Fiqiri Rama ka lindur në fshatin Radovesh të Gollobordës më 1 janar 1956 është aktivizuar që fëmijë me sportin e mundjes dhe ka fituar disa çmime. Ka marrë titullin mjeshtër i merituar i sportit. Në qytetin e Peshkopisë e thërrasin mjeshtër! Është sot 69 vjeç dhe e gjejmë në palestër ku stërvit të rinjtë e ekipit të Korabit.
E ka zhvilluar karrierën si sportist për 25 vite, ndërsa flet për traditën e hershme të Gollobordës në sportin e mundjes.
"Fillova kur isha fëmija të ndeshem nëpër festa, siç e kemi traditë ne të Gollobordës, ndërsa si sportist profesionist e kam nisur në vitin 1975. E mora vesh se bëhej një kampionat për të rritur dhe i kam ikur babait nga puna për të marrë pjesë në këtë kampionat".
Mjeshtri i mundjes, Fiqiri Rama ndan me shikuesit e Report TV një moment tejet emocionues, ndeshjen me të birin, me të cilën i tha fund karrierës në ring.
"Kampionati i fundit ka qenë në vitin 1995 dhe ra shorti të ndeshem me djalin tim. Ai nuk e dinte por i thashë unë ndeshjen e ke me babën tënd dhe të uroj suksese. Normale që fitova unë 3 me 1", tregon Rama mes emocioneve.
Nga viti 1995 e deri më sot është trajner i skuadrës së Korabit në Peshkopi, ku ka nxjerr mjaft sportistë të talentuar. Thotë se asgjë nuk do ta ndalë deri në frymën e fundit.
"Kam lënë një fjalë që unë do ta lEJ sportin e mundjes që do më pushojë zemra!"
Fiqiri Rama ka stërvitur dhe ushqyer me pasion fëmijët e tij dhe nipin me të cilët krenohet.
"Vajza ime Laura Rama ka marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare"
Pavarësisht se mungon mbështetja e institucioneve, ai u bën thirrje të rinjve të mos heqin dorë nga sporti i mundjes.
"Të rinjtë janë përqendruar tek futbolli këto sportet e tjera janë lënë pas dore. Unë u bëj thirrje të rinjve të merren me mundje se të bën të fortë dhe mund të bëhen diçka në jetë".