Policia ende nuk ka arritur të identifikojë 5 autorët që u hoqën si policë në tentativën për të vjedhur banesën e një çifti të moshuarit në Prush të Tiranës, por nisur nga përshkrimi i tipareve të tyre, mendohet të jenë të njëjtët persona që më 28 nëntor grabitën flori me vlerë rreth 50 mijë euro në një argjendari në Kamëz
Fshati që nuk kishte rënë ndonjëherë pre e grabitjeve u trondit edhe më shumë kur autorët shkëmbyen zjarr me policinë e cila u njoftua nga nipi që kishte shkuar të vizitonte të moshuarit.
“Te komuniteti ku ndodh një grabitje patjetër që shtohet ankthi, frika, siguria, humbasin qetësinë, jemi komunitete të vogla ku japim e marrim, situatat e vështira përjetohen te komuniteti përreth” thotë Entela Binjaku, sociologe
Vetëm gjatë 48 orëve në vendin tonë, pati 5 raste të tjera grabitjeje nën kërcënimin e armës, në Tiranë, Durrës e Shkodër.
“Statistikat kanë treguar që fund tetori, nëntori dhe dhjetori janë me intensitet më të lartë deri në fund të festave. Ata që shkojnë për të vjedhur hyjnë në banesa ku ka mosha të thyera, ku kanë informacion që kanë njerëz në emigracion, lekët që një pjesë e shqiptarëve i mbajnë në kasaforta apo ambiente shtëpiake janë bërë pre e grabitjeve” thotë Fatjon Softa, ekspert Sigurie
Për ekspertin e sigurisë, Fatjon Softa metodat e grabitësve profesionistë janë sofistikuar.
“Çdo vit po investojnë më shumë, ka filluar të aplikohet çelësi bullgar, pajisje që e ka marrë emrin nga Lufta e Ftohtë, ku agjentët bullgar përdornin një lloj çelësi që futet në bravat e dyerve të blinduara që krijojnë një reliev duke iu përshtatur çelësit origjinal, dhe janë në gjendje brenda 2 minutave ta prodhojnë dhe ta hapin derën pa bërë zhurmë dhe nëse banorët janë brenda tyre.
Për sociologët hapi i parë për të mos u vënë në shënjestrën e keqbërësve, është mos ekspozimi i të mirave materiale në rrjete sociale.