Speciale

Përse vrapojnë njerëzit në maratonë? Report Tv sjell tre histori që tregojnë se si u ka ndryshuar jetën vrapimi

Nuk ka rëndësi nëse je mbi 50 vjeç, je obez apo me aftësi të kufizuara. Kushdo që ka vullnet të arrijë formën e mirë fizike mund të vrapojë edhe në një maratonë. Report Tv ju sjell shembuj se si ka ndryshuar jeta e tre personazheve që sot jo vetëm përshkojnë kilometra por kanë arritur të fitojnë edhe çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Pasi mbushi 50 vjeç, Sotir Qiriaqi zbuloi se i mungonte vrapimi në jetën e tij.

 “Unë marr pjesë në maratona sepse maratona është një betejë individuale e cila të provon se sa forcë ke për të përballuar jetën”, tha Sotir Qiriaqi.

“Në vitin 1999 e pash veten në gjendje të mjerume. Isha shumë i shëndosh. Përdorja dhe duhanin. Me një vendim persona lash duhanin, të rregulloj parametrat e mi dhe fillova të vrapoj. Në vitin 2000 fillova të vrapoj tek kodrat e Tiranës. Këtu jam stërvitur intensivisht, paradite pasdite për 6 orë. Brenda 2 viteve unë arrita që të arrij atë të famshmen maratonë. I thonë gati 20 vjet që unë flas, meditoj, ushqehem mirë, vrapoj. Nga një vrapues amator, unë arrita që të pushtoja majat e të gjithë kryeqyteteve të botës. Unë maratonën e parë e kam bërë pasi u stërvita 2 vjet rresht. Është gjysmë maratona e Nënë Terezës. Më 19 tetor të vitit 2003. Kam marrë pjesë në 180 gara që janë të ndara. Unë kam bërë gara nga mini-maratona deri tek uktra maratona. Gara individuale. Janë të miat. Unë nuk e dija çfarë ishte maratona. Dola për vrap për qejf. Pastaj maratona doli si një vegim. Nga një nënpunës i thjeshtë u ktheva në vrapues”, u shpreh Qiriaqi.

Sotir Qiriaqi frymëzoi edhe Leonard Peçon që sot është 47 vjeç. Edhe ai pati probleme me obezitetin, por nuk mendonte se maratona do të bëhej pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Maratona është një festë ku të gjithë sportdashësit takohen me njëri-tjetrin. Ndajnë emocione të bukura, ndajnë eksperienca, por mbi të gjitha, provojnë dhe sfidojnë edhe vetveten”, tha Leonard Peço. 

“Unë kam 18 vjet që merrem me atletikë. Vij nga një obez klasik. Mbi 122 kg. Jam future në rrugën e sportit dhe kam gjetur vetveten. Pesha ishte një nga indiciet kryesore për mua, por kjo është një rrugë e magjishme dhe ta tregon vetë rrugën drejt suksesit individual. Për pjesën e maratonava kam qen pak skeptik. Imagjinoni veten nga një obez. Nuk e imagjinoja kurrë veten që do transformohesha dhe do bëhesha ky që jam . Drejt maratonave më ka tërhequr Sotiri. Duke më parë që stërvitesha nga liqeni, Sotiri më ftoi në një maratonë në Preshevë. Ajo ka qenë stërvitja ime e parë dhe nuk kam për ta harruar kurrë dhe që atëherë kanë kaluar disa vjet. Tani kam goxha eksperiencë. Garën e parë ja dedikoj SOtirit. Kam bërë goxha gara. Mbi 30 gjysmë maratona dhe garën e Athinës ë cila është autentike. Që atë herë na është kthyer në “mallkim”, pasi me zorr presim garën tjetër”, tregoi Peço.

Dorën ia zgjatën edhe 23-vjeçarit Lulzim Koçi me aftësi të kufizuara.

“Kam 18 vjet që merrem me vrap. Jam me aftësi të kufizuar. Jam 23 vjeç. Me origjinë jam nga Martaneshi. Marr pjesë goxha në maratona. Jam shumë i kënaqur kur marrë pjesë në maratona. Të jep një emocion të paparë maratona. Kam qenë në Amerikë. Kam fituar vendin e dytë në botë. Ndërsa në Belgjikë kam fituar vendin e parë në botë. Një emocion i paparë. Kam bërë garën 100 metra. Vrapoj për qejf. Për të mbajtur trupin në formë. Për shëndetin tim. Çdo gjë, me punë dhe vullnet, arrin suksesin”, tregoi Lulzim Koçi.

Nuk mjafton vetëm motivimi për të marrë pjesë në një maratonë. Nevojitet përgatitje e mirë fizike.

“Për të marrë pjesë në gjysëm maratonë serioze duhet të stërvitesh të paktën 6 muaj. Në maratonë 42 KM  duhet stërvitje 8 muaj. Ndërsa në ultramaratonë duhet 1 vit stërvitje. Maratona do të thotë një betejë. Duhet stërvitje e lartë fizike”, tha Qiriaqi.

“Prandaj quhet edhe një punë burrërore. Kur kalon mbi 30 km, njeriu i ka harxhuar të gjitha energjitë e veta dhe aty hyn pjesa psikologjike e cila e shtyn drejtë finishit”, tha Peço.

‘Vrapimi të jep mundësinë që metabolizmi të ketë  ekuilibra të jashtëzakonshëm. I vetmi element që i bën mirë qelizave të njeriut është vrapimi në ajër të pastër dhe uji. Shumë qeliza që rrezikojën të vdesin, vrapimi i rigjeneron”, tha Sotir Qiriaqi.

Paralel me stërvitjen mbahet edhe një regjim ushqimor i shëndetshëm.

“Kjo menu e thjeshtë, mos ju duket çudi. Parimi bazë i sportistëve është ha pak dhe shpesh. Të thjeshtë dhe lehtë. Në mëngjes ha fruta, shegë, rrush. Vezë të freskët. Përdor dhe qumësht. Dreka është e bollshme. Në darkë nuk ha ushqim. Ha vetëm fruta. Një nga arsyet që njerëzit janë obezë është sepse hanë darkë. Kjo është rutinë e përditshme, pasi vrapimi nuk është një ditë, garat nuk janë vetëm një ditë”, tregoi Sotir Qiriaqi.

“Unë kam vrapuar në 5 kontinente. Në 180 gara. Unë kam takuar njerëz të ndryshëm dhe kam prezantuar Shqipërinë me flamurin shqiptar. Të gjitha këto janë kupat e mia. Vjet në këtë kohë, Presidenti më lauroi me një titull shumë interesant, ‘Për merita të veçanta në dobi të njerëzimit’. Në këtë gjerdan janë 3 margaritarë të ndryshëm. New York, Berlin dhe Paris. Këto janë 3 maratonat marramendëse. Me New Yourk-un më lidhte ideja kur dëgjoni From Amerika. Me Berlinin, muri”, tha Sotiri.

Shembull i marrjes së fryteve të këtij regjimi sportiv është veçanërisht Sotir Qiriaqi. Ai ka shkelur 5 kontinente, ka takuar njerëz të rinj e përveç medaljeve, me vete ka marrë edhe mirënjohjen e atyre që nuk dinë shqip por kanë njohur flamurin shqiptar. “ thotë Qiriaqi ndërkohë që tregon çmimet e marra ndër vite.

75-vjeçari sot jeton pa gjysmën e tij frymëzuese. Por rrëzimi është pjesë e sfidës për të ecur përpara për Sotirin.

 “Në shtëpi nuk do të flasim për ato gjëra që na shqetësojnë, por për ato që na gëzojnë. Shtëpia është kështjella e njeriut. Është çadra. Në këtë shtëpi kam jetuar me bashkëshorten e cila tashmë nuk jeton më. E rrëmbeu një nga sëmundjet më të rrezikshme. Koronavirusi. Më ndau në mënyrë mizore. E përballoj. Së fundmi kam garuar për bashkëshorten time. Ja kam kushtuar Lorit. Njerëzit duhet të kuptojnë se jeta është e vështirë. Ta duam jetën. Jeta pa dashurinë e burrit për gruan dhe fëmijët nuk ka kuptim. U mundua shumë, por vdekja e mori. Tani jam vetëm, por luftoj. Këtu meditoj gjatë natës. Kjo është jeta ime. Sa herë meditoj bëhem më i qetë”, tregoi Sotiri për bashkëshorten.

 “Të fillosh vrapimin nuk është e lehtë, por po e nise atë, nuk di më të ndalosh. Këtë e konfirmojnë sportistë nga e gjithë bota. Madje shumë studime kanë arritur në përfundimin se njerëzit që vrapojnë rregullisht jetojnë mesatarisht 3 vjet më gjatë, kanë 20% më shumë energji dhe çdo ditë  për ta është një sfidë e re në pistë.”

“Maratona është një sfidë personale, është një mesazh për të tjerët”, tha Sotir Qiriaqi.

“Është transmetimi mesazhi. Është dashuri, respekt. Është motivim për dikë tjetër. Në momentin që unë e bëj, nuk ka arsye që mos ta bësh dhe ti” tha Peço.

“Medalja mua më gëzon, por në garë kontrolloj veten. Gjëja që më gëzon më shumë është pjesëmarrja në garë. Atmosfera është një moment që nuk mund të përshkruhet kollaj. Pjesa më e bukur është pjesa e finishit. Ato që përjeton njeriu, sidomos km e fundit, duhet një penë e hollë për ta shkruar dhe përshkruar. Aty kontrollon çfarë pune ke bërë gjatë gjithë jetës”, u shpreh Peço.

Historia e maratonës daton në vitin 1896. Në Lojërat Olimpike në Athinë, u përfshinë vetëm 17 atletë. Fituesi vrapoi për 2:58:50, kohë amatoreske për vrapuesit e pas viteve 2000.

Në vitin 390 pas Krishtit, ushtari grek “Maratonomaku” vrapoi pa ndalesë nga qyteti i Maratonës deri në Athinë, 42 km, për të njoftuar fitoren ndaj persëve.

Që nga ajo kohë, eventi u quajt maratonë për nder të lajmëtarit.

Sot prej vitit 2013, rekordin botëror e mban keniani 36-vjeçar, Eliud Kipchoge .Ai  ka vrapuar 42.1 kilometra për 1:59:40 në Ineos Challenge në Vjenë të Austrisë.

Në nivel global, ka midis 2 500 dhe 4 000 maratona çdo vit me afërsisht 11 milion vrapues. Është vlerësuar se midis 52% dhe 55% e pjesëmarrësve në maratonë janë vrapues për herë të parë.

Pjesëmarrja për ta është më e rëndësishmja.

“Unë nuk jam kampion, nuk jam garues, por përshkrues. Hygo thotë një fjalë të bukur. Njerëzve nuk ju mungon dëshira por vullneti. Do vullnet. Vullneti është baza. Pa vullnet nuk ka sukses”, tha Sotiri.

Nexhat Xhemalçe, 81 vjeç është shënuar pjesëmarrësi më i moshuar në maratonën shqiptare. Me disiplinë kjo grupmoshë ka arritur sot që të sfidojë çdo problem shëndetësor.

Të gjithë pjesëmarrësit në një maratonë mbajnë brenda vetes një kauzë ndërkohë që përplasin hapat mbi rrugë e djersijnë për të arritur finish-in.

Çdo vrapues ka një përgjigje mbi motivin e pjesëmarrjes në një maratonë. Pavarësisht moshës, peshës apo aftësive të kufizuara, ndërkohë që përplasin hapat mbi rrugë e djersijnë për të arritur finish-in, rrugëtimi ka nxjerrë në pah forcën fizike e mendore të këtyre njerëzve për të tejkaluar edhe sfidat më të mundimshme.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?