Ahmet Zogu, ka qenë presidenti i parë në Shqipëri. Por nuk qëndroi gjatë. Pas saj, ai u (vetë) shpall mbret. Ndoshta ndjehej më “rehat” duke qenë i tillë, por duhet thënë se mbret ai u bë, kundër dëshirës popullore.
Fundi i tij, dihet. Iku për të mos u kthyer më kurrë si mbret, dhe mbeti njeriu që la vendin në momentet më kritike, duke ja mbathur bashkë me thesarin e shtetit. Shqipëria ka eksperiencë të hidhur nga “mbretërit”, nga ata që e kanë përfaqësuar në botë, si kryetarë shteti. Gjatë kohës së komunizmit, kishim Haxhi Lleshin “kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor”, që luante rolin e “presidentit”, por që kurrë nuk veproi si i tillë. Në 1992, në postin e lartë të presidentit erdhi Sali Berisha,njeriu simbol i keqdrejtimit dhe shpërdorimit të atij posti të lartë. Duke patur kompetenca të pakufijshme dhe të padiskutueshme në atë periudhë (kaq të errët) Berisha president, drejtonte partinë, ushtrinë, policinë, bujqësinë, financat, arsimin, shëndetsinë, postën, bankat, peshkimin, mediat e veta, etj, etj… Shqipëtarët provuan për afro 7 vjet mbi kurrizin dhe xhepat e tyre, pushtetin e presidentit, njeriut që do ti vinin “vizën” në zgjedhjet e postrrebelimit, ku si shkaktari kryesor ishte zemërimi ndaj kreut të shtetit.
Pas tij, erdhën njerëzit e duhur, që paçka se vinin nga e majta, ishin seriozë, të matur, korrektë ndaj zbatimit të ligjit, bashkëpunues, dhe dinjitozë. Sot aktualisht presidenti i vendit, nuk ka kompetencat e Sali Berishës. Ato i janë hequr me vendim Parlamenti. Por ç’rëndësi ka kjo. Sot grupimet parlamentare kanë nisur konsultimet dhe bisedimet e hapura dhe të mbyllura, për ti gjetur vendit një emër të përshtatshëm për president. Në fakt, zhurma ka nisur e madhe, por duke patur parasysh se posti i presidentit në Shqipëri nuk vlen më shumë se dekretimet apo ç’dekretimet apo dhe dekorimet, mendoj se procedurat janë më të thjeshta se ç’duken. Ndoshta ndryshimet kushtetuese, do të duheshin për ta zgjedhur nga populli kreun e shtetit. Dhe ashtu duhet të ndodhë. Vende të përparuara dhe me demokraci të zhvilluar, presidentin e vendit e zgjedhin nga vota popullore, dhe ai jep llogari para tyre. Nuk ka pse, që propozimet apo emrat të dalin nga deputetët apo grupimet parlamentare, por ato duhet të dalin nga të gjitha partitë politike me konsensusin e duhur. Ndryshe ajo më tepër ndërlikon procedurat e përzgjedhjes (ashtu siç ndodhi kur u zgjodh Moisiu) dhe krijon hamendësi për njërën apo tjetrën palë. Emrat duhet ti propozohen një komisioni shumëpalësh, dhe pas përzgjedhjes, (dy prej tyre) ato duhet të votohen nga populli. Por deri atëhere, do të duhet që presidentin ta zgjedhë, apo emërojë (pavarsi konsultimeve) politika.
Kjo ka qenë dhe mbetet një eksperiencë e padryshuar tek ne. Një president nga populli, do të ishte zgjidhja e duhur për të qetësuar “ujërat e politikës” aktuale. Por momentalisht kjo gjë, nuk mund të ndodhë. Ajo duhet të bëhet realitet në zgjedhjet e presidentit të ardhshëm, pra pas 4 vitesh. Figura e tij, shihet nga ne si “babai i kombit”, dhe që realisht duhet të jetë mbi palët. Dalja e emrit të tij akoma nga “portat” e politikës, natyrisht nuk e identifikon atë si “asnjëanës”.