Piktori Sokol Beqiri çel ekspozitën 'As mik, as armik'

21 Mars 2019, 18:19| Përditesimi: 22 Mars 2019, 10:21

  • Share

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë çel ekspozitën e parë për këtë sezon “As mik, as armik” të artistit nga Kosova, Sokol Beqiri. Artisti sjell nëpërmjet një stili të drejtpërdrejtë, punët e realizuara pas vitit 1999. Lufta e Kosovës vjen kësaj here  e “zhveshur”, në sytë e një artisti të mbijetuar. Ndërsa, zgjedhjet e tij teknike vijnë të realizuara në instalacione, video dhe fotografi. Ndonëse, kanë kaluar 20 vite që lufta në Kosovë ka përfunduar, Beqiri vazhdon që të përdorë artin e tij për të raportuar, për të sjellë edhe një herë në vëmendje Luftën e ndodhur asokohe. Një piedestal, pemë në një mal, një djalë i shtrirë përtokë apo fotografi dokumentare të heronjve, që kanë qenë simbol të bashkimit janë disa nga elementët e ekspozitës së Beqirit

Sokol Beqiri: “Piedestali që mban emrin populli nuk më kujtohet se i kujt është. Por nëpërmjet saj vjen manipulimi që bëhet në emër të popullit. Më tej malin mund të shohim për ta përshkruar  ndërhyrjen e NATOS. Unë jam mësuar që këta na kanë sjellë lirinë, por çfarë po ndodh më pas. Janë shumë pyetje, që lindin tek unë. Disa foto i kam bërë kur ka qenë KFORI i vendosur në Kosovë, kam shfrytëzuar rastin”.

Beqiri merr rolin e dëshmitarit për të raportuar për heronjtë edhe për të rënët, për miqtë edhe për armiqtë, të cilët për të në periudha të ndryshme kohore janë të ndryshëm.

Sokol Beqiri: “Është pyetje shumë e vështirë, mua më intereson transformimi i vazhdueshëm. Tendenca është që të gjendet një hero universal për të gjithë. Sot besoj dikë, nesër s’më del ashtu. Sot personalisht nuk shoh asnjë mik, asnjë armik”.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë hapur për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në datë 2 qershor 2019.

Rreth artistit

Sokol Beqiri lindi në vitin 1964 në Pejë, Kosovë. Ai studioi në Universitetin e Lublanës në Departamentin e Grafikës. Beqiri është një nga artistët më të njohur bashkëkohorë në Kosovë. Punët e tij më të dalluara janë nga cikli “Fundi i Ekspresionizmit: e pikturuar nga një i marrë” (2001), cikël i cili përfshinë projektet “Milka” (1999) dhe “Kur engjujt janë vonë” (2001). Beqiri ka ekspozuar në shumë institucione evropiane të artit dhe ka qenë pjesë e ekspozitave të rëndësishme, përfshirë Documenta 14 në vitin 2017.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?