Policët 4 muaj pa shpërblimin e premtuar, Ministri i Brendshëm: Shkak kriza e çmimeve, në maj do të marrin deri 150 % të pagës ata që punojnë larg shtëpisë

22 Prill 2022, 14:02| Përditesimi: 22 Prill 2022, 14:16

  • Share

‘Vitin që vjen, në formën e shpërblimit, do ta çojë pagën e punonjësve të policisë deri në 150% të pagës që marrin sot. Në këtë skemë ne do të përfshijmë të gjithë punonjësit e policisë, nga inspektori deri te drejtuesit e parë, të cilët punojnë jashtë vendbanimit të tyre’, deklaroi ministri Çuçi në 5 nëntor 2021.

Këtë premtim Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e bëri në Komisionin e Sigurisë, kur po  diskutohej projekt-buxheti i vitit 2022. Nga kjo rritje do të përfitonin 1179 efektivë të të gjitha gradave.

Pas 4 muajsh nga kalimi i buxhetit, punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit nuk e kanë marrë shtesën e premtuar. Ministri i Brendshëm pranoi vonesën gjatë interesimit të Report Tv, por shkakun e gjen tek kriza e çmimeve

‘Kemi pasur një ngadalësim të këtij procesi me krizën që ndodhi, por shumë shpejt, në mos gaboj në muajin tjetër, të gjitha ato që kemi premtuar dhe parashikuar në buxhetin e shtetit do të realizohen’, iu përgjigj Çuçi interesit të Report Tv.

Shqetësimin për policët që punojnë në distancë e ngre edhe kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta.

‘Në këtë periudhë të vështirë të krizës së çmimeve, do të ishte një ndihmë shumë e mirë për të gjithë punonjësit që punojnë jashtë vendbanimeve të tyre. E gjitha ka synimin që buxheti familjar të mos preket nga shpenzimet që sjell një punë disa kilometër larg vendbanimit të policit’, tha Fishata.

Përllogaritja e shtesës së pagës do të bëhet në bazë të kilometrave. Nga 20 deri në 60 km largësi, do të përfitojë 20%  mbi pagën. Nga 61 km deri 120 km, policët do të përfitojnë 30% më shumë dhe mbi 121 km, do të përfitojnë 50% mbi pagën mujore.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?