Banorët e fshatit Bërxullë, pronat e së cilëve preken nga autostrada Thumanë-Kashar, protestuan përpara parlamentit, por askush nga deputetët që ndodheshin në seancë plenare, nuk erdhi të dëgjonte shqetësimin e tyre. Me thirrjet ‘Duam Pronat tona’, ata kërkojnë shpronësime të drejta sipas çmimeve të tregut.
“Në pozitë apo në opozitë, apsolutisht asnjë deputet. Edhe pse ju kemi ardhur tek dera, asnjë nga opozitarët nuk dënjojnë të luajnë nga karriget e parlamentit”, tregoi një banor.
“Ka 45 ditë që ne protestojmë dhe nuk vijnë as të opozitës, as të opozitës”, u shpreh një tjetër.
Me thirrje e pankarta në duar, ata i dhanë edhe një mesazh politikës.
“Nuk ka ngjyrim politik. O të vije të bashkohet me hallin që kemi ne se për politikë këto kanë të njëjtën lëkurë. Të dyja palët”, tregoi një tjetër.
Të vendosur, banorët shprehen se nëse nuk shpronësohen me vlerën e tregut, por dhe nëse nuk ndërtohet një rrugë dytësore, dhe mbikalime dhe nënkalime, do ta mbrojnë pronën e tyre me çdo formë, nëse do të jetë nevoja edhe me me dhunë.
“Po vijnë në mënyrë hajdutëshe për të kryer punimet, firma koncesionare. Do e mbrojmë me ligj. Do e mbrojmë me gjak. Dy shtëpi mi shkatërron, 3 dyzim e gjysmë tokë mi shkatërron”, tha një tjetër.
“Nëse janë të gatshëm të bëjnë 100 lapidar tek ne pa filluar rruga, lejë ta bëjë, nëse do shteti të bëje luftë me ne, le ta bëje”, përfundoi një tjetër.