Pritjes i erdhi fundi, Juve-Milan rikthen futbollin në Itali (VIDEO)

12 Qershor 2020, 12:07| Përditesimi: 12 Qershor 2020, 13:55

  • Share

Pritjes që zgjati më shumë se tre muaj i erdhi fundi. Sot rikthehet futbolli në Itali me një superndeshje që vlen biletën për në finalen e Kupës së Italisë. Në Torino Juventusi pret Milanin në gjysmëfinalen e kthimit pasi ajo e para e luajtur në shkurt është mbyllur në barazim 1-1. Edhe pse ka në favor rezultatin e ndeshjes së parë tekniku i bardhezinjve Sarri e cilëson një duel të hapur dhe vlerëson Milanin si një skuadër që e ka vënë në vështirësi. Pjanic do të jetë në regji ndërsa treshja e sulmit do përbëhet nga Ronaldo-Dybala e Douglas Costa.

Milani ka një sërë mungesash për shkak pezullimi dhe dëmtimesh. Ibrahimovic, Castillejo, Theo Hernandez dhe Musacchio do të mungojnë ndërsa titullarë priten Paqueta, Calhanoglu dhe Rebic në majën e sulmit. Trajneri Pioli në konferencë ka sqaruar se sonte ndaj Juventusit skuadra e tij do të luajë shanset e saj ndërsa si objektiv mbetet kualifikimi në kupat e Europës. Sonte duke nisur nga ora 21:00 me Juventus-Milan rikthehet futbolli i madh ndërsa nesër luhet sfida tjetër Napoli-Inter.

Mbrëmë La Liga ngriti siparin me derbin mes Sevillas dhe Real Betis. Në një “Ramon Sanchez Pizjuan” të boshatisur për shkak të pandemisë më të fortë u treguan vendasit që fituan 2-0 ndaj Betis. Golat u shënuan në pjesën e dytë me Ocampos dhe Fernando. Barcelona zbret në fushë të shtunën e Reali të dielën.

Përgatiti: Andi Kapxhiu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?