Në kushtet kur një Gjykatë Kushtetuese është tejet e brishtë, e ndrojtur dhe jo agresive për tu shprehur për çështjet që diskutohen paneleve, në vend të institucioneve, debati zgjat e polarizohet siç po ndodh për rastin e Sali Berishës.
Por qëndrimet janë opinione, edhe pse hyjnë në hullinë e përplasjes së palëve, ku ka akuza se kush është “tradhëtar”, kush “lake”, kush “servil” që në fund të fundit nuk pinë ujë pasi është vendimi e pozicioni politik që zgjidh gjithçka.
Sot, një grupim dukshëm opozitar, dukshëm afër Ilir Metës, siç është ai i disa aktivistëve për Teatrin, i kanë kërkuar Presidentit të mos e dekretojë Edi Ramën.
Duket një zhvillim jo krejt i rastësishëm, ngaqë edhe delegacioni i grupimit hyri zyrtarisht në Presidencë. Nëse sot një grupim, mund të shkojë në dispeçerin e selisë së kreut të shtetit, as mendohet se do të marrin audiencë, qoftë nga Meta, apo këshilltarët e tij.
E sot, realisht mjaft opozitarë, por jo vetëm sot, shpresojnë se Ilir Meta do ta refuzojë të dekretojë Edi Ramën, siç ka bërë dikur me ministrat e tij. Që ti tregojë “dhëmbët” këtij njeriu që jo vetëm se kanë votuar por duan ta largojnë sa më parë, madje e shprehin edhe si qëllim kryesor politik.
Por a mundet Ilir Meta ta refuzojë dekretimin e qeverisë së mazhorancës që ka fituar nga zgjedhjet e certefikuara? Ligjërisht jo, por edhe në rastin e ministrave Meta, nuk se e kishte këtë kompetencë, por tejkaloi ligjin dhe e bëri.
Shqipëiria ka dy precedentë shumë të rëndësishëm politik të sjelljes së krerëve të shtetit, kur këta të fundit konsideroheshin kundërshtarë politik të mazhorancave që fituan zgjedhjet.
Është precedenti i vitit 1992 dhe ai i vitit 1997. Më 22 mars 1992, Partia Demokratike fitoi së bashku me aleatët e saj shumicën e vendeve në Parlamentin e Republikës.
Kryetar i shtetit ishte Ramiz Alia, i cili deri në vit më parë ishte rivali politik i PD-së, por kur u zgjodh President në vitin 1991 dorëzoi teserën dhe nuk ishte më as anëtar i PPSH-së, e as i Partisë Socialiste që u krijua më 12 qershor 1991.
Por Ramiz Alia mendoi se nuk do të duhet ai të dekretonte qeverinë e Partisë Demokratike, nuk i shkonte, sa kishte luftuar kundër saj publikisht. Dy ditë pas ditores së PD-së, dha dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit. Ndaj Parlamenti i ri zgjodhi Presidentin e ri Sali Berishën, e më pas qeverinë e Aleksandër Meksit.
Gjashtë vjet më pas, në verën e vitit 1997, Partia Socialiste fitoi mbi 2/3-at e Parlamentit të Shqipërisë në zgjedhjet e qershorit.
President i Republikës ishte Sali Berisha.I cili ndryshe nga Ramiz Alia nuk ishte ç’regjistruar nga Partia Demokratike, por formalisht ishte anëtar kryesie, ndërkohë që realisht ishte kryetar i saj.
Berisha, pasi dekretoi thirrjen e Parlamentit të ri, dha dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, e mori drejtimin e Partisë Demokratike. Parlamenti i ri, zgjodhi President të Republikës, Rexhep Meidanin, i cili menjëherë dekretoi kryetarin e PS-së, Fatos Nanon në postin e kryeministrit për të formuar qeverinë e re, gjë që ndodhi po atë ditë.
Në historinë botërore nuk ka pasur mbretër e as Presidentë që nuk e kanë dekretuar qeverinë e shumicës që nuk e kanë dashur. Edhe pse kanë shprehur publikisht objeksione.
Mund ta bëjë Meta, që të dëgjojë Budinën e grupin e tij e të bjerë në një standard më të ulët se pasardhësit e tij që pikërisht se nuk donin të dekretonin një qeveri se e urrenin dhanë dorëheqjen?
Në kushtetutë thuhet: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.
Në një nen tjetër thuhet: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen
shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”./TemA