Politikë

Çelja e bisedimeve/ Ambasadorja e BE-së në Tiranë rendit kushtet: Priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave

23 Shtator 2022, 10:52| Përditesimi: 23 Shtator 2022, 14:30

  • Share

Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, gjatë një konference ditën e sotme në Tiranë, ka deklaruar se çelja e bisedimeve për integrim e bën bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe unionit europian edhe më të rëndësishëm dhe më strategjik. Sipas saj, vendi ynë sapo ka nisur një maratonë duke shtuar se për këtë duhet rezistencë, aftësi dhe bashkërendim shumë i fortë mes institucioneve.

Diplomatja e BE-së renditi 5 çështje kritike, sa i përket institucioneve të BE-së, që sipas saj do të kërkojnë vëmendje të veçantë nga ana e institucioneve të BE në procesin e integrimit. Sipas Hohman, ecuria në fushën e sundimit të ligjit do të përcaktoje ritmin e përgjithshëm të negociatave me Bashkimin Evropian.

‘‘Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta. Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme dhe të këtë sukses ne këtë përpjekje, ndaj jemi këtu. Bashkëpunimi ynë duhet të jetë më i fortë në fushën e drejtësisë. Kjo kërkon një asistencë të fortë teknike dhe në nivelin politik.’- u shpreh Hohmann.

Ambasadorja e BE-së tha në datat 3 dhe 4 nëntor Tirana do të mirëpresë takimin ministerial të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme.

‘Në datat 3 dhe 4 nëntor Tirana do të mirëpresë takimin ministerial të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, me pjesëmarrjen e presidencës çekes si edhe me komisionerët europianë që merren me çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme.’- u shpreh Hohman.

Teksa u ndal tek sulmet kibernetike, Hohhman tha se BE e mbështet Shqipërinë sa i përket sulmeve kibernetike.

‘BE po e mbështet Shqipërinë për të qenë sa më rezistente kundër këtyre sulmeve dhe së bashku me agjencitë e specializuara të shteteve anëtare e ndihmojmë e ndihmojmë Shqipërinë në mënyrë sistemike”, u shpreh ajo.

Deklaratat ambasadorja i bëri gjatë një takimi ku diskutohej për rolin e BE-së në zbatimin e ligjit në Shqipëri, ndërsa u prezantua edhe projekti “EU4LEA”, Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri.

“Ky projekt do të fillojë në bazë të punës së madhe që është bërë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të një bashkëpunimi të ngushtë dhe në rritje mes BE-së dhe organeve ligjzbatuese të Shqipërisë. Lançimi i këtij aktiviteti ndodh sot në një kontekt tërësisht të ri”, u shpreh Hohmann.

EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare, – veçanërisht Policia e Shtetit Shqiptar, Ministria e Punëve të Brendshme, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë prokuroritë e rretheve – do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE-së. Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, krimin mjedisor, si dhe menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin e trafikut rrugor dhe policimin në komunitet.

Ora 11:30
Kreu i SPAK: Kemi hetime shumë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, do të japim rezultate

Kreu i Strukturës së Posaçme (SPAK), Arben Kraja ka premtuar më shumë rezultate nga institucioni që ai drejton, ndërkohë që vendi ka nisur rrugën e anëtarësimit pas çeljes së negociatave.

Në prezantimin e projektit të Bashkimit Europian EU4LEA, për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, Kraja kërkoi ndihmën e BE dhe u zotua se do të jenë bashkëpunues për të përmbushur objektivat që duhen arritur.

Ndër të tjera, kreu i SPAK theksoi se situata e kriminalitetit në vend kërkon reagim të fuqishëm. Ai tha se ka shumë hetime të rëndësishme në vijim.

‘Secili nga institucionet ka detyrat e veta. Edhe ato të zbatimit të ligjit kanë një rol të rëndësishëm. Duke përfshirë edhe situatën e kriminalitetit që kërkon reagim të fuqishëm mendoj se projekti është në kohën e duhur për të realizuar këto objektiva.

SPAK është konsoliduar formalisht si strukturë. Hetuesit e BKH janë marrë të gjithë në punë. Situata është që të gjithë janë tepër aktivë. Kemi shumë hetime të rëndësishme në vijim dhe në këtë sens është momenti që të ecim përpara. Niveli që ne kemi arritur mendoj se ka ardhur me rritje në mënyrë të vazhdueshme.

Kemi 20 skuadra të përbashkëta hetimore. Ne po mundohemi dhe jemi seriozë për të shkuar deri në fund. Punojmë ngushtë me Europol.

Projekti do të jetë ndihmë për ne. Jemi seriozë në punën që bëjmë. Do të hetojmë në mënyrë objektive të gjitha rastet që kemi dhe do të japim rezultate.

Dua t’i garantoj drejtuesit e projektit që do të jenë bashkëpunues në arritjen e objektivave që ka projekti. Do të jemi partnerë seriozë dhe kemi nevojë të na ndihmoni. Do të kemi më shumë rezultate’, deklaroi Kraja. 

Ora 11:18
Mbështetja e BE-së për rritjen e sigurisë, Çela: Prokuroria ka nevojë për Oficerë të Policisë Gjyqësore të specializuar për krimin financiar

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij në prezantimin e programit të ‘EU4LEA’ të financuar nga BE për rritjen e sigurisë, u shpreh se nisja e këtij projekti vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të Reformës në Drejtësi.

Çela u ndal ashtu në nevojën që prokuroria ka në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore.

Në veçanti tha Çela, së pari ata që janë pjesë e seksioneve të specializuara për krimin financiar dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që sapo kanë hyrë në sistem, të cilët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme e të gjithanshme për rritjen e nivelit të tyre profesional.

‘Nisja e punës së projektit vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të reformës në drejtësi, atij të konsolidimit të institucioneve të reja apo të atyre të rikonceptuara prej saj. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, në përmbushje të detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore, janë ndjekur hap pas hapi çështjet që lidhen me zbatimin e ligjeve të reja, duke  synuar që tërësia e problemeve të hasura të trajtohet përmes një angazhimi shumëplanësh, që ka konsistuar në dhënien e kontributit konkret në drejtim të koordinimit institucional, në rritjen e transparencës ndaj publikut për mënyrën e funksionimit të institucionit si dhe bashkërendimin me organet e tjera kushtetuese për gjetjen e zgjidhjeve ligjore në funksion të interesit publik. Në vitin 2020 nga ana jonë u parashtrua vizioni strategjik për realizimin e disa objektivave  që konsistonin në:

Sigurimin e mirëfunksionimit të zyrave të prokurorisë, përmes monitorimit të punës në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë e respektimit të të drejtave të subjekteve të procedimit penal

Standartizimin e procedurave të operimit në pikëpamje administrative dhe procedurale brenda zyrave të prokurorisë në funksion të organizimit të ri kushtetues dhe ligjor, me qëllim funksionimin normal të tyre,

Garantimin e zbatimit të ligjshmërisë, duke vënë theksin në rritjen e efiçensës së ndjekjes penale në drejtim të veprave penale që lidhen pastrimin e produkteve të veprës penale dhe konfiskimin e aseteve kriminale

Mirëadministrimin e procesit të hetimit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizimin e produktivitetit

Që në nisje procesi i realizimit të tyre është mbështetur në vazhdimësi nga misionet Euralius dhe Pameca, çka përbën një eksperiencë të vyer mbi të cilën besoj se do ndërtohet edhe puna për vijimin e bashkëpunimit me projektin EU4LEA. Këto objektiva përputhen më së miri edhe me ato të projektit të saponisur.

Në vijim dua të ndalem më specifikisht në nevojën që prokuroria ka në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore, ku do të veçoja së pari ata që janë pjesë e seksioneve të specializuara për krimin financiar dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që sapo kanë hyrë në sistem, të cilët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme e të gjithanshme për rritjen e nivelit të tyre profesional.

Një aspekt tjetër i bashkëpunimit do të ishte padyshim edhe forcimi i kapaciteteve të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të drejtim të rritjes së efikasitetit në hetimin e krimeve mjedisore, që është edhe një nga prioritetet e punës së këtij viti.

Për ne mbetet ende sfidë rritja në tërësi e efiçensës së punës së oficerëve të policisë gjyqësore si një element themelor në cilësinë hetimit. Përmirësimi formave të mbikqyrjes së punës së tyre dhe gjetja e mekanizmave administrativë efikasë për rritjen e performancës është prioritet dhe besoj se do të gjejmë mbështetje të plotë nga projekti në këtë aspekt.

Në përfundim, plotësisht i bindur në  suksesin e projektit,  dua t’ju siguroj për angazhimin e plotë të prokurorisë, në funksion të krijimit të sinergjisë së duhur për realizimin e objektivit të përbashkët, atij të përafrimit të performancës së institucioneve tona  me standardet më të mira në BE.’- u shpreh Çela.

Ora 11:08
Programi 'Eu4LEA', Ministri i Brendshëm: Do të na shoqërojë në procesin e ndërlikuar të integrimit në BE

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka folur gjatë prezantimit të projektit të ri të BE ‘Eu4LEA’ duke thënë se ka rëndësi të veçantë jo vetëm për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e terrorizmit por edhe procesin e integrimit në BE.

“Falë këtij bashkëpunimi sot ne kemi agjensi ligjzbatuese të cilat denjësisht bashkëpunojnë me vendet anëtare por jo vetëm të BE si partnere të barabarta, gjë e cila vetëm disa vite më parë as që mendohej të realizohej. Kemi kaluar nga thjesht shkëmbimi i informacioneve mes agjensive të përbashkëta në fazën e hetimeve të përbashkëta me vendet. Ky është një hap shumë i madh që mbi të gjitha bazohet mbi besimin e krijuar ndërmjet agjensive tona ligjzbatuese. Ky besim, kjo aftësi për të ndërvepruar, për të qenë bashkë në aksion kundër krimit të organizuar, trafikimit, terrorizmit, nuk do të ishte e mundur nëse prej shumë vitesh nuk do të kishim një partner si BE. Sot është thjesht një konfirmim dhe konsolidim i këtij partneriteti. Nga ana tjetër, projekti i ri i bashkëpunimit me BE që tashmë ka ndryshuar dhe brendin merr një tjetër rëndësi të veçantë se do të na shoqërojë në një proces shumë të rëndësishëm të ndërlikuar siç janë negociatat në BE.

Kapitulli 24 i kontratës tonë me BE është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate. Pa u mbyllur dhe pa evoluar kapitullin 24, Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë kështu që merr një rëndësi të veçantë në etapën që ndodhemi. Më pas vjen etapa e bashkëpunimit mes BE dhe Shqipërisë për asistencën mes agjensive ligjzbatuese të Shqipërisë. Do na mundësojë të mësojmë nga modelet më të mira, jo vetëm ato europiane por edhe të vendeve që rishtazi kanë aderuar në BE dhe kanë bërë një rrugë të ngjashme. Projekti të ketë impakt të qenësishëm dhe të jetë i prekshëm por edhe sa më jetëgjatë”, tha Çuçi.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • UKU MOMLIT: 23/09/2022 13:33

    O shoku Beni,mjaft e mjaft dhe MJAFT! Del nje here nga kafjaLlallës dhe këputja Pordhës e pastaj fjales....do gjesh aty plot e perplot salinjë,ilirë,edvinë,ahmetra,beqje,ballukra e plot shpirtmutra...gajasu nje cope here dhe merr rrogen 5 miljonshe e bej si te thone zotnite qe te emeruan ne ate post. Nuk ke këllqe te hetosh e godasesh KUMBARËT E SHQIPËRISE.

    Përgjigju
  • Tosi: 23/09/2022 12:45

    Per te qeshur vallahi. BE ngre zerin per pastrimin e parave, dhe rreth saj bilbilojne cerrat e Rames, ndersa vete udheheqesi, qe me nje foto dhe bisede me Biden, eshte i karikuar per 6 muaj, hakerrehet se nuk ibpjerth nderkombetaret per legalizimin e parave nga krimi i organizuar. Ndodh vetem ne Shqiperi!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?