Gazment Bardhi, kreu politik i PD në Fier gjatë zgjedhjeve

Politikë

Prej tre ditësh ‘i humbur’ pas disfatës së thellë në Fier, Bardhi shfaqet dhe flet me gjuhën e Berishës: Ishim përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar!

13 Maj, 22:44| Përditesimi: 13 Maj, 23:13

  • Share

Pyetja më e rëndësishme e tre ditëve të fundit ishte “ku ndodhet Gazment Bardhi”?

Kreu politik i qarkut të Fierit për Partinë Demokratike, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të saj, ka ‘korrur’ një ‘humbje madhështore’, ku PD aktualisht rrezikon të humbasë edhe një tjetër mandat që mund t’ia marrë koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e Lapaj-Shabani.

Deputeti është shfaqur vetëm sot pasdite me një mesazh në rrjetin social Instagram, ku falënderon të gjithë mbështetësit dhe votuesit e djathtë që i besuan PD-ADSHM në zgjedhjet e 11 majit.

Por ajo që bie në sy është gjuha e komunikimit apo alibia e gjetur për këtë humbje të thellë, që ishte e ngjashme me atë të kryetarit Sali Berisha gjatë dy ditëve të fundit, ku akuzohet qeveria dhe strukturat e saj si të implikuara në blerje apo vjedhje vote.

“Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!”, shprehet Bardhi.

Duket se kjo do të jetë edhe strategjia e re politike e opozitës për legjislaturën e re në Kuvend, duke mbajtur motivin e “vjedhjes së zgjedhjeve”.

PD me 39.314 vota, ose 25.45%, arrin të marrë vetëm 4 deputetë në qarkun e Fierit, përballë 12 të tillëve për Partinë Socialiste, teksa rrezikon të humbasë edhe një tjetër pas 'kërcënimit' nga Nisma Shqipëria Bëhet me votën e diasporës.

Ky qark do të çojë në Kuvendin e ri për momentin; Gazment Bardhin, Luan Baçin, Eduart Sharkën dhe Brunilda Haxhian, e cila vjen nga radhët e aleatëve të tyre të Partisë së Lirisë. Nga lista e mbyllur e PD mandatin e ka humbur Saimir Korreshi, i cili renditej i pesti

Mesazhi i Gazment Bardhit:

“Një falenderim zemre!

Me zemër të thyer se zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falenderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!

Ju falenderoj me zemër për qëndresën dhe besimin! Një falenderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur!

Ne do të qëndrojmë së bashku të panënshtruar, sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë!”.

Postimi i Gazment Bardhit në Instagram

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Pse sipas jush vonohet kaq shumë procesi i numërimit: