Gjatë seancës plenare të 16 prilli, e mbajtur në kushte të jashtëzakonshme për shkak të covid-19, deputetët votuan dy nisma për ndryshimin e Kodit Penal, duke ashpërsuar ndëshkimin për dhunën në familje si dhe kriminalizuar thyerjen e karantinës dhe sidomos infektimin me dashje të të tjerëve.
Pjesë e agjendës së Kuvendit ishte edhe një nismë e tretë e qeverisë për disa ndryshime të tjera në Kodin Penal, nismë e cila u tërhoq rrugës. Nisma u propozuar në kuadër të aktit normativ special kundër njerëzve të krimit dhe parashikonte kriminalizimin e e përdorimit nga njerëzit e krimit të pasurive që u janë konfiskuar. Konkretisht, projektligji parashikonte dënimin nga tre deri në shtatë vjet burg të personave që mbajnë apo përdorin pasuritë e sekuestruara, në mënyrë të pajustifikuar.
Por, projektligji u tërhoq përkohësisht, me vendim të Komisionit të Ligjeve. Nisma është kritikuar nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve. “Pikëpamja ime është se është një dispozitë e panevojshme dhe e keqshkruar. Ndoshta qeveria duhet të reflektojë në këtë aspekt”, ka pohuar Xhafaj. Anëtarët e tjerë të Komisionit të Ligjeve nuk kanë bërë komente rreth këtij propozimi, por janë fokusuar tek dy nisma e tjera, të cilat u vonuan më pas në seancë.
Ndërkaq, në një raport të Komisionit të Ligjeve thuhet se “nisma e Këshillit të Ministrave në lidhje me kriminalizimin e posedimit përdorimit, mbajtjes ose ruajtjes në mënyrë të pajustifikuar të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, për të cilat është vendosur konfiskimi, sipas legjislacionit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar e të korrupsionit, u vendos që të mos shqyrtohet në këtë fazë dhe të vlerësohet së bashku me nismat e tjera pas hyrjes në fuqi të aktit normativ me fuqinë e ligjit dhe nevojën e vlerësimit të saj në lidhje me dobishmërinë”.