Kur Sali Berisha nënshkroi gjithë solemnitet e pompozitet marrëveshjen e bashkëpunimit në koalicion me Ilir Metën, të shumtë ishin personat që nxituan t'a paralajmërojnë e këshillojnë atë mbi pasojat e kësaj marrëveshje. Ndërsa unë e "përkraha" dhe e "përgëzova" Ilir Metën, i cili nëpërmjet legalizimit të bashkëpunimit me Sali Berishën, krijonte më së fundmi kushtet që politika të ishte fair play, ku secili merrte votat që i takonin.
Marrëveshja Berisha Meta ishte hedhja tutje e një maske të fortë, kur kryetari i LSI-së merrte vota majtas, për t'i trafikuar djathtas. Marrëveshja Berisha Meta shënonte fundin e një praktike revoltuese dhe amorale, kur ish-kryeministri socialist që në moshë 28 vjeçare, bëhej faktor elektoral në gjirin e të majtës, pikërisht duke sharë, mallkuar e stigmatizuar më fort se vetë socialistët Sali Berishën, duke i'a çuar më pas votat e ambalazhuara në mandate deputetësh pikërisht Sali Berishës.
Kjo praktikë e urryer filloi në vitin 2009, kur PD siguroi 70 mandate në Parlament, ndërsa e majta e përfaqësuar nga PS dhe LSI siguroi edhe ajo 70 deputetë. Mirëpo ky ishte momenti kur LSI tregoi se ajo nuk ishte as parti e majtë, as parti e djathtë e as parti e qendrës. Por ishte një parti private e kryetarit të saj, i cili për interesa të tij bënte edhe atë që njerëzit e thjeshtë nuk e imagjinonin. Duke hyrë në koalicionin qeverisës me Sali Berishën, në emër të "stabilitetit të vendit", duke trafikuar 4 mandate të arta, LSI u kthy në një parti të vogël, por me pushtet të madh.
Për rrjedhojë, duke i patur mundësitë e sistemimit të atyre që i afroheshin LSI-së, Ilir Meta ndërtoi edhe kultin e njeriut fjalëmbajtur ndaj militantëve dhe shërbyesve të tij. Më pas, i erdhi radha Sali Berishës të provojë shijen e tradhëtisë së Ilir Metës, i cili në 2013 u rikthye në gjirin e së majtës. Por tashmë LSI ishte kthyer në një parti e mesme elektorale dhe pushteti që kishte marrë nga marrëveshja me socialistët nuk mjaftonte më që Ilir Meta të mbante fjalën ndaj kujtdo që i premtonte. Rritja artificiale e partisë së tij solli edhe keqkuptimin e madh të Ilir Metës, i cili e konsideronte veten dhe partinë e tij private faktor përcaktues pushteti.
Dëshmi e këtij keqkuptimi të madh ishte refuzimi i tij, ndaj ofertës për të vijuar marrëveshjen e bashkëpunimit me socialistët edhe në vitin 2017. Lutjet e Edi Ramës vetëm sa i miklonin sedrën prej politikani amator, i cili nuk kupton asgjë nga ligjësitë për t'u shoqëruar për të mirën e popullit shqiptar me refuzimin e tij.
Se si rrodhën më pas ngjarjet është e ditur për të gjithë, por e rëndësishme është që tashmë Ilir Meta është kthyer aty ku i takon të jetë. Nuk ka më maskën e majtit, nuk ka më mundësinë e mashtrimin e elektoratit të majtë duke u hequr më i majtë se të majtët, nuk ka më mundësi trafikimi votash e mandatesh. Ndaj, po qe se merr vota, ato i ka të merituara. Dhe pikërisht për krijim e kësaj situatë transparente, ku secili është i qartë, ai meriton gjithë "mirënjohjen" e elektoratit shqiptar.