Kronikë

Vijon zjarri në Belishovë të Mallakastrës! Riaktivizohet vatra në Borsh, kërkohet ndërhyrje nga ajri (VIDEO)

19 Korrik, 07:52| Përditesimi: 19 Korrik, 12:24

  • Share

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, 30 trupa të ushtrisë, i janë bashkuar operacionit për neutralizimin e flakëve në Belishovë të Mallakastrës. Shërbimet zjarrfikëse, efektivët e emergjencës civile dhe të policisë bashkiake po vijojnë pa ndërprerje punën, ndërsa flakët mëngjesin e sotëm duken me intensitet më të ulët. Ende nuk është bërë vlerësimi i situatës, për të bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.

Zjarri sot është në ditën e 6- të të tij, duke nisur fillimisht në masivin pyjor të Drenovës, për të kaluar në kodrat e Gorishovës ku u dogjën dhjetëra rrënjë ullinj, e për të përfunduar në Belishovë, ku mbrëmjen e djeshme flakët dolën jashtë kontrollit.

Ndërkohë, është riaktivizuar zjarri edhe në Borsh. Për shkak të bimësisë së dendur dhe terrenit të vështirë, nuk ndërhyhet dot nga toka dhe është kërkuar ndërhyrje nga ajri.

Ora 11:13
Vlorë/ Riaktivizohet vatra e zjarrit në malin e Dukatit, era favorizon përhapjen e flakëve! Rrezikohet Parku Kombëtar i Llogarasë (VIDEO)

 

Në malin e ‘Shën Gjergjit’ në fshatin Dukat të Vlorës mëngjesin e sotëm është riaktivizuar vatra e zjarrit. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.

Aktualisht në terren po punojnë 10 forca zjarrfikëse dhe 3 punonjës të shërbimit pyjor. Për shkak të terrenit të thyer dhe bimësisë së dendur, forcat në terren e kanë të vështirë ta vendosin situatën nën kontroll.

Në këto kushte, Bashkia Vlorë ka kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopter dhe angazhimin e 30 forcave të armatosura, me qëllim përballimin e flakëve dhe vendosjen e situatës në normalitet, pasi zjarri po rrezikon  Parkun Kombëtar të Llogarasë.

 

Ora 09:47
Zjarret në vend/ Mbrojtja: Gjatë 24 orëve janë raportuar 20 vatra, 4 ende aktive! 52 hektarë me shkurre dhe bimësi të djegur

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec,  Delvinë,  Memaliaj dhe Malësi e Madhe.

"Vatrat aktive:

Qarku Dibër - Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale, por terreni i keq dhe intensiteti i madh që ka zjarri vështirëson puën për vendosjen e saj nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Malit të Dejës, por po mbahet nën monitorim për shkak të sipërfaqes së madhe që kapërshkuar. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 forca nga FA, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Qarku Dibër - Bashkia Bulqizë - Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Vetëm një vatër është aktive, e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila po zhvillohet në terren të vështirë, në sipërfaqe me shkurre e dushqe. Vatra e zjarrit po mbahet nën kontroll nga forcat në terren. Si pasojë është përshkuar rreth 33 ha sipërfaqe me dushqe, shkurre dhe barishte.

Qarku Fier, në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë, i cili u riaktivizua më datë 14 korrik. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit, për shkak të erës. Po punohet nga forcat operacionale për shuarjen e tij.

Qarku Vlorë - Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në mbrëmje vatra e zjarrit është riaktivizuar dhe u ndërhy nga efektivët e MZSH Himarë me pompa shpine, duke izoluar atë. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e sotëm vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen me trupa, pasi është terren i vështirë. Ditën e sotme po punojnë për shuarjen e tij 4 efektivë të MZSH Himarë dhe 1 helikopter i FA-së.  Si pasojë u dogj rreth 10 ha sipërfaqe me shkurre", informoi sot Mbrojtja.

Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë 3 automjete zjarrfikëse dhe 50 forca nga FA. Ditën e sotme nga FA, në operacion për shuarje zjarri janë angazhuar 30 forca ushtarake dhe 2 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe 1 helikopter.

"Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri", përfundon njoftimi.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?