PD po shkon drejt 29 korrikut, ditë kur do të zgjedhë kryetarin e ri, me një sërë paqartësish sesi do të zhvillohet procesi.
Në mbledhjen maratonë pas 10 orëve debate me tensione kryesia e PD vendosi që të hapë garën duke ngarkuar, mes të tjerësh edhe Komisionin Zgjedhor që të drejtojë procesin, ashtu sikurse është traditë por edhe detyrim statutor për çdo palë zgjedhjesh brenda partisë.
Por PD nuk e ka aktualisht këtë strukturë! Komisioni i fundit zgjedhor i ngritur në PD është ai që në përbërje të tij ka një sërë emrash që tashmë nuk janë pjesë e demokratëve të vulës, por janë bërë pjesë e Rithemelimit: Komisioni i fundit zgjedhor (Jemin Gjana kryetar, Albana Vokshi anëtar, Belind Kelliçi anëtar, Eno Bozdo anëtar, Mimoza Hasekiu anëtar, Albert Avduli anëtar, Gjoke Vuksani anëtar, Çlirim Gjata anëtar si dhe Ervin Minarolli e Lulzim Omuri ndihmës)
Për këtë arsye, në Partinë Demokratike duhet të ngrihet një Komision i Ri Zgjedhor.
Sipas statutit të PD, neni 53 thotë se Komisioni Zgjedhor është përgjegjës për organizimin dhe kontrollin e operacioneve elektorale brenda partisë dhe përbëhet nga 7 anëtarë titullarë dhe 2 ndihmës. Anëtarët e Komisionit Zgjedhor emërohen nga Kryesia e PDSH) dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar.
Në këto kushte, Kryesia e PD duhet të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që në vendimin e fundit të saj e anashkaloi.
Kjo mbledhje, dhe ngritja e Komisionit Zgjedhor gjithsesi duhet të bëhet para datës 20 Qershor, kur sipas vetë vendimit të kryesisë, pranë komisionit zgjedhor është afati I fundit për të dorëzuar kandidaturat për kryetarin e ri të Partisë.