Nëse do të kuptoje dhe të zbërtheje të gjithë paradoksin serb të zgjedhjeve mund ta kuptoje nga një element i thjeshtë. Kishte pesë kandidatë të së Djathtës dhe dy që shkonin dhe pak përtej vijës ideologjike të së Djathtës. Tek këta dy të fundi ishin edhe mëtuesit kryesorë të postit të presidentit: Vuçiç dhe Ponos. I vetëm mbetej një kandidat që lidhej me të Majtën mjedisore (Stojkoviç). Ajo që po lidhet me zgjedhjet në Serbi në këto momente është shumë më e thjeshtë sesa mendohet. Paqartësia e madhe për të ardhmen. Ambiguiteti. Dhe dekadenca politike.
Çfarë kërkese politike kanë ata? Në fakt, fitorja bindëse e Vuçiç ua tregoi hapur. E Djathta e tij është e duhura. Jo shumë larg, në Tiranë, kjo pyetje u vjen rëndom analistëve dhe politologëve shqiptarë: Çfarë kërkese politike ka elektorati shqiptar? Po të dëgjosh emisarët e të Majtës, duke nisur nga kryeministri i vendit e me rradhë është vetëm një: E Majta e drejtuar nga ai. Dhe, ka një farë të drejte: Opozita e Djathtë braktisi zgjedhjet. Ndërkohë që opozita shqiptare është përçarë keqazi për të zgjidhur problemin me identitetin. Po a ka kohë për shqiptarët të presin të bjerë inati i Berishës me SHBA? A ka kohë të pritet që Basha të bëjë ture lluksi në Shqipëri për t’u rikthyer?
Dhe, çështja që shtrohet sot më së shumti ndër shqiptarë pse nuk po përballen me ide?! Pse nuk na tregojnë alternativa, porse vetëm fjalinë flamur: Me ne do të jetë më mirë. Ata (Lexo të Majtët) janë të korruptuar.
Si ka të ngjarë që në vendin tonë nuk shtrohet si imperative mundësia e vendosjes së referendumeve? Si ka mundësi që vetë opozita nuk ka një qëndrim unanim sa i përket përcaktimit Non-Grata? Cili është modeli ekonomik i vendit dhe ai që duhet të ndiqet? Raporti ynë me partnerët strategjikë? A mund të krijojmë një system zgjedhor, që të mësohemi ta respektojmë? Dhe, vijon një listë e tërë…
Politologu serb Aleksej Kišjuhas për këndvështrimin e shoqërisë dhe politikës së vendit të tij i referohej në shkrimin e tij “Šta hoćemo?” (Çfarë duam?) shkencëtarit politik Juan Linz. Llogaritja e asaj që sot është dhe njihet si autoritarizëm i pastër dhe që tregon realitetin e vendit të tij.
Linz e përkufizoi autoritarizmin si kategori e identifikuar me katër cilësi:
1-Pluralizmi i kufizuar politik me kufizime mbi legjislativin, partitë dhe grupet e interesit.
2-Legjitimiteti politik bazohet në thirrjet ndaj emocioneve dhe identifikimin e regjimit si një e keqe e nevojshme për të luftuar “problemet shoqërore lehtësisht të dallueshme…”.
3-Mobilizimi minimal politik dhe shtypja e aktiviteteve kundër regjimit.
4-Pushtetet ekzekutive të keqpërcaktuara, shpesh të paqarta dhe të ndryshueshme, që zgjerojnë fuqinë e ekzekutivit.
Duke iu kthyer rastit shqiptar, nuk është se Rama po i shtyp aktivitetet kundër qeverisë, por ai i deligjitimon me një propogandë deri me nëpërkëmbje, ashtu si mbështetet nga shumë që e shohin përpjekjen e shoqërisë civile si shumë të manipuluar dhe të padobishme të marrë përsipër kauza të mëdha. Paradoksi është se këtyre zërave por në një formë tjetër i bashkohet edhe opozita!!! Protestat e fundit ishin rasti më i mirë. Ndërkohë që pushteti i tij ekzekutiv në Shqipëri është kaq i madh saqë e ka bërë vendin të jetë krejt nën pushtetin e një ekzekutivi, që është papërgjigje dhe një fotokopje e keqe e kryeministrit të vendit, që shpesh i duhet të mbulojë mungesën e taktit të ministrave por edhe arogancën e lodhshme të njerëzve që nuk e njohin realitetin. Dhe, po ashtu, pushtetit autoritar i shkon edhe thënia që përsëritet shpesh nga Rama: Mbase nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka!
Me Serbinë, vendin me të cilin ndajmë peshën kryesore në “Balkan Open”, askush nuk fliste para zgjedhjeve për demokraci apo anëtarësim në BE. Dhe, si dikur, serbët në media derdhin ditirambe për investitorët e huaj, bujqësinë dhe fshatarin mitologjik serb, ujin e pastër, tokën dhe ajrin dhe se ata do t’i përmbahen Kushtetutës, thotë studiuesi Aleksej Kišjuhas. Ndërkohë që problemet në sipërfaqen e dukshme të shoqërisë serbe kanë qenë të majisura prej kohësh: pabarazia e madhe në të ardhura, korrupsioni dhe partokracia e shfrenuar, mungesa e demokracisë dhe lirisë së medias, arsimi i dobët, emigracioni masiv dhe një mjedis i mjerueshëm. Të gjitha pjesë e politikës së Vuçiç, që tashmë nuk ndalet. Si dy pika uji, me të gjithë masën e problemeve në vendin tonë. Dhe, të gjitha rrjedhë e një autoritarizmi të frikshëm. Anipse zgjidhja e këtyre problemeve është e pamundur po nuk e pamë realitetin në sy. Serbët nuk i panë më 3 Prill dhe e vendosën në fron Autoritarizmin. Po Shqipëria, kur të zgjidhi problemet me opozitën dhe pushtetin e plotë të Ramës? I mbetet kohës. Megjithatë ndërsa Vuçiç e shprehu me fjalë indirekt se ai është i vetmi…, Rama duhet të jetë i kujdesshëm nga pushteti që i është dhënë dhe që me sa duket ende nuk po mjedisohet tamam. Ballkani i liderave kinse “të rinj” mban erë bajagi Autoritarizëm.
Tradhëtia e ka emrin Edvin K Vucici
Përgjigju