I ngritur pak javë më parë, Komisioni për Monitorimin e Zbatimit të Reformës në drejtësi, ka përgatitur një raport për gjendjen aktuale. Fokusi i raportit të parë të këtij organi është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të rizgjidhet në 5 dhjetor.
Teksa pritet që presidenti i republikës, për të dytin vit radhazi të mos e hedhë shortin, Komisioni i Monitorimit i sugjeron Kuvendit që ta hedhë shortin, pavarësisht se nuk është ngritur KLGJ dhe KLP.
Komisioni i kërkon Kuvendit të bëjë atë që bëri edhe në dhjetorin 2017 kur Meta refuzoi të hidhte shortin, dhe të ngrihet një KED e përkohshme që do të fillojë punë nga 1 janari dhe që duhet të zgjedhë Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni i Pavarur për Koordimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, në raportin drejtuar Komisionit të Ligjeve, sugjeron rimarrjen e dispozitave kalimtare ligjore për zhbllokimin e ngërçit institucional.
Në raport thuhet se pas analizës së gjendjes, rekomandohet zbatimi i dispozitave kalimtare, rihapjen e procedurës së hedhjes së shortit për anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Aktualisht pranë Presidentit të Republikës, me qëllim hedhjen e shortit për ngritjen e KED-së, janë dorëzuar listat e kandidatëve nga Gjykata Kushtetutese, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria.
Emrat nuk janë dorëzuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Presidenti pritet të mos e ushtrojë kompetencën deri në 5 dhjetor dhe pas kësaj date, do të jetë Kuvendi ai që do ta hedhë shortin, i mbështetur dhe nga raporti i Këshillit të Monitorimit.