Ministria e Arsimit ende nuk e ka vendosur se si do të nisë viti i ri shkollor 2020-2021, që sërish e gjen në mesin e pandemisë covid-19.
Ministria ka në plan 4 skenarë, por për të vendosur do të marrë mendimin e prindërve të nxënësve. Report Tv ka siguruar formularin me pyetjet që ministria u drejton prindërve, ku janë të zbardhura dhe 4 mënyrat që nxënësit mund të zhvillojnë mësim.
Prindërit pyeten të zgjedhin mes këtyre alternativave:
1. Shkollat të fillojnë procesin mësimor normalisht, me kapacitet dhe funksionim të plotë (nëse është mundësia), duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
2. Shkollat të fillojnë procesin mësimor me grupe të vogla nxënësish, orë mësimore të reduktuara dhe me turne, duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
3. Shkollat të fillojnë procesin mësimor me mësim të kombinuar në klasë dhe online duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
4.Shkollat të fillojnë procesin mësimor vetëm online duke realizuar mësimin në distancë.
Viti shkollor që lamë u mbyll me shumë vështirësi, fillimisht prej tërmetit të 26 nëntorit, e më pas prej situatës që u shkaktua nga covid-19 duke e kthyer mësimdhënien online.
Problematikat e pakënaqësitë ishin të shumta për nxënësit dhe prindërit, kjo edhe për shkak të pamundësisë së aksesit në internet ku shumë fëmijë u përjashtuan nga ky proces.
Deri më tani data 14 shtator është vendosur për rifillimin e procesit mësimor dhe nëse nxënësit do të ulen në bankat e shkollës, do të jenë me turne, apo online e pjesërisht online, do të mbetet të mësohet nga rezultatet e sondazhit me prindërit.