Edi Rama në studion e tij me mikeshën e rinisë, fotografuar nga Hubert Lobnig

Portreti i Ramës në rini, djaloshi që jetonte me artin dhe dashurinë

13 Maj 2018, 16:41| Përditesimi: 13 Maj 2018, 16:46

  • Share

Pesë artistë austriakë Iris Andraschek & Hubert Lobnig, Gelitin, Werner Reiterer, Anna Meyer dhe Franz Kapfer kanë çelur një ekspozitë që e rikthen orën e meditimit në vitet ‘90. Më mesin e perfomancave dallojnë godinat “e dërrmuara” nga pesha e varfërisë dhe apatia sociale që përfshiu vendin në prag të rënies së diktaturës. Ishte viti 1992 kur sistemi diktatorial sapo ishte rrëzuar.

Përmes kësaj varfërie të tejskajshme, e vetmja pasuri ishin njerëzit. Artistët austriakë erdhën në Tiranë për të ndihmuar të rinjtë e Shqipërisë së pasdiktaturës, ku gjetën teka ata të vetmen pasuri; dritat e shpresës, ëndrrat dhe dashurinë. Dy vjet pas rënies së komunizmit, edhe pse Shqipëria nuk i kishte ende të ndriçuara perspektivat e së ardhmes, atelietë e rrënuara të Akademisë së Arteve ishin kthyer në “zgjoje bletësh”, ku punohej me emocion dhe dashuri. Arti do ta merrte kthesën i pari në rrugën e demokracisë. Pedagogu më ri i Akademisë së Arteve, Edi Rama, që ende nuk i kishte mbushur të ‘30-at ishte frymëzues dhe shpërthente sëbashku me studentët në një entuziazëm artistik të atillë sa ka pikturuar edhe muret.

Arti, entuziazmi i lirisë dhe dashuria janë përfshirë në disa foto të kësaj ekspozite, foto të ruajtura prej 25 vjetësh nga Hubert Lobnig. Njëra foto është aq inocente, sa të duket e pabesueshme që i përket sot të njëjtit person, sot autoritar, ku Edi Rama mban në krahët e tij miken e rinisë dhe buzëqeshja e të dyve rrezaton një çiltërsi të veçantë.  Fotoja tjetër është vet piktori, një portret shumë afër të sotmit.

Kjo ekspozitë vjen në formën e artit të angazhuar, dhe artistët kanë synuar që të lidhin të përbashkëtat mes simbolikave të komunizmit e nazizmit, duke bërë paralelizma mes logove te rrjeteve sociale dhe atyre të ideologjive/sistemeve politike të dhunshme të shekullit të kaluar.

Ideja për ekspozitën me temën e hapësirës publike ka qenë e artistit Hubert Lobnig, i ftuar nga Zeta Gallery në Tiranë. Artisti austriak Lobnig ka synuar të jap një marrëdhënie kaotike të shoqërisë shqiptare me hapësirën publike të kryeqytetit, që nga viti 1992, kur vizitoi Tiranën për herë të parë dhe bëri një seri fotografish. Këto fotografi të bëjnë të kuptosh edhe ndryshimet aktuale në  hapësirën publike të Tiranës dhe piktori i ri i asaj kohe, Edi Rama, që ka autorësi edhe në trajtimin urbanistik të kryeqytetit të sotëm, do të futej në kurthin e kësaj marrëdhënieje me hapësirat që kur Lobnig njohu për herë të parë artistin-pedagog dhe ndoshta s’kishte si ta imagjinonte se një ditë do të ishte edhe kryeministër i Shqipërisë.  

Duke vëzhguar vjetërsinë tronditëse të ndërtesave të Tiranës, që të bënin të lexoje injorimin nga institucionet e diktaturës pothuajse mbi 30 a 40 vjet.  

Fotot ekspozitës janë bërë gjatë kohës kur artisti austriak Hubert Lobnig erdhi në Shqipëri me idenë që të punonte me disa studentë shqiptarë në Akademinë e Arteve. Ku sollën për të ndihmuar studentët edhe disa material e libra nga Austria, artistë austriakë kanë bashkëpunuar me ta duke qëndruar rreth një muaj në Shqipëri. Fotografitë e asaj kohe  ishin ruajtur më së miri, dhe mbase artistët nuk e kanë kuptuar se në arkivat e tyre kanë ruajtur portretin e panjohur në rini të kryeministrit aktual të vendit tonë sot. Janë bërë miq si artistë që ndajnë idetë dhe emocionet mes tyre, dhe ky rikthim sjell refleksione fantastike për një të kaluar që e kanë përjetuar të gjithë 20-30 vjeçarët e asaj kohe.

Ekspozita është shumë modeste, me pak detaje, por e kuruar bukur. Bunkeri i trashëguar nga komunizmi që ka në sfond flamurin e Europës, por edhe flamujt, emblemat, monumentet, shenjtorët, luajnë një rol të rëndësishëm në instalimet urbane të Franz Kapferit. Ai i përdor ato për të luajtur me perspektivën e njerëzve për gjërat e zakonshme, të përditshme, të cilat zakonisht merren si të mirëqena dhe të padiskutueshme.

 Në mënyrën e tij të përshtatjes së këtyre elementëve në punën e tij, Kapfer tenton të sfidojë dhe të rivendosë vëmendjen e shikuesve, duke i lënë ata të dalin nga zonat e tyre të rehatisë, në mënyrë që të perceptojnë mjedisin e tyre ndryshe dhe nga më shumë pikëpamje kritike.

Kulti i vazhdueshëm i heronjve kombëtarë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, ishte fokusi kryesor i punës së Kapfer, gjatë qëndrimit të tij në 2009, në Tiranë. Ai ka sjellë në këtë ekspozitë instalacione që lidhen me hapësirën publike.

Artistja Anna Meyer, ka sjellë përpunime përmes mediumit të pikturës dhe performancës së saj me vepra që na bëjnë të reflektojmë për pushtetin e mediave sociale, Facebook e të tjerë, që shumë prej politikanëve i ndihmojnë  që të vijnë në pushtet. Nga ekspozimi u pushtetit të tij në Facebook nuk përjashtohet sot as kryeministri Rama. Një element tjetër  i sjellë nga grupi i artistëve Gelitin. Duke marrë një element të rëndësishëm të fizionomisë njerëzore,  hundës, që shpesh i atribuohet disa popullsive si një element dallues i identifikimit etnik ose racor, ngriti një monument në hapësirën rurale, në Austri, në vitin 2014, për të luajtur, me ironi si zakonisht, me shoqërinë e një gjiganti, të varrosur në tokë, me hundën e tij të rraskapitur në sipërfaqe. Ekspozita u çel në bashkëpunim me ambasadën e Austrisë në Tiranë. Kjo ekspozitë me foto që të kujtojnë një tjetër kohë mund të vizitohet deri më 30 maj në Zeta Gallery.

Komento

Komente

  • Bashkebiseduesi: 14/05/2018 21:16

    SHUME E KA PLAKUR POLITIKA Z RAMA STRESI KRIMINALITETI NE PARTI LUFTA E OPOZITES TE GJITHA KETO E KA BERE RAMEN TE DUKET SI 70 vjec

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?