Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim për një plagosje të ndodhur në shtator të viti të kaluar. Në pranga ka rënë Aleksandër Mehmetaj, i cili plagosi me armë zjarri Spartak Beraqajn 45 vjeç, ngjarje e ndodhur më 20 shtator të 2021 në Astir, Tiranë, pas një sherri ku u përfshinë të dy personat.
Mehmetaj dhe Beraqaj u përfshinë në një debat, pasi 45-vjeçari i kërkoi të riut të mos konsumonte drogë në sheshpushimin e pallatit ku banonin, por më pas situata degradoi duke bërë që ata të konfliktoheshin fillimisht fizikisht dhe më pas 21-vjeçari nxori armën dhe qëlloi në këmbë komshiun.
Gjatë kontrollit fizik pas arrestimit, Mehmetajt iu gjet një armë zjarri, 5 fishekë dhe 4 aparate celulare.
Ndërkohë, sipas Policisë, 21-vjeçari ishte shpallur në kërkim edhe për një plagosje të ndodhur në vitin 2018 në Durrës, ndërsa po ashtu ishte caktuar dhe urdhër-ndalimi, pasi ishte në kërkim për veprat penale "Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt" dhe "Mosbindja nga urdhrit të punonjësit të Policisë".
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.