Në pritje të procedurave të apelimit që Skënderbeu do të bëjë pasi Komisioni i Disiplinës në UEFA ta dënojë për kupat e Europës, klubi korçar ka dy rrugë për të zgjedhur. Report Tv ka mësuar prapaskenat që përfliten në bisedimet që drejtuesit dhe avokati zviceran kanë bërë për të luajtur jo pak sa u përket vakumeve që sjellin çështje të tilla.
Me Skënderbeun që thuajse e ka fituar titullin kampion në Shqipëri, klubi korçar fiton të drejtën e pjesëmarrjes në turin e dytë të Champions League. Nëse klubi është i bindur për pafajësinë, atëherë kërkon gjykim në KAS-in e Lozanës dhe pret derisa të merret vendimi, duke marrë pjesë në aktivitet.
Në të kundërt, rruga e dytë është heqja dorë nga pjesëmarrja në Champions dhe pritja e vendimit të KAS-it pa procedura të përshpejtuara. Në rast se Skënderbeu do të shpallet i pafajshëm, sikundër pretendojnë zyrtarët e klubit, atëherë dëmshpërblimi është njësoj me vlerën sikur të kishte Ligën e Kampioneve, rreth 70 milionë euro.
Një gjë e tillë ka edhe riskun e saj nga pas, sepse nëse Skënderbeu shpallet i fajshëm, përveç mospjesëmarrjes në kupat e Europës, duhet të paguajë gjobën e majme nga UEFA, që për momentin flitet për 1 milion euro, dhe gjyqin në KAS, që shkon rreth 500 mijë euro, pa harruar reaksionin zinxhir të përjashtimeve të mundshme në futbollin shqiptar.