Presidenca: Berisha presion
ultimatumi i papranueshëm

17 Prill 2012, 19:37| Përditesimi:

  • Share
TIRANE – Kryeministri Berisha tentoi të zhvendosi krizën nga Parlamenti tek Presidenca, përmes një “presioni verbal e mediatik”. Është ky reagimi i rrufeshin i institucionit të Kreut të Shtetit pas akuzave për shkelje të Kushtetutës nga Presidenti Topi që Berisha bëri sot në konferencë për shtyp.

Presidenca i ka cilësuar “të papranueshme” deklaratat ultimative të Kryeministrit në lidhje me nën kryetarin e KLD-së.

Ndërsa “akuza se Presidenti ka bërë shkelje të Kushtetutës e merr përgjigjen nga arkivi i Gjykatës Kushtetuese që disa herë është shprehur kundër vendimeve të Qeverisë. Asnjë vendim i Presidentit nuk është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në vijim deklarata e plotë e këshilltarit të Presidentit Topi, Afrim Krasniqi:

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë, neni 147, pika 3, ka ushtruar të drejtën e tij për të propozuar një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vendin vakant të Zëvendëskryetarit.

Akti kushtetues i Presidentit është ndeshur me një fushatë bllokuese dhe denigruese të ndërmarrë nga zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe mazhorancës, përfshirë sot edhe Kryeministrin e vendit. Në përpjekje për zhvendosjen e krizës politike nga parlamenti në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për tërheqjen e vëmendjes nga skandalet politike të radhës, - Kryeministri dhe zëdhënësi i tij në Ministrinë e Drejtësisë, shpallën publikisht synimin e tyre për të deleguar në detyrën e lartë të Zëvendëskryetarit të KLD-së njërin prej kandidatëve të preferuar politikë, të zgjedhur në mënyrë të debatueshme në Parlament. Duke refuzuar votën konkurruese dhe procedurat kushtetuese, ata zgjodhën edhe këtë herë mjetet e presionit mediatik dhe verbal, shantazhin politik mbi Institucionin e Presidentit dhe të anëtarëve të tjerë të KLD-së, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues në vend dhe integritetin e institucioneve kushtetuese.

Presidenti i Republikës vlerëson se deklaratat ultimative për të deleguar përfaqësuesin politik të Parlamentit në postin kushtetues të Zëvendëskryetarit të KLD-së janë sa të papranueshme, aq edhe një zhvillim negativ për shtetin e të drejtës në Shqipëri. Sulmi denigrues dhe i padenjë për një zyrtar shteti ndaj Presidentit të Republikës, lidhet me mentalitete e sjellje të periudhës kur vendi drejtohet nga partia – shtet.

Këto zhvillime dhe presione politike të radhës për të kontrolluar pushtetin gjyqësor, - përveçse një goditje ndaj sistemit të drejtësisë, ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ndaj sistemit kushtetues në vend, - janë edhe një shkelje e rëndë e standardeve dhe kërkesave që Shqipëria duhet të përmbushë për marrjen e ftesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në deklaratat e zëdhënësve të Kryeministrit dhe të vetë Kryeministrit pretendohet se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën duke propozuar një gjyqtar në postin e Zëvendëskryetarit të KLD-së. Për çdo person me njohuri minimale juridike, që merr mundimin të lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 të cituar në mënyrë spekulative në deklaratat e tyre të sotme, do të ishte i papranueshëm shtrembërimi dhe keqpërdorimi i këtij vendimi për të përmbushur synimet e tyre politike.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rrëzuar ndryshimet që iu bënë ligjit organik të KLD-së në vitin 2005, sepse me këto ndryshime të gjithë anëtarët e KLD-së ktheheshin në zyrtarë me kohë të plotë. Qëllimisht nga mazhoranca sot nuk përmendet dispozitivi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në mënyrë konkrete ka shfuqizuar 5 nene të ndryshimeve në ligjin organik dhe ka lënë në fuqi nenin 12, nen, i cili në mënyrë shumë të qartë shprehet se Zëvendëskryetar i KLD-së mund të jetë edhe një nga gjyqtarët që janë anëtarë të KLD-së, por me kushtin që në momentin e zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit.

Akuzat e tjera se Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të Kushtetutës tani e më parë gjatë mandatit të tij presidencial, përveç sa u tha më lart, e merr përgjigjen direkt nga arkivi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjatë pesë viteve të fundit ka vendosur me të drejtë në 10 raste kundër akteve ligjore të ndërmarra në mënyrë partizane nga ana e Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, siç janë rastet e marrëveshjes së kufijve detarë, ligjin e pronave, etj. Asnjë vendim 5-vjeçar i Presidentit të Republikës nuk është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se, edhe në rastin e fundit, kemi të bëjmë vetëm me një vendim interpretues të procedurave të rotacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Praktika e shkeljes së Kushtetutës faktikisht është bërë nga të tjerë, duke nxjerrë akte ligjore në kundërshtim me të, duke mbajtur në sirtaret e parlamentit pa asnjë përgjigje dhe vendim siç edhe vijon të ndodhë, dekrete presidenciale për emërim në Gjykatën e Lartë, duke kryer emërime antikushtetuese në Forcat e Armatosura apo duke imponuar cënimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe zëvendësimin e drejtuesve të tyre me individë me karrierë të qartë politike e partiake.

Akuza tjetër tashmë e konsumuar se Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit po përdoren në funksioneve të projekteve politike të ardhshme janë gjithashtu të pabaza, spekulime dhe jo serioze, sidomos kur bëhen nga individë, të cilët në kujtesën tonë publike dhe personale mbahen mend për shndërrimin real e publik të këtij Institucioni në vend-mbledhjes të kryesisë së partisë.

Edhe njëherë Presidenti i Republikës deklaron se është i vendosur t’i qëndrojë besnik deri në fund betimit të tij kushtetues, në shërbim të interesave madhore të vendit, duke nxitur bashkëpunimin institucional, frymën e dialogut dhe kohezionin social në shoqërinë shqiptare.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?