Botërori “Russia 2018” ka mbaruar fazën në grupe dhe tashmë emocionet sa vijnë e shtohen për ndeshjet me eliminim direkt, ku gabimet të kushtojnë shumë. Shumë nga favoritët kanë ecur mirë, disa kanë pasur luhatje, por ka pasur edhe dështime, siç është rasti i Gjermanisë. Po rendisim 5 dështimet më të mëdha të këtij Botërori.
Dështimi i parë dhe më i madhi është padyshim Gjermania, që u eliminua pas humbjes 0-2 nga Koreja e Jugut. Katër vjet pas fitores historike 7-1 ndaj Brazilit, gjermanët kanë shkruar sërish historinë, por kësaj here në aspektin negativ, duke u eliminuar për herë të parë që në fazën në grupe.
Dështimi i dytë ishte Lewandowski. Mediat italiane e kanë përshkruar si një turist në Rusi, duke mos lënë gjurmë. Qendërsulmuesi i Bajernit të Mynihut, shënuesi më i mirë i Bundesligës largohet pa shënuar në 3 ndeshje. Të paktën Polonia e tij la gjurmë, sepse fitoi 1 ndeshje, teksa kapiteni ishte në hije.
Dështimi i tretë është Egjipti. Edhe pse skuadra e drejtuar nga Hektor Cuper u privua nga dëmtimi i Mohamed Salah, ekipi zhgënjeu shumë, sidomos në ndeshjen e fundit ndaj Arabisë Saudite, ku u mund 2-1. Egjipti u largua pa asnjë pikë dhe një fitore në një Kupë Bote.
Dështimi i katërt është Milinkoviç-Saviç, që vlerësohet 100 milionë euro. Ashtu si Lewandowski, mesfushori serb nuk la gjurmë. Botërori ishte vitrina më e mirë për të, por Sergej dështoi, edhe për faktin se Serbia u eliminua, duke fituar vetëm 1 ndeshje.
Dështimi i pestë janë dyshet mbrojtëse më të forta të botës. Hummels-Boateng, Ramos-Pique dhe Varane-Umtiti kanë lënë shumë për të dëshiruar. Dyshja e parë ishte katastrofë, me Boateng që mori edhe të kuq. Ramos dhe Pique nuk kanë shfaqur siguri dhe 2 gola kanë ardhur për faj të tyre. Ndërsa Umtiti dhe Varane kanë shkaktuar penallti absurde. Gjithsesi, Ramos-Pique dhe Varane-Umtiti kanë mundësi për të treguar ende vlerat e tyre.