Politikë

Prej 4 muajsh në qeli, Gjykata e Lartë shqyrton nesër rekursin e Metës! Gjokutaj: Mund të lirohet! Ka bashkëpunuar me Kryemadhin, përse kanë masa sigurie të ndryshme?!

26 Shkurt, 16:48| Përditesimi: 26 Shkurt, 21:54

  • Share

TIRANË - Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ditën e nesërme rekursin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit që kanë kundërshtuar masën e sigurisë të dhënë ndaj tyre, lidhur me hetimet e SPAK për CEZ/ DIA dhe lobimin në SHBA të LSI-së.

Seanca e rekursit të Metës do të nis në orën 10:00 paradite dhe çështja do të shqyrtohet nga trupi gjykues Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Avokati Genc Gjokutaj u shpreh besimplotë se Gjykata e Lartë do të lirojë nga burgu Ilir Metën.

Pyetjes së Report Tv nëse mendon se Gjykata e Lartë nesër mund të ketë ndryshim mase për Metën u përgjigj

"Po sigurisht. Meta nuk ka asnjë kusht dhe kriter për tu mbajtur në atë masë izolimi. Ju e kuptoni që SPAK thotë se është në bashkëpunim me Kryemadhin, ajo në "detyrim paraqitje" dhe Meta në burg. Nuk mund të ketë bashkëpunim dhe masat të jenë diametralisht të kundërta. Kjo kontradiktë i mbetet ndërgjegjes së SPAK. Sigurisht që Gjykata e Lartë nesër do të vendosë. Jemi në pritje. S'mund të them më shumë" tha Gjokutaj gjatë një prononcimi për median në oborrin e GJKKO-së sot në mesditë.  

Ilir Meta është arrestuar në 21 tetorit 2024 dhe ndodhet në paraburgimin 313 në Tiranë, teksa bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Ndaj Kryemadhit, u vendos masa e sigurisë, 'detyrim paraqitje' në OPGJ.

Për Metën, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.

Edhe Kryemadhi me masë sigurie “detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme. Ndaj saj rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre. 

G.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?