SPAK

Preç Zogaj: Besimshtuar, me sytë nga SPAK dhe BKH

2 Qershor 2022, 16:22| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 16:28

  • Share

Pas nisjes nga puna me hapa të matur, që nganjëherë janë dukur edhe të ndrojtur, SPAK ka ardhur duke e ngritur stekën e goditjes. Duke iu afruar zonës së rreptësisë për të cilën është ngritur: korrupsionit të zyrtarëve e ish zyrtarë të lartë, krimit të organizuar. Që si rregull janë në simbiozë, anë të së njëjtës medalje. Veçanërisht në Shqipëri ku vjedhjeve dhe paligjshmërisë ekstreme në nivelin e kastave politike do ti përgjigjej si një e bëjnë dy një kriminalitet kapilar i stampës barbare.

Në këtë përparim hap pas hapi, muajt e fundit SPAK theu një tabu: Prangosjen dhe jo thjesht hetimin e zyrtarëve të lartë nga radhët e shumicës qeveritare. Ish Ministri, Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako po hetohen në gjendje arresti për dosjen e incerenatorëve. Po të shtojmë këtu rekursin për ish Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, që çoi në burgosjen e tij, kemi tre zyrtarë të lartë të partisë në pushtet që kanë përfunduar në pranga. Para se të ngrihej SPAK, kemi pasur raste të hetimit të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet por jo arrestimin e tyre.

Një kulm me vete, me ushtimin e një lajmi të mirë, është operacioni “Plumbi i artë”, i finalizuar me nxjerrjen e tridhjetë e dy urdhër arresteve për eksponentë nga më të rrezikshmit të botës së krimit të organizuar. Njëherësh me rihapjen e hetimeve për një numër të madh vrasjesh e ngjarjes të pazbardhura . Ky operacion pa precedent në shtrirje ka shërbyer si provë zjarri për institucionin që ngërthen shpresën më të madhe të shqiptarëve për ligj dhe drejtësi. Prej nga SPAK ka dalë më qartë se më parë aty ku e ka projektuar ligji dhe ku e presin pritshmëritë e publiku të gjerë. Besimi popullor në forcën e shtetit është më i madh, skepticizmi më i vogël , zhurmimi dhe politikat dekurajuese të armiqve të drejtësisë së re kanë marrë një goditje të fortë.

E dimë se ky operacion ka në pikënisje rrëfimet e të penduarit Nuredin Dumani dhe të një tjetri që duket se po pendohet pas tij. Shumë prej të penduarve të mëdhenj në botë, siç është përshembull rasti i italianit Tomaso Busheta, dëshmitë e të cilit shërbyen për ti dhënë mafias një goditje shkallmuese të panjohur më parë në Italinë e fundviteve tetëdhjetë dhe fillimviteve nëntëdhjetë, na tregojnë se pendimi në këto përmasa nuk vjen vetëm për hakmarrje brenda llojit, si brerje ndërgjegjeje apo si zgjim i një vokacioni shpirtëror të epërm. Këto elementë janë evidentë në vendimin e gjithkujt që vendos të bashkëpunojë me drejtësinë. Por duhet diçka më shumë. Duhet besimi tek institucioni ku do të rrëfehesh, te prokurorët , te njerëzit e ligjit. Për të qëndruar te analogjia me Bushetën, duhet DEA, duhet një Falkone, duhet të ndjerit e një erë të re të antikrimit në shtet.

Në Shqipëri ka ndodhur shpesh e ndodh që denoncimi i një krimi në polici dekonspirohet nga brenda dhe kthehet në fatkeqësi jo për kriminelin, por për denoncuesin. Ka pasur tundime dhe sprova pendese, që janë tkurrur e tërhequr shpejt duke parë pabesinë dhe dobësinë e shtetit, sundimit e krimit në vend të ligjit. Sipas ekspertëve të fushës, të dënuarit që vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë e nuhasin saktë “kur” dhe “ku”.

Nga kjo pikëpamje denoncimet e qytetarëve në SPAK dhe sidomos bashkëpunimi i të arrestuarve është tregues besimi ndaj tij. Dhe fakti është se SPAK nuk ka zhgënjyer e nuk po zhgënjen me pendimet e bujshme të javëve të fundit. Mund të imagjinohet sa vullnet dhe punë e kualifikuar është dashur për të gjetur e certifikuar në rrugë ligjore provat e ngjarjeve dhe rasteve të shpërthyera nga të penduarit. Ky është një bashkëveprim në proces që me shumë gjasa do të ndriçojë zona të tjera të errëta të botës së krimit, lidhjet me politikën, përmasat, përhapjen dhe mënyrën e funksionimit të vrasjeve me pagesë në Shqipëri si një biznes kriminal i fëlliqur. Njëherësh, SPAK me siguri do të bëhet promotor i përmirësimit të institucionit të të pendimit, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

SPAK e di shumë mirë punën e vet. Sfidat janë të mëdha. Rruga është në ngjitje. Ai ka nevojë për mbështetje të artikuluar nga qytetarët. Pjesë e mbështetjes janë edhe kritikat e argumentuara, profesionale. Që nuk kanë asgjë të përbashkët me denigrimin, me paragjykimin, me nihilizmin ekstrem, të përgenjështruar tashmë nga faktet që po vinë me radhë. SPAK gëzon mbështetjen e fuqishme të SHBA në kuadrin e premtimit amerikan dhënë popullit shqiptar për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë në sferat e larta, si kuçedra që ka bllokuar demokracinë në vendin tonë. SPAK nuk ka si të jetë indiferent ndaj kërkesave dhe pritshmërive më të larta të qytetarëve. Por SPAK nuk ka nevojë për “orientime” nga politikanë të stampës së vjetër apo edhe të rinj, që nuk e kanë idenë e pavarësisë së pushteteve, që janë mësuar t’i kenë prokurorët dhe gjyqtarët te këmbët e tyre, që janë për vetë subjekt hetimesh, që janë vetë arsyeja pse Shqipëria ndërmori në bashkautorësi me SHBA dhe BE reformën sui generis në Drejtësi.

Trimërimi rritet në betejë. Operacioni “Plumbi i artë” ka rritur besimin se me moton “askush mbi ligjin”, SPAK ka në shënjestër korrupsionin në sferat e larta. Të sotëm dhe të djeshëm. Lista e aferave të denoncuara është e gjatë. SPAK është thirrur në mision të hetojë, të ngrejë akuza dhe të kërkojë dënimin sipas ligjit të autorëve kushdo qofshin. Një mision mjaft i rëndësishëm është të hetojë dhe të shpallë se nuk ka vepër penale aty ku nuk ka. Politikës së vjetër tridhjetëvjeçare i ka volitur të fusë në thes akuzat politike me akuzat penale, faktet me shpifjet, abuzime të stërmëdha me shpërdorime të vogla. E gjithë kjo për të mbuluar të mëdhatë dhe për të mbajtur diskurin popullor për drejtësinë në nivelin e thashethemeve të ngjyrosura politikisht. E thoshte Makiaveli: Akuzat që u lihen shamatorëve publike vetëm e helmojnë shoqërinë, ndërsa ato që zbardhen nga drejtësia i bëjnë mirë asaj, qoftë kur dalin se janë të vërteta, qoftë kur dalin se janë shpifje. Vendi ka nevojë jetike për një drejtësi kurajoze e profesionale të lartësuar mbi të vërtetën. “Askush mbi ligjin” jo thjesht si parullë i sheh shqiptarët besimshtuar me sytë nga SPAK dhe BKH.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?