Poeti sjell ‘Përjetësi me qira’, Moikom Zeqo: Më duket e pabesueshme, që arrita të jetoj deri në moshën 70 vjeç

1 Qershor 2019, 17:39| Përditesimi: 4 Qershor 2019, 11:08

  • Share

Vëllimi poetik “Përjetësi me qira” i shkrimtarit edhe poetit Moikom Zeqo vjen, si një metaforë për lavditë e rreme në jetë, për njerëzit që kërkojnë të marrin me qira deri në përjetësi meritat e rreme. Kjo ide ka qenë në vëmendjen e poetit, për të cilin ka shumë rëndësi botimi i këtij libri, që vjen në duart e lexuesit pas mungesës 12-vjeçare, koha që autori nuk ka shkruar poezi. Studiuesi Moikom Zeqo na rrëfen për kamerën e “ReportTV” se këto poezi i ka shkruar para 3 dekadash, asokohe kur nuk kishte rënë akoma regjimi komunist. Ai na tregon se ky koleksion niset nga një eksperimentim, ose përsiatje laboratorike të vargjeve të shkurtra, poezi me tre strofa edhe me pak rrokje, që kanë një lloj tendence për të krijuar një paraqitje të përkorë, duke i bazuar të gjitha kombinimet e fjalëve, në një fantazi krijuese për të krijuar metaforën, që për të është një nga sekretet më magjike, që ka vet gjuha.

“Janë poezi që lidhen me një meditimin, shpesh kozmik, por jo të pashkëputura nga peizazhet tokësore, sidomos nga vendet e mia të origjinës, Libohova, currilat dikur në Durrës, që sot është betonizuar ose viset e bregdetit, që kanë mundësi të pafundme, për ta bërë njeriun, që të bëjë një thellim shpirtëror edhe mendor, që shpesh të kujton atë që kanë poetin e lindjes, që quhet karma. Toka, deti, ajri edhe elementë të tjerë ekologjik, të krijojnë një rend për të thënë disa të vërteta universale, që janë të vërteta të vet jetës, pavarësisht se shpesh përmendet edhe vet vdekja”, shprehet poeti Zeqo.

Vështirësia e një shkrimtari apo poeti është përpjekja e tij drejt gjetjes ose shpikjes së një stili. Ndërsa, Zeqo i cili ka shkruar që në moshën 14-vjeçare poezi, e më pas vargjet e tij u kritikuan për hermetizëm, na flet edhe për vështirësitë e mëdha që has një autor shqiptar, para se të përkthehet në gjuhë të huaj.

“Është shumë e vështirë. Përkthimet që janë bërë nga njerëz jo poet nuk kanë qenë shumë të suksesshme, ndërsa ato që janë bërë fjalë për fjalë nga një tjetër, i marrë një poet profesionit mund të jenë më të suksesshme. Por, në vendin tonë ka shumë vështirësi, sepse ne nuk kemi institute të përkthimit, ndryshe nga çfarë ndodh me vendet e tjera të rajonit, që kanë edhe më pak popullsi, sesa jemi ne”, shprehet ndër të tjera poeti.

Në këtë 3 qershor studiuesi Moikom Zeqo feston edhe 70-vjetorin e lindjes. Ai na rrëfen sekretin,  se çfarë e mban gjallë trurin e njeriut.

“Më duket e pabesueshme, që arrita që të jetoj deri në moshën 70 vjeç. Aq më tepër që kam edhe një sëmundje të pashërueshme, megjithatë njeriu rininë e ka në mendimet e tij, përgjithësisht ushtrimet mendore, qenka e vërtetë që e mbajnë gjallë trurin e njeriut. Pleqëria mund të jetë një çështje empirike e trupit, por jo e trurit. Mendoj se kam arritur që të bëjë diçka, pa asnjë ndjenjë të lavdisë së rreme. Në këtë botë ku shitet çdo gjë mendohet se mund të blihet edhe lavdia, mendoj se jam një nga shqiptarët,që në kondita jo shumë pozitiviste për jetën time, me shumë elementë kundër meje, mendoj se njeriu me vullnet apo njeriu, që ka një vetëdije mund të bëjë diçka në jetë. Mendoj se kam bërë diçka, mund të kisha bërë edhe më shumë, por në poezi kjo është shumë e vështirë”, shprehet studiuesi.  
Përpos librit të tij me poezi, Moikom Zeqo në këtë 70-vjetor të lindjes ka shqipëruar edhe librin “Çfarë i thotë nata varkës së zbrazët” e autorit Wayne Miller.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?