Ndërsa Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Komisionit të Venecias që të shprehet sërish për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, ka rinisur një sulm ndaj institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Në mënyrë të qartë po sulmohen anëtarët e Kushtetueses që nuk janë emëruar nga Ilir Meta, me emër dhe mbiemër.
Janë qarqet pranë presidentit që po qarkullojnë qasje të bazuara në “dyshime”, por që kthehen në skenare të fantaksura që madje kthehen në ligjëratë të drejtë.
Që të jemi në fokus: Kushtetuesja po mbahet nën presion përpara vendimit të kësaj të fundit për zgjedhjet lokale.
Për të cilin, përveçse tentohet të kondicionohet dhe vendimi për shkarkimin e presidentin, por edhe për t’i prerë rrugën një opinioni të Venecias, i cili në fakt është shprehur për zgjedhjet e vitit 2019.
Pasi ka dështuar shënjestrimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ndaj të cilit u ndërmor një fushatë e turpshme, tani fabula ka ndryshuar.
Po të njëjtët qarqe, tani po hedhin në eter fabulën se nuk është Soreca më, por kryebashkiaku Erion Veliaj që ka marrë në dorë situatën për të bindur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Mjafton një frazë e këtij skenari, për të treguar se edhe ky skenar është më i fantaksur si ai i pari ndaj ambasadorit Soreca.
“Dyshimet janë se mes Veliajt dhe Elisabeta Imerajt ishte bëre një pakt i fshehtë: ‘Ti më mbulo krahët për çështjet e shumta që unë kam në prokurorinë e Tiranës, unë të suportoj politikisht për të sfiduar ndërkombëtarët në vetting’”, thuhet në qasjen e detashmentit mediatik pranë Ilir Metës.
Pra, kulmi i fantazisë është kur dyshimet kthehen në dialog, madje edhe në stenografi, apo “zbardhje përgjimesh”.
Por për të parë thelbin e kësaj loje mjafton të shikosh se kush sulmohet.
Janë katër anëtarët e Kushtetueses: Fjona Papajorgji, Elsa Toska, Altin Binaj dhe Vitore Tusha.
Ndërkohë nuk preken tre anëtarët që ka emëruar Ilir Meta në këtë institucion: Përparim Kalo, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja.
Kur në fakt, përveç mungesës së përvojës në gjyqësor, për tre emërimet e Metës ka pasur mjaft polemika në opinion, pikërisht për angazhimin e të emëruarve nga ana e tij pikërisht në debatin politik të ditës, duke u anuar pro qëndrimit të opozitës, por edhe nga ana tjetër duke kundërshtuar si reformën në drejtësi, apo edhe komponentë të veçantë të saj, si vettingu apo edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Ndërkaq, tre anëtarët e emëruar nga Kuvendi, Fjona Papajorgji, Elsa Toska e Altin Binaj, edhe pse janë votuar në shumicë nga mazhoranca, nuk ka pasur asnjë fakt apo akuzë mbi përfshirjen e tyre në debatin apo politizimin e tyre, si për reformën në drejtësi apo për çështje të tjera.
Megjithatë, thelbi i çështjes është se kur dikush emërohet si Gjyqtar i Kushtetueses, debati që është bërë në të shkuarën nuk e ka atë vlerë, e në këtë rast shikohet produkti në lëndë, pra në shqyrtimin e vendimeve që merr institucioni që bën intepretimin e ligjit themeltar të shtetit.
Në këtë rast, Kushtetuesja, si një institucion që ka ardhur me vendimet e para si e “brishtë” dhe e “kujdesshme”, sulmi ndaj tyre duhet bërë edhe në kuadër të dispozitivit ligjor.
Mirëpo, bie në sy vendimi apo qëndrimi në vendim, nuk merret për bazë, por sërish përdoret fake news-i si “argument”, si në rastin e ambasadorit Soreca, ku u akuzua se ka ndikuar tek Gjykata.
Mirëpo pas ndërhyrjes së ashpër zyrtare të Komisionit Europian në Bruksel, por edhe mbrojtjes nga Tirana zyrtare, shënjestra ka ndryshuar, duke gjetur pa lidhje kryebashkiakun e Tiranës.
Kur në fakt vendimi i Kushtetueses, e transferoi ndërtimin e Teatrit Kombëtar tek qeveria, pra i ka hequr bashkisë kompetencën e ndërtimit të objektit.
Por edhe pse nuk ka asnjë sens e logjikë, po tentohet të ngrihet një fabul e re, e cila është më konspirative se e para, aq e pambështetur, por thjesht nuk sulmohet një ambasador, po një politikan i rëndësishëm i mazhorancës.
Argument që duket hapur se duan ta përdorin si një justifikim nëse Venecia rrëzon Ilir Metën për 30 qershorin, çka sipas gjasave do të ndodhë.
Por në këtë rast, shënjestrimi ndaj Erion Veliajt, i cili nuk ja përton përballjes me sulmet ndaj tij, ka për të dalë më keq se ai me Soreca-n.
Se ambasadori i BE në fund të fundit nuk se merr vota në Shqipëri…/ Tema