Çudira pa fund! Drejtues të PD e mandje mjaft të rëndësishëm që duhet të prodhojnë e zhvillojnë politikën e saj urojnë e përgëzojnë fillimin e një lëvizje populiste e cila në fakt objektiv kryesor ka eliminimin politik të PD dhe zëvendësimin e saj.
Madje, edhe si teza përdor të njëjtat, por me pretekstin e të resë dhe me metodat e populizmit dëshiron të prezantohet si e ardhmja!
Rreziku më i madh dhe kundërshtarët kryesorë për të ardhmen e PD nuk janë Berisha, Meta e Rama, sepse këta janë pjesë institucionale e klasike e politikës dhe janë pozicionuar si kundërshtarë të PD, por këta populistën e rinj që kanë vetëm një qëllim të shpartallojnë çdo formë institucionale politike në vend dhe përmes demagogjisë të kthehen sistemi i ri dhe establishmenti i ri.
Çdo aleancë e PD me populizmin për të mundur Berishën, Metën e Ramën, në një periudhë të afërt do të çojë në shkermoqje këtë forcë politike në të ardhmen!
Aleanca të ngjashme mund të japin forcë në fazën fillestare, por menjëherë do të jetë shkatërrimtare për PD duke forcuar populzmin që në fakt në fillim ka nevojë për Aleanca, por rrugës shkatërron çdo alternativë tjetër e kthehet në një formë diktature demagogjike duke dëmtuar sistemin klasik partiak e në të njëjtën duke dëmtuar demokracinë përmes eliminimit të alternativave.
Nuk bëhet PD alternativë me njerëz që qëndrojnë në PD për oportunizëm, por në të njëjtën kohë shikojnë e janë në pritje të ndonjë alternative të re. S'mund të kontribuosh për të bërë një PD të fortë kur si fillim nuk ke besim tek vetja dhe politikën nuk e shikon si çështje parimesh, idealesh dhe vizionesh. Reflektoni për hir të asaj që mbrojtëm me shumë sakrifica këto dy vjet! Nëse nuk e ndjeni të arsyeshëm një mision të tillë e nëse keni dilema për zgjedhjet e rrugët që doni të merrni, bëjeni tani, sepse më vonë do ketë kosto për ata demokratë që akoma besojnë e shpresojnë tek PD!
Po bëni pakt me djallin për të mundur xhindin! Po bëni zgjedhje dhe një aleancë të gabuar politike që do i kushtojë PD me eliminim politik! Kërkoni të mundni Ramën, Berishën e Metën e në fakt po kontribuoni për të krijuar një mostër politike që nuk do e kontrolloni më dhe do ju gllabëroi!