Rregulloni frymëmarrjen çuna, se edhe 3-4 ditë duhen që të mbarojë ankthi juaj i dëshpëruar.
8 marsi është afati i fundit i listës së kryetarit dhe pikërisht atëherë do të luhet nata e “thikave të gjata”. Më saktë seria e dytë e këtij filmi. Sepse të parën e kemi parë katër vjet më parë.
Do të prisni sërish deri në orën 24:00 me zemër të ngrirë, por nuk do të kapeni në gjumë si miqtë e Hitlerit, që u zgjuan të lebetitur pa e kuptuar asnjëherë derisa i vranë, se përse ishin caktuar armiq.
Dhe mos u mërzisni pastaj, kur të më dalë prapë fjala. Njësoj si kur ju thashë që mos hyni në atë derë, mor trima, mos i digjni mandatet apo që zgjedhjet lokale do të mbahen dhe asnjë shqiptar nuk do të vritet.
Sepse jam dakord me atë shprehjen e urtë, që po më gënjeve herën e parë, e ke fajin ti, por po ma bëre prapë, e kam fajin vetë.
Duket sikur perëndia e ka caktuar me dorë që ditë-nata tmerrësisht e gjatë e listave të mbyllura të jetë edhe festa e grave, ndoshta në mungesë të burrave.