Partia Demokratike e Lulzim Bashës, ka vendosur të protestojë “ashpër” në 26 maj, pikërisht në përvjetorin e 22 të maskaradës së votimeve, nga ku opozita e asaj kohe sot në pushtet, u dhunua, sepse u ngritën për votat e vjedhura, dhe u rrahën barbarisht drejtuesit e saj nga “skuadrat” e veshura me lara-lara të shtetit të asaj kohe.
Çuditërisht Lulzimi ndoshta edhe pa “dashje”, ka vendosur të përkujtojë një nga bëmat e padëgjuara të partisë tij, duke dalë në shesh në 26 maj, por kësaj here jo për votën e vjedhur, por për të rrëzuar qeverinë legjitime me dhunë.
Padyshim rikthimi në vendin e “krimit elektoral” mbetet tipar i atyre që dhunën e kanë si busull drejtimi edhe në politikë.
Por përse në 26 maj zoti Basha, përse vendose që pikërisht pak ditë para qershorit, kur vendi dhe shqiptarët, presin përgjigjen e madhe për hapjen zyrtare të negociatave, ti dhe shpura tënde e investigatorëve, vendosët të “pushtoni sheshet” duke u përpjekur edhe njëherë të mblidhnin rreth vehtes mijëra e mijëra vetë.
Madje ti si kryetar opozite, apo si kryetar PD, u bëre thirrje edhe socialistëve të mblidhen rreth protestës tënde të “fuqishme” për ti thënë ndal “dhunës, korrupsionit, trafiqeve, e oligarkisë”, etj, etj.
Duke mos e ditur mirë historinë e 26 majit 1996, ti nuk ke vendosur akoma edhe vendin ku do të mbahet protesta e fuqishme e opozitës së bashkuar.
Duke mbledhur “aleatët” e PD, të cilët nuk kanë as anëtarësi, as kryesi dhe as struktura partiake, pasi janë thjesht celula familjare, kujtove se do të impresionosh shqiptarët majtas dhe djathas, për të ardhur në “protestën e madhe” e cila edhe kësaj here do të jetë “si uragan”.
Por ti Lulzim duke mos e ditur mirë historikun e 26 majit 1996, duhej që më parë të kishe pyetur ustallarët e vjetër që kanë mbetur në atë parti, pastaj të kishe vendosur të ftoje në protestë të majtët.
Por duket se ata qëllimisht të kanë shtyrë edhe kësaj here në batak.
Për socialistët e thjeshtë, 26 maji 1996, është dita e zezë e vjedhjes së votave me dhunë në gjithë vendin, është dita e grabitjes së kutive të votimit nga skuadrat e veshura me uniforma të shtetit, që nuk ishin gjë tjetër veçse persona me precedent të theksuar kriminal.
Ata pikërisht në 26 maj 1996, u turrën në qendrat e votimit, blenë vota sa kishin mundësi, dhe atje ku nuk arritën, rrëmbyen kutitë e votimit nën presione dhe dhunë barbare mbi kundërshtarin politik.
Por sikur të mos mjaftonte kjo zoti kryetar, dhuna nuk kurseu as liderët e opozitës së asaj kohe, duke u përbaltur jo vetëm zgjedhjet e “lira dhe të drejta” por edhe Shqipëria e cila zinte vendin e parë në faqet e gazetave europiane.
Dhe pikërisht 26 maji i 1996, (si dhe barbaria e vazhduar në tetorin e atij viti edhe me zgjedhjet lokale, duke e nxjerrë fituese PD me mbi 99 per qind) u bënë shkak për përkeqësimin e situatës politike, dhe pas pak muajsh edhe shkatërrimin e shtetit nga themelet.
Ndoshta ustallarët e vjetër, të mbetur akoma në PD, nuk ta kanë sqaruar mirë 26 majin e 1996 zoti kryetar, pasi ti nuk do të kishe vendosur të thërrisje në “protestën madhështore” edhe demokratët edhe socialistët.
Por duke u ndalur tek demokratët, apo tek urdhëri që u ke dhënë kryetarëve në rrethe, mendoj se pikërisht “baza e partisë tuaj”, mbetet një problem madhor që keni.
E para , strukturat në rrethe nuk ekzistojnë, e dyta baza e PD në rrethe është aq e pakësuar, sa nuk mendohet më as për protesta lokale, dhe jo pastaj për protesta kombëtare.
E treta, një ndër arsyet përse janë larguar militantët nga PD, mbetet zhgënjimi që ata kanë marrë nga humbjet elektorale, dhe aleancat me parti si LSI, apo afrimi në parti i personave anonimë, që nuk janë as anëtarë të asaj partie, apo që janë mandatur si deputetë të listës tënde, pas pazareve apo qokave me afera biznesesh.
Zoti Basha, të ngresh popullin në një protestë madhështore, duhet të jesh i besueshëm, duhet të jesh fjalëmbajtur, duhet të jesh lider partie, duhet të jesh i drejtë, duhet të jesh i paakuzuar, e padyshim duhet të jesh politikan karizmatik.
Populli nuk të beson kur ti merr CD , video apo regjistrime në audio, nga persona që dikur kanë qenë pjesë e trafikut dhe janë dënuar me burg jashtë vendit, populli nuk të beson kur shpura juaj del në ekrane dhe bëhet gazi botës, duke u ngatërruar me deklarimet e veta, dhe duke mbrojtur “të penduarit” e trafikut në Vlorë.
Ke shumë punë zoti Basha, ke shumë gjëra për të zgjidhur brënda PD, para se të ftosh shqiptarët majtas dhe djathas të ngrihen në “protesta popullore”, aq më tepër në 26 maj. Më mirë të kishe gjetur një datë tjetër, diku nga korriku.