Prej 10 vitesh, pasioni më i madh i italianit Anxhelo Pina janë udhëtimet me motor. Ndalesën e radhës, 48-vjeçari vendosi ta kishte në Kukës. Është befasuar me pamjet që ofron natyra e qytetit verilindor me relievin përreth, liqenin, njerëzit e gjithçka që ofron.
“Pasioni për motorin ka shumë kohë. Prej 10 vitesh. Është ndjesi e lirisë, ndihesh i lirë. Kur del me motor, harrohet çdo gjë. Edhe Shqipëria ka shumë rrugë interesante. Preferoj rrugën e Pogradecit, zona e Linit. Edhe ajo që shkon drejt Vlorës dhe Sarandës”, tha 48-vjeçari.
Kjo është hera e parë që viziton Kukësin, por në Shqipëri ai jeton prej 3 vitesh. Është zhvendosur nga Italia e Jugut në Tiranë, ku ka gjetur veten e tij bashkë me familjen dhe është përshtatur më së miri.
“Për biznes kam ardhur këtu. Në krahasim me Italinë është më e thjeshtë që të hapësh një biznes. Edhe taksat normalisht janë më të ulëta. Kam biznes online, shes produkte”, tha Pino.
Anxhelo thotë se Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme turistike dhe meriton të vizitohet.
“Kam parë që në Shqipëri ka shumë turistë Italianë. Është një vend që jetohet mirë dhe njerëzit janë mikpritës. Çmimet e jetesës janë pak më lirë se në Itali. Unë do të rri këtu për shumë kohë, pasi edhe vajza ime që është në shkollë është mësuar”, tregoi ai.
Në fund Anxhelo ka një mesazh për të gjithë.
“Hajdeni shikojeni Shqipërinë vetë. Do shikoni që gjërat janë ndryshe nga çfarë thuhet. Hajde shikojeni mikpritjen e shqiptarëve”, tregoi ai.