Ka disa ditë që mbështetës mediatikë të opozitës, akuzojnë të gjithë që qasen publikisht të komentojnë zhvillimet në PD, si lëvizje djallëzore.
Sipas tyre, gjtihçka bëhet për të krijuar një atmosferë të paqenë, ndërkohë që ajo që duhet prekur në media nuk është opozita e Lulzim Bashës, por qeveria e mazhoranca e Edi Ramës.
Madje në këtë debat janë aktivizuar edhe azilantë politikë të 8 vjeçarit të Ramës që morën strehim politik së bashku me miradinat logjistike të këtij akti juridik, me logjikën se janë të kërcënuar nga “diktatura” e kryeministrit aktual.
Që nga 2013-a, këta zëra mediatikë pranë opozitës, kanë qenë mjaft aktivë, madje zellshmërisht aktivë, sa për një periudhë u bënë edhe fenomen, për të thënë që Shqipëria është një “narko shtet”, Edi Rama është mafioz, ka shitur Kosovën, e ka bërë baltë me Vuqiqin, në vend nuk ka siguri, vritet e pritet për llogari të mafiozëve, e lajmet më të rëndësishme deri pak kohë më parë i orientonte “qytetari digjital”, i cili në fakt krijonte tema për panelet e darkës.
E mbani mend rastin e Xhensila Malokut, e cila u bë lajm, jo kur regjistroi deponimin në polici, por kur këtë e nxorri “qytetari digjital”, e më pas u bë çështje politike.
E kështu ndodhi me shumë çështje ku “Babalja” ishte më e rëndësishmja, e cila u kthye në çështje, duke qenë një trill, një montim, një jo lajm.
Me një fjalë, e gjithë kjo kohë, opinioni publik kundërshtar me Edi Ramën, i ka shpenzuar të gjithë fishekët e akuzës. Ja kanë thënë të gjitha, madje duke i hyrë edhe në çështje intime familjare e njerëzore.
Pra në opinion, ky detashment e vizatoi Ramën e mazhorancën me ngjyrën e zezë e me njollën e “djallit”.
E siç dihet, kjo logjikë nuk se ngjiti, por njerëzit këtu dhe komuniteti ndërkombëtar ka përkrahur Ramën. E kjo ka sjellë edhe një frustrim nga ky opinion, që më shumë se Edi Ramën sot, sulmojnë SHBA, BE-në, ambasadorët Yuri Kim e Luigi Soreca, sa bëjnë edhe gallata kozmike.
Denoncojnë në SPAK, një ambasador që ka imunitet diplomatik. E mbani mend sulmin skandaloz ndaj diplomatit të shquar gjerman, Bernd Botschard, i cili edhe pse i larguar u pa gjatë verës për pushime në Shqipëri.
Në vitin 2019, kur opozita bëri aktet më absurde politikisht siç ishte diegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, këta zëra jo vetëm i mbështetën por thanë troç ditë për ditë se duhet larguar ky pushtet me dhunë.
E kur ky pushtet nuk u largua me dhunë, erdhëm në atë që quhet epoka pas 5 qershorit, pra ritkthimi i opozitës në sistem, një zhvillim i rëndësishëm. E kjo opozitë që u rikthye në sistem hyri në zgjedhje dhe mori atë rezultat që mori.
Duke qenë kështu, Lulzim Basha dhe opozita e tij, edhe pse dihej si erdhi këtu, po gjykohet për ato veprime që ndërmerr ndërkohë që është brenda sistemit.
E këtu, pati një zhvillim shumë të madh, që është vendimi për shpalljen Non Grata të Sali Berishës nga qeveria e SHBA.
Vetëm mendoni, sikur SHBA të kishte shpallur një drejtues të lartë të mazhorancës, çdo të ndodhte këtu? Imagjinojeni pak! Pse flasim, janë të freskët rastet e Vangjush Dakos e Tom Doshit. E dimë si i kanë trajtuar panelistët tanë të opinionit këta personazhe politikë!
Si Doshi e Dako, njëjtë është edhe Berisha. Le të krahasojmë vetëm diskutimin mediatik për çështjen dhe kush i përmend. E nëse dikush në media shkruan për këtë ngjarje vërtetë të rëndësishme, i konsiderojnë “lakej të Edi Ramës”. Kur në fakt kjo është ngjarja më e bujshmë politike në 30 vjet postkomunizëm në vend.
E sot, këtë ngjarje, e kanë marrë dhe po e diskutojnë gjithnjë e më shumë zëra, emra, të zgjedhur e drejtues të PD-së, çka është një zhvillim shumë i rëndësishëm(dikush e quan pozitiv dikush jo, por është i rëndësishëm). Vetëm sot ne kishim tre zëra të rëndësishëm në PD: Fatbardh Kadillin, Ferdinand Xhaferajn dhe publicistin Namir Lapardhaja.
Plus ca ditë më parë aktin e fortë të Mark Markut dhe deklaratën e Jonila Godoles, por edhe vetë publikimin nga RD.
Pra janë kaq zhvillime të vrullshme, të rëndësishme, madje mjaft shpresëdhënëse për shoqërinë e vetë opozitën, të cilat nuk ka përse të mos diskutohen në opinion.
Madje duke i diskutuar imponojnë një model tek mazhoranca. Të cilën siç e dimë, e kanë pikturuar në të zëzë pala tjetër, e nëse kritikohet kjo mazhorancë nga zëra publikë që s’e kanë bërë më parë do thonë: është lojë. E kritikojnë butë, Rama nuk do kritikuar, do rrëzuar!
Këtë po thonë edhe sot njerëz mediatikë të Sali Berishës. Madje, këto zëra, që e ndjejnë një zhvillim të rëndësishëm nga drejtësia e re, kanë paralajmëruar se nëse SPAK nuk merr të parin të pandehur Edi Ramën nuk quhet. E pse nuk quhet? Po sikur SPAK të hapë dosje për një person, për të cilin ka sjellë akuza edhe qeveria e SHBA? Joo, thonë, nuk quhet.
Në fakt, përpos të gjitha këtyre llogjeve pa fund, e reja në opinion, është se po zgjerohet grupi i atyre që kërkojnë një ndarje me të vjetrën në politikën shqiptare. E këtë natyrisht të parët do ta bëjnë ato grupime politike që s’janë në qeveri, që janë në opozitë, që kanë edhe fuqinë e fjalës publike në opinion. Ja kaq e thjeshtë është!
Pastaj, nëse në opinion diskutohet më shumë për opozitën, ky është favor për këtë botë politike që këtë debat ta kthejë në vlerë dhe të shpërthejë idetë e propozimet për ta ndryshuar vendin.
Pasi nëse thuhet ditë për ditë që opozita duhet të rrëzojë Edi Ramën, kjo nuk është risi, është detyrë e një opozite. Vetëm ta rrëzojë me zgjedhje, ndryshe nuk funksionon në një vend të NATO-s…/ Tema