lartësojnë këtë krenari. Pavarësisht se fati i kombit shqiotar vendosje në sallat moderne të kancelarive evropiane, shqiotarët luftuan me armë në dorë për pavarësinë, mbrojtjen e saj dhe lirinë e shqiptarëve. Krenar na bën sot edhe Lufta e Vlorës në verën e vitit 1920.
Është e vetmja luftë e bërë me bekimin e një qeverie që në atë kohë drejtohej nga Sulejman Delvina, por shqiptarët treguan se donin vendin dhe shtetin e tyre në çdo copë tokë të tij. Na bën të ndjehmi krenar sot rezistenca që shqiptarët kanë ëbrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Falë asaj rezistence, shqiptarët u renditën krahas atyre kombeve që luftuan ndaj Italisë dhe Gjermanisë, dy ushtrive që kishin pushtuar vendin tonë.
Ajo rezistencë është një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë. Çdo përpjekje për ta sfumuar apo minimizuar atë rezistencë është e dëmshme ndaj një sakrifice dhe idealizmi i një brezi. Sigurisht që këtë rezistencë Enver Hoxha dhe komunistën e shfrytëzuan për të instaluar diktaturën komuniste, pork jo nuk mund të hedhë poshtë një rezistencë të atyre të rinjve dhe të rejave me bindje të majta dhe të djathta që lanë shkollat jashtë dhe brenda vendit dhe u rreshtuan në formacionet guerile, apo partizane për të luftuar pushtuesit. Pjesë e rezistencës dhe e luftës për liri është edhe ajo që u zhvillua në vititn 1998-1999 në Kosovë. Shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarë të Kosovës luftuan me armë në dorë për të mbrojtur Kosovën e invaduar nga ushtria serbe duke shënuar pjesën më të lavdishme të historisë së kombit tonë. Një histori që falë edhe mbështetjes së SHBA dhe BE solli krijimin e shtetit të dytë të shqiptarëve.
5. Në këto 110 vjet, shteti shqiptar ka provuar dhe aplikuar si askush shtet tjetër në Evropë të gjitha format e regjimeve. Shqipëria u shpall shtet nën një pleqësi të zgjedhur nga zona dhe krahina të ndryshme më 28 nëntor 1912. U bë principatë nën mbreërimin e një princi gjerman si Ëilhelm Von Ëied. Pas tij Shqipëria u shpall republikë, u shpall republikë presidenciale dhe më pas u shpall mbretëri nën mbretërimin e Ahmet Zogut.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore u pushtua nga dy ushtritë më të fuqishme të kohës pjesë e Boshtit të së Keqes. Pas përfundimit të luftës, për 46 vjet u bë pjesë e kampit lindor të komunizmit dhe përjetoi diktaturën më të egër dhe më çnjerëzore nën drejtimin e Enver Hoxhës. Pas rrëzimit të saj në 1990, Shqipëria u bë një shtet demoratik të cilin e vijon në përpjekje për ta rritur këtë demokraci dhe për t’u bërë pjesë e BE.
Kjo panoramë në fakt tregon paqednrueshmëri dhe një çoroditje të shoqërisë sonë që nuk ka bën të krenohemi. Madje, na bën të turpërohemi. Kaq shumë regjime në 110 vjet shtet nuk i ka kaluar asnjë shtet tjetër në kontinentin evropian. Kjo tregon se sa të brishtë jemi ne shqiptarët për të ndërtuar shtet duke mos krijuar tradita të konsoliduara.
6. Në këto 110 vjet shtet kemi ndërtuar diktaturën më të egër, madje edhe më të gjatën në kontienin evropian, atë të regjimit komunist të Hoxhës. Nga vitit 1944 deri në 1990 Shqipëria ndërtoi dhe kaloi periudhën më të keqe dhe më të rëndë të këtyre 110 viteve shtet. Një periudhë që nëse e zbret nga ditëlindja e shtetit sot, mbeten 64 vjet që janë vetëm 9 vjet më shumë se gjysma. Është një periudhë që na bën të ndjemi vetëm të turpëruar.
Rreth 100 mijë shqiptarë vuajtën në një formë apo tjetër nga ai regjim për bindje politike që nis që nga përndjekjet e deri te pushkatimet, një bilanc që nuk e ka askush në Evropë për numër të popullsisë. Sigurimi i Shteti u kthye në armën në duar të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij duke u kthyer në tmerrin e një shoqërie e cila i vuan edhe sot plagët e shkaktuara prej saj. Deformimi i njeriut, është plaga më e rëndë që shkaktoi sistemi komunist në të cilën jetuan tre breza: ata që kishin marrë pjesë në rezistencën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata që lindën në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe ata që lindën në gjatë sistemit komunsit dhe njohën edhe demokracinë.
7. Në këto 110 vjet shtet duhet të turpërohemi për numrin e popullisë së larguar nga vendi ynë. Janë disa vala të largimeve masive të shqiptarëve që nisin që nga vitet 20-të, gjatë Luftës së Dytë Botërore apo edhe sapo u rrëzua sistemi komunist në vitet 1990-1997. Por turpi ynë më i madh është se vala më e madhe masive në këto 110 vjet shtet është shënuar në 10 vitet e fundit që sipas statistikave janë larguar 700 mijë shqiptarë. Shqipëria duket si ora me rërë dhe e ka bërë vendin tonë më të vogël. Kjo hemoragji është plaga më e rëndë jo vetëm përgjatë kohëve moderne që po jetojmë por për të gjitha kohrave. Sigurisht që shqiptarët janë të lirë të lëvizin nëpër Botë, por kjo zhvendosje masive është pak të themi që kombi ynë po pëson shpopullim. Është një turp ekskluziv i klasës politike shqiptare si të majtë dhe të djathtë që nuk ka krijuar mundësi reale që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.
8. Në këto 110 vjet shtet duhet të turpërohemi që kemi nxjerrë figura dhe drejtues që nuk i janë përgjigjur interesave të popullit dhe nuk kanë përfaqësuar popullin dhe kanë marrë vendime në dëm të popullit. Enver Hoxha që instaloi për 46 vjet diktaturën komuniste dhe që vrau për arsye politike shumë e shumë inteletualë është turpi i turpeve në të gjithë historinë 110-vjeçare. Hoxha është ideatori dhe autori i zhdukjes së një plejade intelektualësh shqiptarë që përpos marrjes së jetës, ata ishin aq të vlefshëm dhe dobishëm për shtetin, shoqërinë dhe kombin. Figura e dytë antikombëtare është ajo e Esad Pashë Toptanit i cili punoi për interesin e vet dhe u ble nga shtete armike ndaj Shqipërisë në dëm të kombit shqiptar.
Përpjekjet për ta rehabilituar figurën e tij janë pothuajse të njëjta me përpjekjet për rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës. Por pas tyre duhet të themi se edhe disa figura politike që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë italianë dhe nazistë gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk në bëjnë krenarë sot.
Ndryshimi më dy figurat e mëparshme është se ky bashkëpunim erdhi pas një kontributi të pamohueshëm që ata kishin dhënë për shtetin dhe kombin shqiptar. Turp është që edhe pas rrëzimit të komunizmit disa politikanë shqiptarë nuk kanë marrë vendimet e duhura për një Shqipëri më të mirë dhe më demokratike. E përzjerë me kontriburte të pamohueshme në këto 32 vjet, në raste të veçanta ata kanë vënë interesat personalë mbi interesat e Shqipërisë.
9. Në këto 110 vjet shtet na bëjën të turpërohemi për mënyrën se si i kemi patur raportet me disa shtete të huaja. Në radhë të parë me SHBA që përgjatë 110 viteve shtet, në 52 vjet prej tyre nuk kemi patur fare marrëdhënie. Madje kjo vijoi gjatë regjimit komunist duke e cilësuar SHBA si armikun numër një në botë. Ky vendim ishte kulmi i turpit të mosmirënjohjes për atë që SHBA kishte bërë ndaj Shqipërisë duke i konfirmuar pavarësinë në vitin 1919 në Konferencën e Paqes në Paris. Na bën sot të turpërohemi edhe për raportet me Rusinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet mes dy shteteve ishin vasale ku çdo gjë në vendin tonë kontrollohej dhe drejtohej prej tyre. Kjo jo vetëm garantoi instalimin e diktataturës komuniste por garantoi që në krye të kësaj diktature do ishte Enver Hoxha. Një tjetër shtet për të cilin ne sot ndjehemi të turpëruar për marrëdhëniet e krijuara me të ka qenë Jugosllavia, veçanërisht Serbia. Gjatë regjimit komunist, Kosova iu dhurua Serbisë si krahinë Brenda republikës së saj. Por afrimi dhe ngushtësia e marrëdhënieve të vendit tonë me Serbinë arriti deri aty sa ishte projektuar që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e këtij shteti të çudidshëm falë aleancës komuniste mes Enver Hoxhës dhe Josif Broz Titos.
10. Në këto 110 vjet shtet ne duhet të turpërohemi për mënyrën se si ka funksionuar politika. Tradita e politikës shqiptare është se ajo funksionon e ashpër duke e cilësuar kundërshtarin armik për vdekje. Për ta kuptuar qartë këtë mjafton të veçojmë se nga 33 kryeministra që ka në historinë 110-vjeçare të shtetit shqiptar, 10 kryeministra janë vrarë në rrethana të ndryshme që ende janë të pazbardhura: Mehmet Shehu u gjend i vrarë në dhomën e gjumit teksa ishte në detyrë. Katër kryeministria janë vrarë në atentate: Esad pashë Toptani, Qazim Koculi, Idhomen Kosturi dhe Hasan Prishtina. Katër kryeministra kanë vdekur në rrethana të dyshimta: Ismail Qemali është helmuar, Mustafa Kruja vdiq gjatë një operacioni kirurgjikal, Kostaq Kota vdiq nën dhunë në burgun e Burrelit dhe Adil Çarçani e la veten në një vdekje me dëshirë. Kryeministri Maliq Bushati është pushkatuar si tradhëtar.
7 kryeministra e kanë varrin ende jashtë Shqipërisë: Esad pashë Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine. Dhe më e rënda 6 kryeministra nuk kanë fare varr: Iljaz Vrioni, Idhomen Kosturi, Xhaferr Ypi, Kostaq Kotta, Eqrem Libohova, Maliq Bushati. Kjo tregon egërsinë dhe mentalitetin e ashpër ekstrem se kundërshtari politik në Shqipëri cilësohet si një armik politik për jetë a vdekje. Dhe sigurisht që kjo na bën vetëm me turp